TIRANË- Kryeministri ivendit Edi Rama ka bërë të ditur se, në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara për mandatin e katërt, do të ketë mundësi të reja për qytetarët që dëshirojnë të angazhohen në sektorin publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë një nga thirrjet e publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim, duke e cilësuar si një mundësi që duhet t’u bëhet e njohur sa më shumë personave të interesuar.
Sipas kryeministrit, këto janë pjesë e një qasjeje të re për përfshirjen e personave që duan të kontribuojnë në administratën dhe sektorin publik.
Njoftimi i plotë:
Në kuadrin e ndryshimeve për Kthesën e Mandatit të Katërt, do të hapen dyer të reja për ata që duan të shërbejnë në sektorin publik.
Ky është njëri nga rastet dhe postohet këtu për t’u parë nga sa më shumë të interesuar:
RRJETI MIA – THIRRJE E HAPUR
Për profesionistë, të rinj, ekspertë dhe krijues që duan të kontribuojnë në komunikimin publik.
Agjencia për Media dhe Informim hap:
Rrjetin MIA për dy mundësi:
PUNO ME NE
Bëhu pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore.
BASHKËPUNO ME NE
Sill një ide, projekt apo zgjidhje konkrete për të përmirësuar mënyrën si institucionet komunikojnë me qytetarët.
Kërkojmë ide dhe aftësi në komunikim, media, rrjete sociale, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn, të dhëna dhe formate të reja komunikimi.
Apliko në: [email protected]
Dërgo edhe një video deri në 60 sekonda ku prezanton idenë tënde.
AFATI
10 SHTATOR 2026 | ORA 23:00
Nuk duam të dimë vetëm çfarë ke bërë deri sot.
Duam të dimë çfarë mund të bëhet më mirë nesër./ZËRI