TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sot rreth situatës së zjarreve në vendin tonë. Gjatë një komunikimi online me qytetarët, Berisha është shprehur se prej më shumë se 2 javësh, forcat zjarrfikëse të cilat i cilësoi si heronj kanë luftuar me vatrat, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë shpërblim shtesë nga qeveria për punën e tyre.
Ndër të tjera, Berisha akuzoi qeverinë dhe Ramën se teksa Shqipëria digjej, ata rreziteshin në diell, duke treguar sipas tij një indiferencë totale ndaj situatës.
“Java ishte javë e zjarreve, e dhjetëra e dhjetëra zjarreve të shumta, të cilat kërcënuan jo në një, por në disa zona të banuara të vendit banesa dhe jetën e qytetarëve. Përballë këtyre zjarreve, narkoqeveria vazhdonte vakancat. Edi Rama dhe ministrat e tij rreziteshin në diell, duke luajtur kumbar dhe në indiferencë të plotë të kësaj që ndodh. Prej mbi 2 javësh, me dhjetëra e qindra punonjës heroikë të zjarrfikësve dhe të tjerë janë përballur me guxim me zjarret në katër anët e vendit.
Asnjë qindarkë shtesë gjer sot nuk kanë marrë, përveç mashtrimeve të Edi Ramës. Pamjet e ushqimit të tyre janë mjerim. Është një injorim, një mosmirënjohje e thellë, e turpshme për sakrificën dhe djersën që derdhin, rrezikun me të cilin përballen këta burra, por edhe qytetarët.”- tha Berisha.
/ZËRI