TIRANË- Qeveria ka miratuar aktin normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, duke parashikuar fonde shtesë për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen, si dhe mbështetjen e bujqësisë dhe biznesit. Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se për indeksimin e pensioneve që do të nisë më 1 korrik, për të cilin është vënë në dispozicion një fond prej 872 milionë lekësh. Bonusi për pensionistët në vlerën 5 mijë lekë do të shpërndahet nga nesër. Nga ky bonus do të përfitojnë mbi 777 mijë pensionistë, u shpreh ministrja Delina Ibrahimaj.
Delina Ibrahimaj: Vendosëm të akordojmë një bonus për pensionistët, do të jetë bonusi i verës me vlerë 5000 lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga ky bonus, persona me statusin e invaliditetit. Efekti financiar i këtij bonusi është rreth 3.7 miliardë lekë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje të shtuar për të ardhurat e pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit. Ai do të nisë të shpërndahet nga dita e nesërme. Bonusi i shtohet bonusit që pensionistët janë duke marrë që nga janari.
Ndërkohë në sektorin e shëndetësisë janë akorduar fonde shtesë për barnat onkologjike, si dhe për rritjen e pagave të personelit të urgjencës mjekësore. Ministria e Financave do të alokojë 1.5 miliardë lekë fonde shtesë për barnat e Onkologjikut. Ministri Malaj njoftoi se nga akti normativ do të dyfishohet edhe pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara, me 750 milionë lekë shtesë.
Petrit Malaj: Plani i qeverisë është që indeksimi në vitin e ardhshëm të afrohet në muajin prill, ashtu siç ka qenë edhe më herët. Nga kjo masë do të përfitojnë 10 720 fëmijë dhe kjo masë do të hyjë në fuqi duke filluar nga nesër. Kemi menduar edhe për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Shteti do t’i mbulojë me pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me një efekt financiar prej rreth 2 miliardë lekësh. Do të mundësojmë edhe rritjen e pagave të personelit në urgjencën mjekësore, ku do të përfitojnë mjekët dhe personeli i shërbimit. Do të alokohet edhe një fond për pagesën e orëve shtesë për zjarrfikësit, për 1250 punonjës. Për sektorin e mbrojtjes, do të jenë 10.3 miliardë lekë shtesë.