
TIRANË- Qeveria ka miratuar zgjatjen e afateve të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Sipas të dhënave rreth 500 mijë shqiptarëve iu ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit. Sipas ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, miratimi i këtij akti iu jep mundësinë shqiptarëve të diasporës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit. Sakaq, ministri Hoxha informoi se është zgjatur deri më 31 mars të 2025, afati për t'u regjistruar në PER.
“Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm, për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave te identitetit (ID), dhe pasaportave biometrike. Kjo situatë do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit.
Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese. Me miratimin e këtij akti të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ-së, duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Hoxha.
PD ka një kërkesë për një ndryshim në Kod Zgjedhor që shqiptarët që jetojnë jashtë e nuk kanë dokument identifikimi shqiptare, por të huaja, të regjistrohen e të votojnë. Për DPGJC, a është e mundur të bëhet kjo si procedurë?
“Kjo nuk është e mundur të bëhet pasi ligji nuk e parashikon. Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë kartë identiteti dhe pasaporta biometrike të pavlefshme, pas miratimit të aktit që ne bëmë sot, do të kenë mundësi të regjistrohen në platformën e KQZ sipas udhëzimeve”, u përgjigj Hoxha.
Të shtunën PD ka thirrur protestën e radhës në orën 17:00, a i keni marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste, duke u nisur edhe nga pretendimet e opozitës, që në protestat e fundit, që sipas tyre kanë reaguar fillimisht punonjësit e policisë duke provokuar demokratët në protestë, apo keni ndonjë sugjerim për ta, edhe për sloganin, duke iu referuar se pak javë më parë, ju e keni bërë, për partitë e reja në protestë, duke iu referuar sloganeve, që ju keni sugjeruar, që “gënjeshtra, marshim për deputet” apo “marshojmë, gënjejmë”?
“Janë dy ndodhi të ndryshme. Gënjeshtra dhe marshimet për të ushtruar të drejtën dhe për partitë e vogla nga njëra anë, dhe protesta e datës 8 shkurt, ku është detyrim i Policisë së Shtetit për të marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste duke respektuar të drejtën e protestimit dhe të drejtën e tubimit për çdo shtetas shqiptar”, përfundoi ministri.
Në lidhje me zgjatjen e vlefshmërive të pasaportave biometrike, Partia Demokratike iu ka bërë thirrje Partisë Socialiste të miratonte aktin e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së pasaportave biometrike, në mënyrë që emigrantët shqiptarë të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar. Ndërsa, PS e kishte refuzuar këtë kërkesë duke thënë se shqiptarët që duhet të ushtrojnë të drejtën e votimit duhet të jenë të regjistruar në gjendjen civile. Po ashtu dje, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se sistemi i platformës së regjistrimit të zgjedhësve nuk e ka kapacitetit për këtë shërbim. Celibashi bëri thirrje të krijohet një sistem i ri ose të përditësohet aktuali.
Më herët sot gjatë një konference për mediat, kryedemokrati Berisha u shpreh se nuk do të pranojnë asnjë ligj për votën e diasporës nëse maxhoranca nuk pranon amendamentin e opozitës. Prej kohësh, Partia Demokratike kërkon që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë dokumenta shqiptare, pasaportë ose kartë identiteti, por socialistët dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë qëndruar kundër miratimit të këtij akti deri më tani.
Platforma online "PER" u hap më 11 janar për të pritur aplikimet e emigrantëve që duan të regjistrohen si votues nga jashtë. Për të gjithë ata që duan të votojnë, platforma do të rrijë e hapur deri në 31 mars. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj. /ZËRI