Politikë

10 orë Kuvend! Mandati i Sinajt nuk shkon në GJK, rrëzohet hetimi për 'Porto Romanon', çfarë u miratua

Me shumicë votash është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese mandatin e deputetit të PS, Vullnet Sinaj.

F.I
10 orë Kuvend! Mandati i Sinajt nuk shkon në GJK, rrëzohet hetimi
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Seanca plenare e 30 janarit zgjati 10 orë, ku debatet dhe diskutimet nuk munguan mes mazhorancës dhe opozitës. Por ndërkohë që një sërë ndryshimesh ligjore u miratuan në seancën maratonë në Kuvend, dy çështje të rendit të ditës nuk morën votat e nevojshme për t’u miratuar. Me shumicë votash është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese mandatin e deputetit të PS, Vullnet Sinaj. Nisma ligjore mori 61 vota kundër, 12 abstenim dhe 0 pro.

10 orë Kuvend! Mandati i Sinajt nuk shkon në GJK, rrëzohet hetimi
VOTIMI

Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhej se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit. Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve. 

Po ashtu u rrëzua dhe kërkesa e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” dhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Ajo mori 1 votë pro, 1 abstenim dhe 73 kundër.

10 orë Kuvend! Mandati i Sinajt nuk shkon në GJK, rrëzohet hetimi
VOTIMI

Grupi PD dorëzoi në Kuvend kërkesën në dhjetor 2024. PD kërkonte hetim parlamentar për procedurat sesi u miratua projekti dhe pikëpyetjet që lidhen me investitorin, por veç Bujar Leksajt i cili votoi kundër asnjë deputet tjetër i Opozitës nuk ishte i pranishëm në sallë kur u votua pr/vendimi pak pas mesnatës së 30 janarit. 

Miratimet:

Kuvendi miratoi ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Bonusi do të shpërndahet për pensionistët në muajin shkurt.

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe shtyrjen e afatit të aplikimit për statusin e Investitorit Strategjik. Sipas ndryshimeve, aplikuesit kanë afat deri në dhjetor 2026.

Gjithashtu, Kuvendi votoi pro letërnjoftimit digjital, duke vijuar kështu politikat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të strategjisë së digjitalizimit. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, nga foltorja e Kuvendit, duke prezantuar risitë e letërnjoftimit digjital, tha se ai do të ketë një rol kyç në luftën ndaj krimit të organizuar, por edhe ndaj mashtrimeve kibernetike.

– Votimi sipas rendit të ditës:

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”. Kjo nisëm u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Abidjan 2021, përfshirë ndryshimet e miratuara në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Addis Ababa 2018, dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Gjenevë 2019, të Bashkimit të Përbotshëm Postar”. Ky propozim u votua me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim

Miratohet Akti Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2024. Akti normativ votua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim

Një tjetër projektligj që do të diskutohet është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu””. Kjo marrëveshje u miratua me 74 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim

Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë. Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim

Projektligji; “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 73 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 68 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-EuroMediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, me qëllim përfshirjen e dispozitave kalimtare në ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025”. Kjo nisëm ligjore u miratua me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e (i) miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d. o. o. ; dhe (iii) ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”. Kjo nisëm ligjore nuk u miratua. Ajo mori 1 votë pro, 1 abstenim dhe 73 kundër.

Në rend dite është parashikuar të shqyrtohet edhe projektvendimi për “Për dërgimin e mocionit në gjykatën kushtetuese”, për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. Kjo nisëm ligjore nuk u miratua. Ajo u votua kundër nga 61 deputetë, 12 abstenim dhe 0 pro.

Miratimi i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit u miratua me 74 pro, 0 abstenim dhe 0 kundër./ZËRI

Poll

MOS HUMB