
TIRANË- Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, iu përgjigj kërkesës së Partisë Demokratike që në listën e zgjedhjeve të jenë edhe emigrantët që nuk kanë dokumentete e identifikimit shqiptar. Gjiknuri tha se PS ka negociuar me PD për ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor në lidhje me votën e emigrantëve shqiptarë, por ata që nuk kanë dokumente identifikimi nuk mund të regjistrohen. Socialisti tha se emigrantët që duan të votojnë duhet të kenë të dhëna në procesin e sistemit të gjendjes civile, ndërsa atyre që iu mungojnë këto nuk mund të regjistrohen.
“Në 2024 ne negociuam çdo detaj se si do të realizohet vota e diasporës, jam unë ai që kam pasur barrën nga mazhoranca për tu ulur na tavolinë me ju për një produkt të përbashkët. Ramë dakord që ata shtetas që jetonin jashtë vendit të votojnë me një nga dokumentet e identifikimit të vlefshëm shqiptar. Kjo ishte marrëveshja që bëmë dhe këtë shkruam edhe në kod. Nga doli kjo që kanë ngel edhe 150 mijë që s’kanë asnjë dokument, nga doli ky merak njëherë. Ata që s’kanë dokumente, s’kanë si regjistrohen sepse sistemi duhet që të dhënat të jenë në sistemin e gjendjes civile. Nga dalin këto kërkesa. Qëllimi është i qartë, ju jeni penduar, ju nuk arrini dot që ti bindni. Nuk jeni të besueshëm dhe del varianti tjetër. Për ju ka rëndësi që të justifikohet humbja dhe të gjendet një alibi për të, por treni i votës së diasporës është nisur dhe ju se ndalni dot. Ju jeni penduar sepse nuk arrini dot që t’i bindni ata dhe gjeni një justifikim, doni ta vrisni këtë proces. Ju bashkë me mua e keni bërë kodin, pse e kërkoni tani këtë, sepse s’ju dalin llogaritë”, tha ai. /ZËRI