ELBASAN- Pallati pesëkatësh në Unazën Jugore të Elbasanit ku shpërthimi tragjik i shkaktuar dyshohet nga një bombol gazi u mori jetën dy personave dhe la disa të tjerë të plagosur do të shembet plotësisht.
Vendimi për prishjen e godinës është marrë pas konstatimit të dëmtimeve të rënda në strukturën e saj. Ndërtesa është shpallur e pabanueshme pasi dëmet e shkaktuara nga shpërthimi kanë cenuar qëndrueshmërinë e saj dhe përbëjnë rrezik për sigurinë e banorëve.
Nga shpërthimi nuk është prekur vetëm pjesa e pallatit ku ndodhi ngjarja, por edhe struktura të tjera të ndërtesës duke e bërë të pamundur vijimin e përdorimit të saj.
Për pasojë pas vlerësimit të gjendjes së godinës dhe rrezikut që paraqet është vendosur shembja e plotë e saj.
Ngjarja e rëndë në Elbasan u shënua me dy viktima dhe disa të plagosur, ndërsa shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesë./ZËRI