Ekonomi

Paketa fiskale 2027: Bizneset me xhiro mbi 5 mln lekë në vit do të tatohen, ndryshon tatimi mbi pagën

Sipas relacionit ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë e 516 tatimpagues të rinj

F.I
Paketa fiskale 2027:  Bizneset me xhiro mbi 5 mln lekë në vit do
foto ilustruese

TIRANË-Paketa Fiskale 2027 pritet të sjellë një sërë ndryshimesh në sistemin e taksave. Duke nisur nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në propozohet të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja për qarkullim vjetor.

Sipas këtij ndryshimi të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë të reja do të duhet të regjistrohen në skemën e TVSH-së. Sipas relacionit ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë e 516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë rregullat e TVSH-së.

“Në nenin 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 953/2014 përcaktohet kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili prej janar 2021 është 10 (dhjetë) milionë lekë, me përjashtim të personave të tatueshëm, që ofrojnë shërbime sipas profesioneve të tilla, si: noter, përmbarues gjyqësor shtetëror dhe privat, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në së të cilëve është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre"- thuhet në relacion. 

Ndërkohë individët që kanë paga mujore bruto mbi 200 mijë lekë pritet të lehtësohen nga barra e tatimit prej 23%. Kjo normë do të aplikohet për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë në muaj propozohet për herë të parë  një normë e re prej 32%.

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive të mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimore

0 – 3 240 000 lekë 13%

3 240 001 – 8 040 000 lekë 23%

Mbi 8 040 000 lekë 32%”

2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%.”

Parapagimi i tatimfitimit bëhet zyrtarisht detyrim tatimor i zbatueshëm me procedura mbledhjeje me forcë, ndërsa pasqyrat financiare do të dorëzohen vetëm në QKB dhe do të merren automatikisht nga tatimet.

MOS HUMB