Politikë

OSBE i kërkon PS-së dhe PD-së marrëveshje për reformën zgjedhore, afati po afron

Kryetari i Prezencës së OSBE- së në Shqipëri ambasadori Michel Tarran zhvilloi këtë të hënë një takim me bashkëkryetarët e komisionit Damian Gjiknurin nga PS dhe Oerd Bylykbashin nga PD.

M.K.
OSBE i kërkon PS-së dhe PD-së marrëveshje për
Michel Tarran

TIRANË- Me vetëm pak ditë nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore mazhoranca dhe opozita vijojnë të mos gjejnë konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këtë situatë OSBE u kërkon palëve të përshpejtojnë negociatat, në mënyrë që reforma të përfundojë përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

Kryetari i Prezencës së OSBE- së në Shqipëri ambasadori Michel Tarran zhvilloi këtë të hënë një takim me bashkëkryetarët e komisionit Damian Gjiknurin nga PS dhe Oerd Bylykbashin nga PD. Në fokus ishte zbatimi në kohë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR- it dhe nevoja për një proces gjithëpërfshirës ku të dyja palët të angazhohen për gjetjen e një marrëveshjeje.

Por përtej thirrjeve për bashkëpunim qëndrimet e dy forcave politike mbeten të ndryshme. Demokratët kërkojnë lista 100% të hapura një zonë të vetme zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe masa më të forta kundër përdorimit të administratës dhe fondeve publike për qëllime elektorale.

Nga ana tjetër, socialistët nuk pranojnë që kërkesat e opozitës të përcaktojnë axhendën e komisionit, ndërsa kanë lidhur diskutimin për sistemin zgjedhor me propozimin për uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 101.

Një tjetër çështje ku palët kanë mospajtime është mënyra e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, në kushtet kur ndryshimet territoriale parashikojnë reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Komisioni ka afat deri më 30 nëntor për të përmbyllur punën, ndërsa socialistët kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet konsensus mund t'i miratojnë të vetëm ndryshimet zgjedhore./ZËRI

MOS HUMB