Opinione

Të rrojë Partia! Moda e re e (disa socialistëve) para SPAK

Teksa dëgjon dhe lexon deklaratat e fundit të dy socialistëve, ke një ndjesi “deja vu” të Kadri Hazbiut.

Redaksia Zëri
Të rrojë Partia! Moda e re e (disa socialistëve) para SPAK
Ilir Beqja dhe Rakip Suli

TIRANË- SPAK sot tërhoqi sërish grepin, duke nxjerrë nga pellgu i politikës një tjetër peshk të madh! Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur akuzën “detyrim paraqitje” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Të hënën, në orën 12:00 ish-ministri do të paraqitet për t'u njohur me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por paraprakisht e ka dhënë komentin e tij. Beqaj pranoi se ka rezerva serioze për hetimin, por theksoi se nuk do të apelojë. Pra, me pak fjalë…do të pranojë ‘fatin’ e tij!

“Unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt.”

Deri më tani, kjo fjali nuk ka dalë kurrë nga goja e asnjë të akuzuari… kurrë në botë.

Por nuk është i vetmi që ka besim të verbër tek drejtësia e re në Shqipëri. Kolegu i tij socialist, kryebashkiaku i Kamëz, Rakip Suli ka dorëzuar gjithashtu “veten” në duart e SPAK. Madje është shumë i lumtur. Teksa ka bërë disa vajtje-ardhje në ambientet e SPAK ka  ndaluar që të flasë edhe me gazetarët për t’u shprehur se ishte shumë i gatshëm të hetohej, madje po ta kishte bërë veten…edhe të dënohej.

“Ditë e bukur sot. Të lëmë drejtësinë që të bëjë punën e vetë sepse po jep shpresë të shqiptarët. Fati që erdhi sot kjo ditë, që çdo person të japë llogari.  Më lini të bëj detyrën time, në respekt të qytetarëve. Sa herë të duan do të vij,”- tha ai.

Pasi sigurohesh që këto deklarata nuk janë lojra të mendjes, as meme, as ironi, por fjali të plota të nxjerra nga goja e personave që lokalisht apo më gjerë kanë impakt dhe influencë, futesh pak më thellë në analizë. Tani, ose të gjithë janë të kënaqur me atë që i pret, sepse e dinë që nuk ka asgjë që mund të përdoret kundër tyre; ose kanë arritur në formën më të lartë të pastërtisë shpirtërore dhe janë gati që të vuajnë për gabimet që kanë bërë; ose janë besimtarë të verbër…tek Partia! Teksa dëgjon dhe lexon deklaratat e fundit të dy socialistëve, ke një ndjesi “deja vu” të Kadri Hazbiut.

Përballë Enver Hoxhës ishte gati që ta arrestonte partia e tij. (Nëse kishte bërë faj)

BISEDA NË MBLEDHJEN E PLENIUMIT:

Enver Hoxha: Unë propozoj të të arrestojnë!

Kadri Hazbiu: Po mirë dakord. Partia ime më arreston…

Enver Hoxha: Partia tënde të arreston se ke bërë faj.

Kadri Hazbiu: Nëse jam për t'u arrestuar, le të arrestohem shoku Enver.

40 vjet më pas, viti 1983 nuk duket shumë larg. Të paktën në mentalitet. Sërish përballen me drejtësinë me të njëjtën besim dhe verbëri, madje po të shkonte edhe më tej, që të ndodheshin para togës së pushkatimit sërish do thoshin: Të rrojë Partia! Të na rrojë SPAK-u!/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB