Opinione

Anija fantazëm dhe vetëgjyqësia e Gjergj Lucës

Peshkatarët e Gjergj Lucës që morën nga Porti një mjet të bllokuar nga Prokuroria, duhet të përgjigjen para ligjit ose për vjedhje ose për vetëgjyqësi.

Zëri
Anija fantazëm dhe vetëgjyqësia e Gjergj Lucës
Gjergj Luca

Anije fantazëm gjenden pak në kohët moderne. Që nga koha e të famshmes “Mary Celeste”, anijes velierë të gjetur të braktisur në Oqeanin Atlantik në vitin 1872, të pakta kanë qenë rastet kur anije fantazëm janë gjetur gjatë lundrimit në det.

Në vitet e largëta kur lundrimi ishte një sport i vështirë, i rezervuar vetëm për më trimat dhe të aftët, mungesa e teknologjisë dhe instrumentave, veçanërisht atyre për të parashikuar motin, i nxirrte detarët përballë të papriturave aq të mëdha, sa mund të ndodhte të braktisnin anije në mes të oqeanit.

Sot këto fenomene nuk ndodhin më, e para sepse teknologjia ka avancuar aq sa mund të parashikosh motin me saktësi të kënaqshme për të paktën 10 ditët e ardhshme, por edhe sepse regjistrimi i anijeve dhe sistemi i lundrimit është aq i ndërlidhur me mbikqyrjet satelitore (ndërkombëtare) dhe ato tokësore (të secilit shtet), sa është praktikisht e pamundur të jesh pronar i një mjeti lundrues mbi 10 metra, e ta braktisësh atë pa qenë në gjendje të të gjejnë apo identifikojnë.

Por, një çudi e tillë ka ndodhur në Shqipëri. Një lajm gati periferik më 14 qershor, lajmëronte se peshkatarët e kompanisë së biznesmenit Gjergj Luca, kishin gjetur një velierë në det të hapur.

Sado e çuditshme të duket, në Shqipëri ndodhin edhe këto gjëra. Në një bregdet që rrihet më shumë nga trafikantët sesa nga mjetet turistike, ishte gjetur një velierë, pa asnjë njeri në bord.

Peshkatarët e Gjergj Lucës, gjetën mjetin e braktisur dhe e sollën deri në port. Aso kohe nuk u dhanë detaje se për cilën arsye një peshkarexhë i ishte afruar në det të hapur një mjeti tjetër privat, aq sa për të parë se nuk kishte njerëz brenda.

Po ashtu, as nuk u bë e ditur se çfarë i shtyu peshkatarët shqiptarë ti afroheshin një mjeti tjetër në mes të detit, i cili siç u tha, ishte duke pluskuar në ujë, pa asnjë drejtim. Në këto 5 muaj, as Prokuroria nuk ka bërë të ditur se cilat veprime hetimore ka kryer për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këtë mjet.

Ajo që u tha që ditët e para ishte se në mjet nuk kishte sende të paligjshme. Por çuditërisht nuk u tha as nëse kishte gjëra të tjera të ligjshme, sende personale ose të cilësdo natyre tjetër, të tilla që mund të bënin të mundur identifikimin e pronarëve apo personave që kishin udhëtuar të fundit në këtë velierë.

Ndërkohë, Prokuroria nuk bëri të ditur nëse është interesuar pranë autoriteteve portuale fqinjë për të kuptuar nga cili port ishte nisur ky mjet. Një velierë e atyre përmasave, nuk mund të ishte nisur nga vende më të largëta se vendet fqinjë me vendin tonë, kjo për shkak të autonomisë së vetë mjetit dhe pamundësisë për të kryer udhëtime më të gjata se 4-5 ditë në det të hapur.

Kjo do të thotë, se me një llogari të thjeshtë, shtetet më të mundshme të nisjes janë Italia, Greqia, ose vendet e bregut të detit Adriatik në veri të Shqipërisë. Prokuroria duket se nuk ka bërë asnjë veprim hetimor së bashku me partnerët për të identifikuar pronarët e mundshëm të mjetit dhe arsyet e mundshme të braktisjes së tij.

Arsyeja për ta do të jetë vetëm një: Me këtë mjet janë kryer aktivitete të paligjshme. Që do të thotë se nuk ka e as do të ketë ndonjë pronar të ligjshëm që mund të shfaqet për të tërhequr mjetin.

Në të kundërt, cilido pronar që do kishte “humbur” një velierë të tillë, nuk do kishte humbur akoma më shumë kohë për të trokitur në derën e Policisë për të kërkuar pronën e tij.

Dhe ndërkohë, rastësia e do përsëri që ata që e gjejnë janë të punësuarit e Gjergj Lucës, biznesmenit më të madh të peshkut në vendin tonë, por po kaq kontrovers sa nuk lë rast pa u marrë me çështje që më së shumti tërheqin opinionin publik.

Luca nuk ia ka përtuar ti hyjë as debateve me politikanë të rangut të lartë, as të bëhet viral në rrjete sociale, me video që nisin nga fushatat elektorale deri tek videot që do turpëronin shumë biznesmenë të tjerë në këtë vend.

Pra me pak fjalë, veliera u gjet nga një biznesmen i madh Shqiptar, që kostumi i biznesmenit dukshëm i rri ngushtë. Pas thuajse 5 muaj nga momenti i gjetjes, përsëri peshkatarët e Gjergj Lucës, tërheqin në mes të detit të njëjtën velierë.

Kësaj radhe nuk e kishin gjetur në mes të detit por e kishin vjedhur nga Porti i Sarandës.

Për kë mendoi se peshkatarët e Lucës u çmendën, vetë ky i fundit nuk la shumë kohë për sqarim.

Në një video të publikuar në rrjetet e tij, Luca sqaron se mjeti i gjetur në det të hapur, është pronë e tij sipas Kodit Ndërkombëtar Detar, sipas të cilit sendet e gjetura në det të hapur e që nuk i përkasin njeriu, bëhen pronë e atij që i gjen.

Në fakt, Luca ka të drejtë. Ligji ndërkombëtar e sanksionon (për atë punë edhe ligji shqiptar) se sendet e gjetura bëhen pronë e atij që i gjen, në qoftë se nuk janë pronë as e ndonjë privati tjetër e as e shtetit.

Ky i velierës së gjetur në det, edhe mund të jetë rasti. Por vetëm pasi Prokuroria të ketë sqaruar nëse me këtë velierë janë kryer krime të cilitdo lloji apo jo, në Shqipëri apo në vendet fqinjë. Pasi autoritetet vendase dhe partnerët e huaj të kenë “pastruar” këtë mjet nga të gjitha këto dyshime, atëherë duhet një proces tjetër ligjor me anë të të cilit peshkatarët e Lucës bëhen pronarë të mjetit të gjetur.

Deri sa të ndodhin të gjitha këto, tërheqja e mjetit nga Porti i Sarandës quhet vjedhje, e jo marrje pa leje siç e quan në njoftimin e saj Policia. Sepse tërheqje pa leje, nuk egziston në Kodin Penal si vepër penale.

Peshkatarët e Gjergj Lucës që morën nga Porti një mjet të bllokuar nga Prokuroria, duhet të përgjigjen para ligjit ose për vjedhje (në qoftë se mjeti nuk është i regjistruar në emrin e tyre ose të kompanisë së Gjergj Lucës) ose duhet të përgjigjen për vetëgjyqësi (në qoftë se mjeti është regjistruar si pronë e tyre ose e kompanisë së Gjergj Lucës).

Për ta bërë më të thjeshtë, askush nuk shkon të tërheqë me kavo një makinë të bllokuar nga Policia e Shtetit, pa marrë më parë një letër nga Prokurori e një fletë-dalje nga Policia vetë.

Në të kundërt, në qoftë se do ndalohej dikush në rrugë duke tërhequr një makinë të tillë nga pas, do arrestohej ose për vetëgjyqësi (po të provohej se mjeti ishte pronë e tij) ose për vjedhje (po të provohej se mjeti nuk ishte pronë e tij pavarësisht se mund ta pretendojë).

Përtej rrëmujës në vendin tonë, përtej protagonizmit të Gjergj Lucës, përtej mungesës së kurajos nga autoritetet që të merren me çështje të tilla kur të hetuar mund të jenë personazhe me influencë si Luca, duket se jemi në gjendje të habisim edhe botën me ngjarje që kishin vite nuk ndodhnin më.

Nxjerrim nga deti veliera fantazëm, që i rrëmbejnë biznesmenë aspak fantazëm, pa mbajtur përgjegjësi përpara autoriteteve thuajse fantazëm. Mos u çudisni kur ndonjë tjetër më vonë të gjejë thesarin e Aleksandrit të Madh./ZERI

Poll

MOS HUMB