
GAZA - Që nga fillimi i sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit, spitali al-Shifa në pjesën veriore të enklavës së rrethuar është paraqitur dukshëm në mediat më të rëndësishme botërore.
Për pesë ditët e fundit, spitali ka qenë në qendër të vëmendjes, pasi numri i të vdekurve në Gaza është rritur, teksa më shumë se 11,500 palestinezë, gati gjysma e tyre fëmijë, janë vrarë nga forcat izraelite.
Skena brutale po shpalosen në spital, ndërsa snajperët kanë kaluar ditë të tëra duke qëlluar mbi këdo që përpiqet të lëvizë nga një ndërtesë mjekësore në tjetrën, duke shkaktuar protesta ndërkombëtare. Por ushtria izraelite duket e patrazuar.
Rëndësia e Al-Shifa
Rëndësia e Spitalit Al-Shifa është përtej asaj mjekësore. Kompleksi i famshëm mjekësor, emri i të cilit përkthehet "Shtëpia e Shërimit", është përshkruar si ‘zemra rrahëse’ e Gazës.
Ndërtesa ka qenë atje që nga koha e sundimit britanik mbi Palestinën dhe u bë një spital në 1946, pasi fillimisht strehonte kazermat e ushtrisë britanike. Ajo i ka mbijetuar disa luftërave dhe shumë viteve të pushtimit izraelit.
Që nga muaji i kaluar, spitalit i janë mohuar furnizimet e nevojshme urgjente me ilaçe dhe karburant – dhe kjo ndodhi përpara se trupat izraelite të hynin dhe të hidhnin në erë rezervat e tij të pakësuara të ilaçeve.
Stafi i spitalit duhej të varroste dhjetëra njerëz në një varr masiv. Trupat e pajetë qëndrojnë ende rreth oborrit të saj.
Përtej kësaj, al-Shifa shihet si një ‘qendër administrative me rëndësi’ për organet administrative të qeverisë së Gazës. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë mbajtur konferenca shtypi mes kufomave atje.
Al-Shifa e mbajti lidhjen e internetit në momentet kur pjesa tjetër e Gazës nuk kishte internet, pasi ishte ndërprerë nga Izraeli. Kështu që ka qenë gjithashtu një pikë e nxehtë për gazetarët, disa prej të cilëve janë bllokuar atje tani. Drejtori i spitalit dhe mjekët e stafi i tij kanë ofruar përditësime të vazhdueshme sa herë ka qenë e mundur, shpesh duke hedhur poshtë pretendimet izraelite.
Për disa palestinezë, spitali është bërë një simbol i forcës dhe i qëndrimit ndaj një force ushtarakisht më të fortë që tregon pak përmbajtje. Imazhet e foshnjave të vrarë dhe fëmijëve të gjymtuar që janë transmetuar nga brenda spitalit kanë frymëzuar miliona njerëz të dalin në rrugë kudo në botë, në mbështetje të palestinezëve.
Çfarë po bën ekzaktësisht Izraeli tani?
Izraeli ka thënë se dëshiron të marrë përgjegjësinë për sigurinë e Gazës në të ardhmen. Jeruzalemi ka kundërshtuar aleatin e saj kryesor, Shtetet e Bashkuara, në këtë pikë, pasi Uashingtoni dëshiron që Autoriteti Palestinez të marrë qeverisjen në enklavë.
Por ata duket se janë bashkë në misionin për shkatërrimin e Hamasit, kështu që operacioni tokësor do të duhet të zgjerohet, që organizata palestineze të marrë goditje. Pushtimi i spitalit kryesor në qytet do të ishte thelbësore për këtë skenar. Ajo që ndodh në spital është bërë parësore për Izraelin.
Izraeli dëshiron të çmontojë qendrën ku është ngritur al-Shifa dhe të zbulojë atë që ka thënë, se e sheh si bastionin e aftësive ushtarake dhe administrative të Hamasit. Ajo që ndodh me spitalin mund të ketë gjithashtu një ndikim në të ardhmen e negociatave për lirimin e robërve dhe lejimin e ndihmës humanitare e dërgimin e karburantit të nevojshëm në Gaza.
Një mjek në spital, Munir al-Bursh, u tha forcave izraelite se si prania e tyre po krijon një gjendje frike dhe histerie, sipas një regjistrimi që disponon Al Jazeera.
Monitoruesi Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë ka thënë se “ushtria mund të jetë duke krijuar skenën që mund të publikohet më vonë”, pasi është pala e vetme që kontrollon gjithçka që ndodh brenda spitalit. ‘Synimi’ i spitaleve nga Izraeli ka qenë thellësisht i diskutueshëm.
Gati një muaj më parë, kishte një sulm vdekjeprurës në Spitalin Arab al-Ahli në Gaza, por Izraeli dhe Perëndimi fajësuan për këtë luftëtarët palestinezë, se lëshuan një raketë të gabuar nga brenda Rripit të Gazës. Të mërkurën, media amerikane CNN, shkoi brenda spitalit al-Shifa për të provuar pretendimet e Izraelit kundër Hamasit. Hagari i tregoi medias disa pushkë të ndryshkura dhe një karrige si dëshmi se Hamasi po vepronte atje dhe po mbante robër.
Çfarë po ndodh tani në Spitalin e al-Shifas?
Ushtria izraelite ka kaluar ditët e fundit në spital, duke e shtrënguar gradualisht lakun. Si pjesë e ofensivës së saj tokësore në Gazën veriore, ushtria hyri dhe rrethoi spitalin më të madh në Rripin e Gazës me ushtarë, tanke, automjete të blinduara dhe dronë sulmues të mbështetur nga snajperë.
Trupat izraelite tani kanë hyrë në spital dhe kanë bastisur disa departamente. Ata ngritën postblloqe në dyer të shumta të ndërtesave kryesore. Tanket e tyre janë në oborr.
Kjo ndodh ndërkohë që mijëra njerëz janë ende të bllokuar në spital. Këto përfshijnë shumë palestinezë të zhvendosur që strehohen atje, pacientë të sëmurë rëndë pa ditur ku të shkojnë, dhe personel mjekësor e persona të rraskapitur.
Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, trupat izraelite shënjestruan gjeneratorët dhe njësitë e komunikimit përpara se të sulmonin. Ata gjithashtu morën në pyetje dhjetëra njerëz të zhveshur dhe me sy të lidhur, të cilëve tashmë u ishte ndërprerë qasja në ujë dhe higjienën bazë.

A vepron Hamasi në spital?
Pretendimi kryesor i Izraelit për rrethimin e spitalit më të rëndësishëm në Gaza është se Hamasi ka një qendër kryesore komanduese që vepron nga brenda dhe nën spital.
Ky është një pretendim që është mbështetur edhe nga SHBA, duke bërë që Hamasi të akuzojë Uashingtonin për dhënien e dritës jeshile për të sulmuar një spital të mbushur me civilë.
As Tel Avivi dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë lëshuar ndonjë provë të verifikuar në mënyrë të pavarur për të mbështetur këtë pretendim, i cili është hedhur poshtë nga një numër i mjekëve dhe stafit në spital.
Dhe nuk ka pasur asnjë provë të qartë se një numër i robërve të marrë nga Hamasi gjatë sulmit të tij të 7 tetorit po mbahen brenda kufijve të spitalit.
Izraeli gjithashtu nuk ka lejuar asnjë palë të tretë të pavarur në zonë për të verifikuar pretendimet e secilës palë. Pretendime të tilla shumë të diskutueshme, historikisht kanë përfunduar të paprovuara./Al Jazeera - Zëri.ai/