
TIRANË- Ekspertiza e parë mjeko-ligjore ka dalë në përfundimin se 3-vjeçari Brian Spahiu ka humbur jetën për shkak të mbidozës së narkozës, por ky rezultat siç duket nuk mjafton që Prokuroria të nisë ‘lëvizjet’ e pse jo dhe urdhërarrestet për përgjegjësit e vdekjes së vogëlushit.
Mjeku anestezist Roland Xhaxho dhe vajza e tij stomatologia Ina Xhaxho vijojnë aktivitetin e tyre të qetë, mes përgjumjes së institucioneve dhe familjarëve që me zemër në dorë presin drejtësi për të voglin që mbylli sytë mbrëmjen e 3-tetorit në Spitalin Pediatrik.
Kanë kaluar plot 38 ditë që nga ajo mbrëmje tmerri dhe e vetmja gjë që kemi parë është tronditja që pësuan familjarët e të voglit dhe të gjithë ata që u ngritën në protesta duke kërkuar drejtësi. Pjesa tjetër kanë qenë deklarata e lëvizje burokratrike, por veprime konkrete që të qetësojnë shpirtin e atyre që u mbeti prehri bosh, nuk ka patur. Deri më tani, as policia, as prokuroria nuk kanë ndërmarrë hapa që të çojnë pas hekurave iniciuesit e kësaj tragjedie që nisi nga një pastrim dhëmbësh.
Roland Xhaxho dhe Ina Xhaxho, në reagimin e fundit që bënë publikisht deklaronin se prisnin ekspertizën mjeko ligjore, por edhe pas daljes së kësaj të fundit, nuk duken mjaft të ‘kënaqur’.
Ndërkohë që prokuroria refuzon të bëjë publike aktekspertizën, duke u fshehur pas frazës "sekret hetimor", gazetarja Klodiana Lala shkruan në një postim se ‘zërat’ flasin se do të bëhet një e dytë.
Arsyeja ngre dyshime të mëdha….
Për të rrëzuar të parën?
Çfarë nuk shkon në ekspertizën e parë që fajëson drejtpërdrejt klinikën dentare “Splendent” që i mori jetën Brianit të vogël?
Tashmë organi i akuzës, në vend që të lëshojë urdhërarrestet, ka marrë në pyetje ekspertët mjeko-ligjore që kryen aktin e 3-vjeçarit dhe po bën analizimin e provave dhe dëshmive për të vendosur riekspertimin.
Analizë mbi analizë, që sjell vetëm zvarritje të çështjes dhe mosndëshkim të atyre që me ose pa dashje, nga paaftësia apo neglizhenca u kthyen në vrasës me licensë!