
TIRANË- "Stinët", një kopësht privat operonte në periferi të kryeqytetit, i fshehur mes ndërtesave, i harruar edhe nga Ministria e Arsimit. Deri më datë 1 nëntor! Prindërit e kishin besuar gjënë e tyre më të çmuar tek edukatorja Majlinda Dehima, por si “shpërblim” morën vetëm dhunë, për “vëmendjen” e edukatores.
E mitura, vetëm 3 vjeç, kishte nisur të qante dhe të ‘shqetësonte’ edukatoren. Ndaj si zgjedhjen më të mirë për t’i marrë vëmendjen kishte gjetur dhunën. Shuplaka, tërheqje zvarrë dhe qëllim me vizore. Të paktën kaq janë dokumentuar sepse mund të ketë edhe më shumë.
Nga pamjet që ka siguruar "Zëri.ai" brenda kopshtit, në një moment, edukatorja duke që tërheq zvarrë nga krahu të miturën, episod që mund të jetë përsëritur në momentin që ajo është zgjuar nga gjumi. Kamera, edhe kësaj here e vendosur në një kënd që sërish fsheh krimin e edukatores, nuk kap asnjë zhurmë, derisa ajo i afrohet fëmijës…
Rezultati; një këmbë e thyer dhe dy prindër të dërrmuar teksa mendojnë dhe do vazhdojnë të mendojnë tmerrin që kaloi e vogla e tyre.
Me të drejtë … siç do të bënim të gjithë në vendin e tyre, kthejmë sytë nga shteti që të vendosë drejtësinë. Por tek cili? Tek zëvendës-shefi i Komisariatit nr.1 që as nuk i ka parë kamerat siç duhet, apo tek 2 kolegët e tij që gjithashtu injoruan denoncimin e familjarëve. Po Ministria e Arsimit? Ministria e Arsimit dhe e Sportit "lau gojën" sot me një njoftim zyrtar, të thatë duke u shfajsuar se kopshti në fjalë vepronte në kushtet e paligjshmërisë, pasi ishte pa licencë. Madje lajmëruan se kishin ngritur edhe një Task-Torcë për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët. Por për rastin konkret çfarë u bë?
Edhe sot, disa orë pas publikimit të pamjeve, kopshti ishte i hapur.
"Zëri.ai" shkoi vetë sot në mëngjes, ku në kopësht hynin ende fëmijë. Kishte ende prindër që besonin tek fëmijët e tyre në një ambient që vetëm pak ditë më parë iu thye këmba një fëmijë. Vetëm 3 vjeç! Dhunë psikologjike, fizike dhe një dëmtim që i ka penguar vrapin e moshës së voglës. Sot, disa nëna shkuan për të protestuar tek kopshtit që i ishte vënë dryni. Nesër, do të bëhen edhe dy-tri lajme të tjera për ngjarjen, e pasnesër do të harrohet sërish. Fëmjët do të jenë sërish të pambrojtur brenda mureve të kopshtit, larg syrit të prindërve dhe në mëshirë të disa zonjave që paguhen për t’u dhënë dashuri, jo për t’i dhunuar.
Kështu që të gjithë ju edukatorë e mësues, që sot vishni përparëse të bardha, mos i nxini me turp! Mos ua përlotni sytë të vegjëlve që rriten çdo ditë para syve tuaj, kaq pak, a e bëni dot?!/Zëri.ai