Opinione

BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar

Media prestigjoze shkruan se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në lidhje me sulmin e Hamasit më 7 tetor ka fajësuar të tjerët dhe nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta.

D.XH
BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar
Netanyahu

GAZA - Në një analizë të gjatë, BBC zbulon pesë situatat kryesore që janë krijuar në Lindjen e Mesme, pas gati një muaj luftë midis Izraelit dhe Hamasit.

Në tekstin e shkruar nga gazetari i shquar britanik, Jeremy Bowen, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, vihet në dukje papërgjegjësia e Netanyahut, dështimi i shërbimeve sekrete izraelite dhe paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të imponuar një zgjidhje.

Përkundrazi, siç theksohet në analizë, pavarësisht nga ajo që thotë, Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, duket se nuk dëshiron në të vërtetë që çështja palestineze të zgjidhet, pasi kjo do të nënkuptonte, krijimin e një shteti të Palestinës, në tokat që ai dëshiron të kontrollojë, si Jeruzalemi Lindor.

BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar
Gaza 2

Në të njëjtën kohë, përmendet veçanërisht vdekja e shumë civilëve, me të dhënat që tregojnë se izraelitët kanë vrarë më shumë civilë në Gaza në një muaj sesa Rusia në luftën me Ukrainën në mbi 1 vit e gjysmë.

Në të njëjtën kohë, dëshmia e një gjenerali izraelit të moshuar, zbulon se ushtria nuk i beson Netanyahut, i cili është i vetmi që nuk ka marrë përgjegjësi për atë që ndodhi më 7 tetor, ku u vranë mbi 1400 izraelitë nga Hamasi.

Shkrimi i BBC

Një nga gjërat që duhet të dimë që në krye të herës është se askush nuk e di me siguri të plotë sesi ndodhi sulmi i 7 tetorit, pasi është rast kompleks dhe do të duhet kohë të zbardhet.

Ngjarjet vazhdojnë ende me shpejtësi. Frika se lufta mund të përhapet janë shumë reale. Ajo që do të përcaktojë fatin e konfliktit është mënyra sesi do të ecë kjo luftë për pjesën tjetër të vitit dhe ndoshta më gjatë.

BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar
Gaza 3

Izraeli ka vendosur të hyjë në Gaza, duke mos ditur shumë gjëra atje dhe kjo është e rrezikshme, gjithashtu. Disa njerëz talleshin me Donald Rumsfeld, sekretarin e mbrojtjes së SHBA-së në kohën e pushtimit të Irakut në vitin 2003, kur ai foli për faktin se Amerika nuk e njihte mirë atë vend. Mirëpo, kudo në botë ka terrene, që kanë të panjohura dhe veçanti, e pikërisht këto të fundit mund të vendosin fatin e luftës. Tashmë kemi 5 realitete të reja në konflikt.

1.

Ajo që është e sigurt është se izraelitët mbështesin fushatën ushtarake për të shkatërruar pushtetin e Hamasit në Gaza dhe partnerit të tij të vogël, Xhihadit Islamik. Zemërimi i tyre është nxitur nga tronditja e sulmeve të Hamasit, vrasja e më shumë se 1400 njerëzve dhe fakti që rreth 240 pengje ende mbahen në enklavë.

Takojmë Noam Tibon, një gjeneral në pension në ushtrinë izraelite, për të dëgjuar se si ai zbriti me makinë me gruan e tij në Nahal Oz, në kufirin me Gazën, pasi Hamasi kreu sulmin më 7 tetor. Misioni i tij, i cili ishte i suksesshëm, ishte të shpëtonte djalin e tij, nusen e djalit dhe dy vajzat e tyre të vogla që ishin në dhomën e tyre, duke parë nga dritaret njerëz të armatosur të Hamasit.

BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar
Gaza 4

Tibon mund të jetë në pension, por ai është një 62-vjeçar i mbajtur. Ai u armatos atë ditë me një pushkë dhe një helmetë që ia kishte marrë një ushtari izraelit të vdekur, duke udhëhequr një grup ushtarësh që kishte mbledhur në kaosin e asaj dite, duke shpëtuar jetën e familjes së tij dhe shumë të tjerëve.

Gjenerali ishte një oficer izraelit i shkollës së vjetër. Ai thotë se asnjë komb në botë nuk pranon t’i vriten civilët.

"Gaza do të vuajë. Asnjë komb nuk do të pranojë që fqinji të therë foshnja, dhe gra. Ashtu si ju (britanianët) shtypët armikun tuaj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë në Gaza. Duhet të veprojmë pa mëshirë. Ne jemi në një zonë të vështirë dhe duhet të veprojmë me egërsi, që të mbijetojmë”, shprehet ai. Mirëpo, gjenerali thotë se vdekjet e civilëve janë të gabuara, nga cilado palë që të jenë. Shumë izraelitë po i bëjnë jehonë fjalëve së tij se vdekjet e civilëve palestinezë janë për të ardhur keq.

2.

Është gjithashtu e qartë se sulmi i Izraelit ndaj Hamasit po shkakton gjakderdhje të tmerrshme. Shifra e fundit për vdekjet palestineze e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka tejkaluar 9,000 - nga të cilët rreth 65% janë fëmijë dhe gra.

Nuk është e qartë se sa nga burrat që janë vrarë ishin civilë ose që luftonin për Hamasin ose Xhihadin Islamik. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe izraelitët nuk u besojnë të dhënave të ministrisë palestineze. Por në konfliktet e kaluara, statistikat e palës palestineze janë konsideruar të sakta nga organizatat ndërkombëtare.

BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar
Gaza5

Një moment historik i zymtë po afrohet me shpejtësi. Kombet e Bashkuara (OKB) thonë se rreth 9,700 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga pushtimi i plotë rus 21 muaj më parë.

Izraeli ka vepruar me dorë të hekurt, pasi ka vrarë aq shumë civilë palestinezë, sa Rusia ka vrarë në Ukrainë që nga shkurti 2022. (OKB thotë se të dhënat për Ukrainën janë të paplota dhe numri i vërtetë i civilëve të vrarë ka të ngjarë të jetë më i lartë, ndërsa në Gaza numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë gjithashtu më i lartë pasi shumë palestinezë besohet se janë të vdekur nën rrënoja).

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se kaq shumë civilë janë vrarë dhe plagosur në sulmet ajrore izraelite sa që ka shqetësime serioze se sulmet janë joproporcionale dhe mund të jenë krime lufte.

Që në ditët e para pas sulmeve të Hamasit, Presidenti Biden ka mbështetur vendimin e Izraelit për të përdorur forcën ushtarake,  për të hequr Hamasin nga pushteti. Por ai ka shtuar edhe faktin se kjo gjë duhej bërë “siç duhet”. Ai shtoi se Izraeli duhet të respektojë ligjet e luftës, që mbrojnë civilët.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në Tel Aviv. Para se të nisej, ai tha: "Kur shoh një fëmijë palestinez - një djalë, një vajzë - të nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, më dhemb në zemër, po aq sa kur shoh një fëmijë nga Izraeli apo kudo tjetër".

Izraeli ka bërë shumë luftëra në 30 vitet e fundit. Nuk mbahet mend që një administratë amerikane të ketë deklaruar kaq publikisht se Izraeli duhet të respektojë ligjet e luftës. Vizita e Blinken sugjeron se ai beson se Izraeli nuk po ndjek këshillën e Bidenit.

3.

Diçka tjetër që dimë me siguri është se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është nën presion të madh.

Ndryshe nga shefat e sigurisë dhe ushtrisë së Izraelit, ai nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi personale për dështimin e madh më 7 tetor, që lanë pothuajse të pambrojtur komunitetet kufitare izraelite përballë Hamasit.

Të dielën e kaluar, më 29 tetor, ai shkaktoi bujë kur shkroi një postim në Twitter, duke fajësuar agjencitë e inteligjencës. Netanyahu e fshiu mesazhin dhe kërkoi falje.

BBC: Pse pushtimi i Gazës nga Netanyahu është i gabuar
Gaza 6

Tre izraelitë, një ish-negociator i paqes, ish-kreu i Shin Bet (agjencia e brendshme e inteligjencës izraelite) dhe një sipërmarrës teknologjik, shkruan një artikull në revistën Foreign Affairs, duke thënë se Netanyahu nuk duhet të merret personalisht me çështjen e luftës. Kryeministri izraelit ka mbështetës besnikë, por ai ka humbur besimin e figurave të shquara në strukturat ushtarake dhe të sigurisë izraelite.

4.

Është gjithashtu e qartë se status quo-ja e vjetër është shkatërruar. Situata ishte e pakëndshme dhe e rrezikshme, por dukej se kishte njëfarë stabiliteti të zymtë. Që nga fundi i kryengritjes së fundit palestineze rreth vitit 2005 është shfaqur një model, që Netanyahu besonte se mund të mbahej pafundësisht në mënyrë të qetë. Ky ishte një iluzion i rrezikshëm, për të gjithë palët- palestinezët dhe izraelitët.

Argumenti ishte se palestinezët nuk ishin më një kërcënim për Izraelin. Në vend të kësaj, ato konsideroheshin një problem për t'u menaxhuar. Mjetet e disponueshme izraelite përfshinë shkopinj dhe taktikën e lashtë "përça dhe sundo".

Netanyahu, i cili ka qenë kryeministër shumicën e kohës që nga viti 2009 - pas një periudhe të mëparshme në pushtet midis viteve 1996 dhe 1999 - ka argumentuar vazhdimisht se Izraeli nuk ka një partner për paqen.

Potencialisht, një partner u bë. Autoriteti Palestinez (PA), i cili është rivali kryesor i Hamasit, është një organizatë thellësisht me probleme dhe shumë që e mbështesin atë besojnë se presidenti i saj prej shumë kohësh Mahmoud Abbas duhet të tërhiqet. AP pranoi idenë e krijimit të një shteti palestinez përkrah Izraelit në vitet 1990.

Noam Tibon, gjenerali në pension që luftoi në Kibuc, Nahal Oz, e krahason Netanyahun me Neville Chamberlain, kryeministrin britanik i cili u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 1940 dhe u zëvendësua nga Uinston Churchill.

Tibon tha se Izraeli dështoi më 7 tetor dhe përgjegjësi për atë sulm duhet të mbajë dhe Netanyahu. "Ky është dështimi më i madh në historinë e shtetit të Izraelit. Ishte një dështim ushtarak. Ishte një dështim i inteligjencës. Dhe ishte dështimi i qeverisë. Netanyahu dhe qeveria kanë faj dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi. Ai është në krye të dështimit më të madh në historinë e Izraelit", shton gjenerali.

"Përça dhe sundo" për Netanyahun nënkuptonte lejimin e Hamasit të kishte fuqinë e tij në Gaza në kurriz të Autoritetit Palestinez.

Ndërsa kryeministri më jetëgjatë i Izraelit është gjithmonë i kujdesshëm për atë që thotë në publik, veprimet e tij gjatë shumë viteve tregojnë se ai nuk dëshiron të lejojë që palestinezët të kenë një shtet të pavarur. Kjo do të përfshinte humbjen e rajonit të Bregut Perëndimor, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, që djathtistët izraelitë besojnë se i përket hebrenjve.

Deklaratat e Netanyahut do të vërtetoheshin më vonë. Në vitin 2019, një numër burimesh izraelite thonë se ai i tha një grupi të anëtarëve të tij të parlamentit Likud se nëse ata kundërshtojnë një shtet palestinez, ata duhet të mbështesin skemat për të derdhur para - kryesisht të siguruara nga Katari - në Gaza. Ai u tha deputetëve se thellimi i ndarjes midis Hamasit në Gaza dhe Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor do ta bënte të pamundur krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës.

5.

Është gjithashtu e qartë se Izraeli, i mbështetur nga amerikanët, nuk do të tolerojë një marrëveshje që lejon Hamasin të qëndrojë në pushtet. Kjo nënkupton më shumë gjakderdhje. Gjithashtu ngre pikëpyetje të mëdha se kush e zëvendëson Hamasin në Gaza nëse organizata bie nga pushteti. Kjo pyetje ende nuk ka marrë përgjigje.

Konflikti midis arabëve dhe hebrenjve për kontrollin e tokës midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe ka zgjatur për më shumë se 100 vjet. Ajo që mëson historia është se zgjidhja ushtarake nuk të çon gjëkundi.

Në vitet 1990, procesi i paqes në Oslo u krijua në përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit, duke krijuar një shtet palestinez me një kryeqytet në Jerusalemin Lindor, së bashku me Izraelin. Përpjekja e fundit për zgjidhje, pas shumë vitesh negociatash, ndodhi gjatë administratës së Obamës. Negociatat dështuan një dekadë më parë, dhe që atëherë konflikti vazhdon të jetë i acaruar.

Siç kanë thënë presidenti Biden dhe shumë të tjerë, e vetmja mundësi e mundshme për të shmangur më shumë luftëra është krijimi i një shteti palestinez përkrah Izraelit. Kjo nuk do të jetë e mundur me liderët aktualë të asnjërës palë. Ekstremistët, si izraelitë ashtu edhe palestinezë, do të bënin gjithçka që mundeshin për ta zhdukur këtë ide, siç kanë bërë që nga vitet 1990. Disa prej tyre besojnë se po ndjekin vullnetin e Zotit, gjë që e bën të pamundur t'i bindë ata të pranojnë një kompromis laik.

Por nëse ky konflikt nuk shkakton një tronditje aq të madhe sa të besojnë se zgjidhja më e mirë është krijimi i dy shteteve, asgjë nuk pritet të ndodhë. Dhe nëse asgjë nuk merr fund me marrëveshje, më shumë breza palestinezësh dhe izraelitësh do të dënohen me më shumë luftëra./BBC - Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB