
SHBA – Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai kinez Xi Jinping zhvilluan takime këtë të mërkurë, që rezultoi me marrëveshje për disa çështje kyçe.
"Unë besoj se këto janë disa nga diskutimet më konstruktive dhe produktive që kemi pasur," tha Presidenti Biden pas takimit. "Ne kemi bërë një përparim të rëndësishëm", shtoi ai.
Presidenti Xi më herët pranoi se marrëdhëniet SHBA-Kinë kurrë nuk kanë qenë të qeta. Pas takimit ai shtoi se dera e bisedimeve mes dy superfuqive nuk mund të mbyllet sërish.
Më poshtë përshkruhen pesë gjëra që mësuam nga bisedimet e tyre në Kaliforni.
1) Kishte një marrëveshje bazë për klimën
Të dy vendet, të cilat janë emetuesit më të mëdhenj të karbonit në botë, ranë dakord për masa të mëtejshme për të trajtuar ndryshimet klimatike, por nuk u angazhuan për t'i dhënë fund përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Ata premtuan të bashkëpunojnë për të ngadalësuar emetimet e metanit - një gaz veçanërisht i fuqishëm serrë - dhe të mbështesin përpjekjet globale për të trefishuar energjinë e rinovueshme deri në vitin 2030.
Ekspertët i thanë BBC-së se këto janë zhvillime të rëndësishme përpara një konference të madhe për ndryshimet klimatike, COP28, në Dubai më vonë këtë muaj.
"Janë hapa të vegjël, por të rëndësishëm për ndryshimin e klimës," tha Bernice Lee, një eksperte për Kinën dhe një bashkëpunëtore në Chatham House, një institut kërkimor në Mbretërinë e Bashkuar.
David Uaskou, nga Instituti i Burimeve Botërore, e quajti marrëveshjen e metanit një hap të madh.
"Kina është emetuesi më i madh i metanit në botë dhe veprimet serioze për të frenuar këtë gaz janë thelbësore për ngadalësimin e ngrohjes globale në një afat të shkurtër," tha Uaskou.
2) Ata ranë dakord të trajtonin trafikun e fentanilit
Të dy palët thanë se do të bashkëpunonin për të luftuar trafikun e drogës dhe Kina ra dakord të godiste kompanitë kimike në mënyrë që të frenonte valën e fentanilit të paligjshëm në SHBA, e cila ka kontribuar në një rritje të vdekjeve nga mbidoza.
Opioidi i fuqishëm sintetik luajti një rol të madh, në rreth 75,000 vdekje në SHBA vitin e kaluar. Kompanitë e prodhimit kinez janë një burim jo vetëm i vetë ilaçit, por edhe i kimikateve pararendëse, që mund të kombinohen për ta prodhuar atë.
Vanda Felbab-Broun, një eksperte për krimin e organizuar ndërkombëtar në Institutin Brookings, tha se marrëveshja ishte një deklaratë diplomatike dhe politike, por ndikimi i saj i vërtetë është ende një pikëpyetje.
“Mbetet për t’u parë se si do të shkojë Kina pas këtyre kompanive”, tha ajo. "A do të shkojë pas tre prej tyre? Pesë? Pesëdhjetë?"
Ajo tha se beson se Kina ndoshta do të vazhdojë të përdorë bashkëpunimin kundër narkotikëve si një mjet negocimi dhe një instrument për të kryer diplomaci më të gjerë.
Kina ka kufizuar dërgesat direkte në SHBA, që do të thotë se shumica e tregtisë ilegale është zhvendosur në rrugët përmes Meksikës. Zyrtarët amerikanë thonë se Kina nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar trafikimin, ndërsa Pekini kundërshton faktin se epidemia e opioideve në SHBA është një faji i Amerikës.
3) Pas një periudhe të tensionuar, komunikimi ushtarak do të rifillojë.
Të dy vendet ranë dakord gjithashtu të rifillojnë komunikimin ushtarak– një hap që ishte me rëndësi në listën e dëshirave të amerikanëve.
Lidhjet ushtarake u ndërprenë nga Kina vitin e kaluar pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin.
Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej pasi një tullumbace e dyshuar spiune kineze notoi në të gjithë SHBA-në kontinentale në fillim të këtij viti, përpara se të rrëzohej mbi Oqeanin Atlantik.
"Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik mbanin gjithmonë komunikim ushtarak me ushtrinë për të shmangur çdo incident ose keqkuptim, që mund të shkaktonte një luftë midis fuqive bërthamore," tha Mick Mulroy, një ish-zëvendës ndihmës sekretar i SHBA-së.
Korrespondenti i BBC për Amerikën e Veriut, John Suduorth - i cili raportoi nga Kina për një dekadë - thekson se kishte tashmë shenja të një shkrirjeje përpara takimit të së mërkurës.
Javën e kaluar, për shembull, për herë të parë në vite, të dyja palët u takuan në Uashington për diskutime rreth arsenalit të tyre bërthamor.
Të dy presidentët patën gjithashtu diskutime thelbësore për Tajvanin të mërkurën. Xi i tha homologut të tij amerikan se ai duhet të ndalojë armatosjen e Tajvanit dhe se ribashkimi i Kinës me ishullin ishte i pandalshëm, sipas ministrisë së jashtme të Kinës. Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se qasja amerikane ndaj çështjes nuk do të ndryshojë.
4) Bisedimet do të vazhdojnë
Ndërsa kishte disa pika specifike marrëveshjeje, thjesht fakti që një takim ndodhi - dhe që zoti Biden dhe z. Xi shtrënguan duart - është një shenjë pozitive, sipas redaktores së BBC-së për Amerikën e Veriut, Sarah Smith.
Të kesh dy nga presidentët më të fuqishëm në botë që flasin me njëri-tjetrin është një arritje diplomatike në vetvete. Nëse ata mund të bien dakord për të mbajtur kontakte, atëherë vetëm kjo mund të konsiderohet një sukses.
Ndërsa takimi filloi, Biden i tha Xi: "Unë e vlerësoj bisedën tonë sepse mendoj se është thelbësore që ju dhe mua, të kuptojmë njëri-tjetrin në mënyrë të qartë, pa keqkuptime apo keqkomunikim".
Udhëheqësi kinez ra dakord. “Konflikti dhe konfrontimi ka pasoja të padurueshme për të dyja palët”, tha ai.
Dy vendet janë ende shumë larg njëri-tjetrit për shumë çështje. Ndonëse qasja për të mos rënë dakord në mënyrë paqësore është një fillim, disa vëzhgues paralajmëruan parashikimeve jo tepër optimiste.
"Katër muajt e fundit kanë parë një përmirësim vërtet të jashtëzakonshëm në komunikimet midis Uashingtonit dhe Pekinit. Urojmë që kjo të vijojë, por mund të ketë dhe problematika" tha Dimitar Gueorguiev, drejtor i studimeve kineze në Universitetin e Sirakuzës.
5) Dërgimi i pandave të bardha në SHBA
Pas takimit, Xi la të kuptohet se Pekini është i hapur për të dërguar më shumë panda në kopshtet zoologjike amerikane.
Kina - ku arinjtë e bardhë shihen si një "thesar kombëtar" - ka përdorur për dekada të tëra të ashtuquajturën ‘diplomacia panda’ për të ndihmuar në nxitjen e marrëdhënieve me vendet e tjera.
"Pandat kanë qenë prej kohësh të dërguar për të dëshmuar miqësinë midis popullit kinez dhe amerikan", tha zoti Xi para një auditori të udhëheqësve të biznesit në një darkë të mërkurën mbrëma.
Pas 23 vitesh në Kopshtin Zoologjik Kombëtar në Uashington DC, tre panda gjigante u kthyen në Kinë këtë muaj. Arinjtë e kopshtit zoologjik të Atlantës – 4 që kanë mbetur në vend - do të kthehen në fillim të vitit 2024.
"Më thanë se shumë amerikanë, veçanërisht fëmijët, ngurronin t'u thoshin lamtumirë pandave dhe shkuan në kopshtin zoologjik për t’ju dhënë lamtumirën", tha Xi për arinjtë.
Udhëheqësi kinez tha se Pekini ishte gati të vazhdonte bashkëpunimin e tij me SHBA-në për transferimin e pandave, megjithëse nuk ofroi një afat kohor. Por, ai sugjeroi që arinjtë mund të dërgoheshin në kopshtin zoologjik të San Diegos./BBC - Zëri.ai/