Qeveria ka miratuar në programin qeverisës 2021-2025, zero shkallë tatimore për bizneset me xhiro deri në 14 milion lekë. Format e organizimit të bizneseve mund të jenë të ndryshme: persona fizikë, juridikë, shoqëri aksionere ose me përgjegjësi të kufizuar. Por parimi i taksimit mbetet i njëjtë: tatoj në bazë të fitimit. Dhe sipas premtimit të bërë në fushatën e vitit 2021, por dhe të angazhimit të marrë në programin qeverisës, shkruhet e zezë në të bardhë se 105 mijë biznese do të kenë taksën e fitimit zero. Përfshirja në këtë skemë e 29 mijë sipërmarrësve që konsiderohen profesione të lira, jo vetëm bie ndesh me premtimin e bërë në fushatë, por i vendos ata në pozita diskriminuese me bizneset e tjerë.
Nëse një biznes mallrash nuk kalon pragun 14 milion lekë xhiro në vit (140 mijë euro) nuk tatohet, por nëse një avokat ka një xhiro 3 milion lekë në vit (30 mijë euro) tatohet me 15% të fitimit. Kjo jo vetëm është e padrejtë, por do të nxitë informalitetin dhe paligjshmërinë.
I padrejtë ishte sot dhe krahasimi që Ministri i Financave u bëri profesioneve të lira me pronarët e bankave. Pikësëpari, ministri duhet ta dijë që të ardhurat nuk janë i njëjti koncept me fitimin. Nëse profesionet e lira kanë arkëtuar 850 milion euro të ardhura, nuk mund të thuhet që bankat kanë gjeneruar 280 milion euro fitime. Bankat vitin e shkuar kanë arkëtuar 1 miliard euro të ardhura dhe fitimi mesatar për 1 bankë ishte 25.4 milion euro. Profesionet e lira, sikur të 850 milion eurot t’i kishin fitime (pa llogaritur asnjë shpenzim për aktivitetin e tyre), u takon të kenë marrë 29 mijë euro për nipt, ose 2440 euro në muaj! Tani me ligjin e ri të dyja kategoritë do të kenë të njëjtën shkallë tatimore.
Ndërkohë Mete tha se ligji është përpunuar nga ekspertët më të mirë dhe se sjell standarte ndëkombëtare në sistemin tonë tatimor.
Ervin Mete: Tej pozicionemeve politike, taksimi i profesionistëve që ofrojnë shërbime apo i të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime profesionale vendos më tepër drejtësi e ndershmëri në sistem sepse në thelb ai është taksim i të ardhurave nga punësimi dhe qoftë me standard e qoftë me parime të ardhurat e një kategorie të caktuar pavarësisht nga forma juridike si i punësuar, apo si i vetëpunësuar duhet të ketë një tatim në mos të njëllojtë, të ngjashëm. Ligji i ri sjell standarte nderkombetare ne sistemin tone tatimor, eshte perpunuar nga ekspertet me te mire.
Që taksa zero për bizneset ishte një utopi u kuptua që kur u propozua, që diferencimi me shkallë dhe progresiviteti e bënë sistemin tatimor plot me çarje edhe kjo u kuptua para shumë vitesh. Ndaj do të ishte mirë të kërkohej falje për çfarë është bërë deri më sot, të korrigjojnë sistemin dhe të mos krahasojnë të vetëpunësuarit me bankierët!