
GAZA - Pretendimet dhe mohimet për një armëpushim të mundshëm në Gaza vazhdojnë. Disa raporte i referohen një pauze tre-ditore në luftime, ndërsa të tjera e zgjasin armëpushimin në pesë ditë të plota. Megjithatë, të tjerë pretendojnë se armëpushimi mund të fillojë menjëherë. Dhe kështu me radhë, në shesh po dalin shumë versione.
Edhe deklaratat nga goja e liderëve ndryshojnë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi raportin e publikuar nga The Uashington Post të shtunën, se një marrëveshje ishte arritur; një përfaqësues i Shteteve të Bashkuara konfirmoi se bisedimet po vazhdonin, por pritej ende një përparim.
Të dielën, kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani njoftoi në Doha se dallimet midis Hamasit dhe Izraelit ishin shumë të pakta. Katari ka qenë një vend kyç në përpjekjet ndërmjetësuese në luftë, duke përfshirë lirimin e robërve izraelitë.
I fundit që foli për këtë temë ishte lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili të martën i tha agjencisë së lajmeve Reuters se palët janë afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi. Një zyrtar tjetër i Hamasit i tha Al Jazeera-s se negociatat u përqëndruan në kohëzgjatjen e armëpushimit, detajet e dërgimit të ndihmës në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve.
Ku ka tym, ka zjarr. Me shumicën e palëve të përfshira në kërkim të ndalimit të përkohshëm të masakrës në Gaza, duhet shpresuar për pushimin e përkohshëm. Është gjithashtu e kujdesshme të shqyrtohet pse dy palët ndërluftuese po konsiderojnë një armëpushim. Ndërsa nga një pauzë e tillë do të përfitonte politikisht Hamasi, ushtarakisht duket se nuk ka asnjë përfitim të dukshëm. Për Izraelin, nga ana tjetër, ndërprerja e luftës mund të jetë e dobishme nga pikëpamja ushtarake dhe e pafavorshme nga pikëpamja politike.
Makineria luftarake izraelite ka punuar me fuqi të plotë për gjashtë javë me armët ‘në ajër’ dhe tre javë ‘me armët në tokë’ në Gaza. Që nga sulmet e Hamasit, bombardimet ajrore të Izraelit kanë vazhduar me një ritëm çuditërisht të lartë. Ishte e qartë që në ditën e parë se qëllimi kryesor i një goditjeje të tillë të pamëshirshme ndaj objektivave civile palestineze nuk ishte ushtarak. Fillimisht, shumë analistë besonin se sulmet ajrore intensive shërbenin për t'i demonstruar popullatës izraelite se forcat e armatosura po bënin diçka dhe se bombardimet do të lehtësoheshin sapo të hynin forcat tokësore. Edhe një vend që mburret me gatishmërinë e tij për luftë duhet të mbajë rezerva të konsiderueshme armësh dhe municionesh.
Omar Bradley, një gjeneral i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, dikur tha se amatorët flasin strategjinë, profesionistët flasin logjistikën. Komandantët izraelitë mund të jenë të etur të vazhdojnë të godasin Gazën, sido që të shkojë, por skuadra e pasme i ka bërë llogaritë dhe nuk i pëlqen rezultati. Ka raporte të besueshme se Forcave Ajrore Izraelite (IAF) po i mbarojnë bombat inteligjente. Është gjithmonë e vështirë të gjykosh besueshmërinë e akuzave në çështjet ushtarake. Ndonjëherë një oficer që është i zhgënjyer me anën e tij – veçanërisht kur lufton jashtë kufijve të tij ose shkakton humbje të rënda civile – do të nxjerrë në mënyrë anonime detaje thelbësore. Disa forume të specializuara në internet pohojnë se IDF, pasi ka shpenzuar më shumë se 2500 bomba inteligjente të municioneve të përbashkëta të sulmit të drejtpërdrejtë (JDAM) mbi Gaza, ka rezerva dhe për 10 ditë bombardime e jo më tepër.
Çdo ushtri sheh me kujdes sesa municion duhet të mbetet rezervë, për raste urgjente. Shifrat e sakta janë një sekret, por Izraeli mund të jetë në krizë për armatime. Artikujt e specializuar ushtarakë mund të blihen për të mbushur boshllëqet. Në vitin 1973, kur Izraeli ishte në prag të mbarimit të rezervave duke luftuar me Sirinë, Egjiptin dhe aleatët e tyre arabë, SHBA-ja nisi "Operacionin Nickel Grass", transporti ajror më i madh ushtarak në histori. Forcat Ajrore të SHBA dërgonin pothuajse 1,000 ton armë dhe municione në Izrael në ditë, për një total prej më shumë se 22,000 ton.
Kjo po përsëritet tani, edhe pse në një shkallë më të vogël. Për dy javët e fundit, transportuesit amerikanë C-17 kanë zbritur rregullisht armatim në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv dhe në bazën ajrore Nevatim në shkretëtirën Negev. Shumica e avionëve fluturojnë nga baza ajrore Ramstein në Gjermani, ku SHBA ka magazina plot me "stoqe të paravendosura" - pajisje të caktuara për emergjencat ushtarake. Nuk ka dyshim se furnizimet më të rënda dhe më pak urgjente po dërgohen në Izrael nga deti. Midis tyre me siguri do të ketë raketa rimbushëse për versionin e gjurmuar të sistemeve të raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), sistemi i raketave M270 (MLRS), që u përdor shumë në Gaza.
Në tetor, SHBA lëshoi raketat e veta për sistemin e mbrojtjes ajrore Iron Dome në Izrael. Përgjigja e Izraelit ndaj sulmeve fillestare të rënda me raketa të Hamasit dhe sulmeve nga Hezbollahu dhe Houthis i kishte varfëruar rezervat e Izraelit në një nivel kaq alarmues, saqë ai kërkoi të gjitha raketat përgjuese Tamir, që SHBA kishte blerë dhe mbajtur në Izrael deri në dislokim.
Forcat izraelite do të mirëprisnin gjithashtu një ndërprerje në luftime për të vlerësuar taktikat e saj deri më tani pasi shohin performancën në luftimet kundër tuneleve të Hamasit. Siç kanë paralajmëruar shumë analistë, pavarësisht qenve, robotëve, radarëve që depërtojnë në tokë dhe teknologjive të tjera, tunelet mund të shkatërrohen vetëm pasi ushtarët të hyjnë brenda. Kjo është një detyrë e përgjakshme, siç u dëshmua javën e kaluar kur katër komando u vranë nga një mjet shpërthyes i improvizuar, pasi hapën një kapak tuneli. Disa ditë më parë, një oficer izraelit i paidentifikuar duke informuar gazetarët e përfshirë me forcat izraelite, pranoi: "Ne nuk duam të zbresim atje. Ne e dimë se ka shumë rrezik”. E përjavshmja me bazë në Londër, The Jeuish Chronicle, raportoi më 16 nëntor se urdhrat e përhershëm ishin të qarta: "Askush nuk lejohet të hyjë në një tunel".
Forcat izraelite duhet gjithashtu të shqyrtojnë efektivitetin e trajnimit të tyre të supozuar të sofistikuar dhe të specializuar në simulatorët e qytetit të Gazës. Disa nga supozimet e simulimit të bazuara në pushtimet e vitit 2009 dhe 2014 në Gaza janë provuar se janë të pazbatueshme në vitin 2023. Gjithashtu do të duhet të analizojë pse kaq shumë tanke Merkava, që besohet se janë pothuajse të pathyeshme, ishin të paaftë. Raportet e besueshme tregojnë se deri në 30 tanke janë shkatërruar ose janë shumë të dëmtuara e nuk përdoren dot.
Ndërsa ushtria do të mirëpriste tre ose pesë ditë pushim - por me siguri nuk do ta pranonte - politikanët do ta shihnin qartë armëpushimin si humbjen e tyre. Netanyahu dhe vartësit e tij kanë qenë të vendosur kundër çdo pauze, kështu që nëse e pranojnë pushimin tani, publiku do ta shohë atë si dobësi të tyre, pavarësisht se ata përpiqen të justifikojnë përkuljen ndaj presionit ndërkombëtar. Fakti që presidenti i SHBA Joe Biden, me sa duket aleati më i afërt i Izraelit, ka thënë dhe vetë se duhet një armëpushim, duket jusitifkim i mirë për ta arritur atë.
Nëse respektohet periudha e rënë dakord pa luftime, që është gjithmonë një rrezik i madh, politikanët izraelitë do të përballen me presion të ri në fund të saj; opinioni mund të pyesë: "Nëse operacioni në Gaza ishte një sukses, pse nuk e zgjasni atë?". Makthi më i madh i Netanyahut do të ishte të arrinte në një pike, ku ai, jo vetëm që nuk arriti të shkatërronte Hamasin, por de facto e njohu atë duke negociuar, qoftë edhe në mënyrë indirekte. Ajo që mendojnë para se gjithash politikanët izraelitë, me siguri është posti i tyre./Al Jazeera- Zëri.ai/