Opinione

Kur do flasim për punëtorët e turizmit?

Problemet e këtyre punëtorëve me kohë të pjesshme nuk mbarojnë me strehimin. Shumë syresh paguhen nën dorë, tërësisht ose pjesërisht.

Arlind Qori
Kur do flasim për punëtorët e turizmit?
Foto ilustruese

Ka njerëz që mendojnë se rrahja e djaloshit kamerier në Vlorë nga një çnjeri i veshur me pushtet dhe uniformë u shpagua nga rrahja e këtij të fundit nga pronari i hotelit ku punonte djali. (Ironikisht edhe pronari i njohur një vit më parë si rrahës i një banori që ankohej për zaptimin e plazhit). Gjithsesi dhunimi i të drejtave të punëtorëve, veçanërisht në sektorin e turizmit, është një fenomen shumë më i gjerë se ngjarja e djeshme.

Sipas llogaritjeve të fundit zyrtare (viti 2023), numri i të punësuarve drejtpërdrejt në sektorin e turizmit është 42.698. Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2025 është optimiste se ky numër do të arrijë në 73.778 në vitin 2030. Për të kuptuar se si kryeministri e lëshon fjalën më lehtë se lopa ..., duhet sjellë ndër mend parashikimi i tij i bërë në vitin 2018 se në vitin 2028 në sektorin e turizmit do të punësoheshin 250.000 vetë.

Në vetvete, shifra e 42.698 të punësuarve nuk është shumë e lartë. Për krahasim, sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve 2023, në sektorin e ndërtimit ishin të punësuar 58.185 vetë, kurse në industrinë përpunuese 103.527 vetë. Çka e bën turizmin sektor të veçantë ka të bëjë me informalitetin e lartë në punë. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare për informalitetin në punë në turizëm, ky sektor dhe ai i bujqësisë njihen për shkallën e lartë të informalitetit. Në rang ekonomie informaliteti në punë shkon në 44.5%, çka të bën ta mendosh më të lartë numrin e të punësuarve realë në këtë sektor.

Arsyeja kryesore e informalitetit është karakteri sezonal i punës në pjesën më të madhe të sipërmarrjeve turistike. Të punësuarit janë kryesisht të rinj të moshës së gjimnazit dhe universitetit. Ata rekrutohen për 2-3 muaj gjatë pikut të sezonit turistik, herë me kontratë e herë pa kontratë pune. Meqenëse shumë syresh vijnë nga zona të largëta, punëmarrësit u sigurojnë njëfarë çatie mbi kokë, zakonisht një dhomë të ngushtë që strehon disa punëtorë në kushte fare pak të durueshme (për të folur me eufemizëm).

Problemet e këtyre punëtorëve me kohë të pjesshme nuk mbarojnë me strehimin. Shumë syresh paguhen nën dorë, tërësisht ose pjesërisht. Detyrimet bazike të Kodit të Punës – si p.sh. domosdoshmëria për të pasur të paktën 36 orë pushim në javë ku e diela është tërësisht pushim (neni 85), moskryerja e më shumë se 48 orëve punë në javë (neni 90), pagesa e orëve shtesë nga 25% deri në 50% (neni 91), barazia në të drejta me punëtorët me kohë të plotë (neni 149/1) etj. – në një pjesë të konsiderueshme të këtij sektori janë lehtësisht të shkelshme. Sidomos në pikun e sezonit dhe në plazhe, vajza dhe djem të rinj punojnë mbi 12 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. Fakti që paga, rëndom nën dorë, është më e lartë në fund të muajit krahasuar me pagat në disa sektorë të tjerë të ekonomisë, nuk është arritje për punëtorët pasi për atë pagë ata kanë punuar të paktën 50% më shumë orë se punëtorët e tjerë.

Këto padrejtësi bëhen edhe më të padurueshme kur mendon se të ardhurat dhe fitimet në sektorin e turizmit janë në rritje. 4.16 miliardë euro llogariteshin në vitin 2023 (6,7 miliardë euro parashikohen deri në vitin 2030), ndërkohë që norma e fitimit shkonte në 18%, mjaft më e lartë se mesatarja e ekonomisë shqiptare. Pra ndonëse fitohet shumë, punëtorët nuk marrin kujdesin e merituar për punën që bëjnë.
Pavarësisht pozave që herë pas here merr Rama, kushtet e punës në këtë sektor janë thellësisht problematike. Kur nuk të rreh polici, ka raste kur të dhunon psikologjikisht pronari. Edhe në ardhshin ndonjëherë inspektorët e punës, ata nuk kanë për qëllim evidentimin e shkeljeve në vendin e punës, por marrjen e ryshfetit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe në një vend që qeveriset nga një njeri i cili mburret se në Shqipëri nuk ka sindikata, i përçmon punëtorët shqiptarë si dembelë e bjerraditës dhe ka ngritur një administratë publike të korruptuar e klienteliste.

Sidoqoftë, fakti që sektori është në rritje i fuqizon potencialisht punëtorët e turizmit. Pa ta, pa punën e tyre të stërmundimshme, askush nuk mund të fitojë asgjë. Prandaj është jetike rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat në punë dhe nisja e një lëvizjeje të madhe shoqërore që synon organizimin e punëtorëve – në turizëm dhe çdo sektor tjetër të ekonomisë. Pa organizim nuk ka të drejta. Pa të drejta, bukën e sotme mund ta humbësh nesër.

Poll

MOS HUMB