Nga Bajram Muça
“E keqja triumfon vetëm kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë.”— Edmund Burke
Në një vend ku për dekada të tëra korrupsioni ka qenë një mënyrë jetese, drejtësia e vërtetë nuk vjen pa dhimbje. Nuk vjen pa frikë. Dhe nuk vjen pa kundërshtarë. Sot, ajo që po ndodh me SPAK-un dhe drejtuesin e saj, Altin Dumani, nuk është thjesht një përplasje institucionale. Është beteja vendimtare mes të mirës dhe të keqes. Dhe është beteja jonë si shoqëri.
Një makineri e tërë propagande, e financuar me paratë e pista të drogës, kontratave publike dhe pasurive të vjedhura, është vënë në lëvizje për të rrëzuar një institucion që ka guxuar të prekë të paprekshmit. Kjo makineri nuk ka kursyer asgjë: as të vërtetën, as moralin, as drejtësinë. Me një koordinim kirurgjik, përmes portaleve të blera, opinionistëve të paguar dhe analistëve që nuk analizojnë, por shpifin, është vënë në shënjestër një dorë e vogël prokurorësh dhe hetuesish që po i japin kuptim shpresës së qytetarëve për drejtësi të vërtetë.
Altin Dumani nuk është në luftë personale me askënd. Ai është në vijën e parë të frontit për një Shqipëri më të ndershme, për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin, por kjo nuk është vetëm deryrë e tij. Ai dhe SPAK-u nuk po sulmohen për ato që kanë bërë, por për ato që guxuan të bëjnë: të arrestojnë politikanë të rangut të lartë, ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra në detyrë, kryebashkiakë, gjyqtarë dhe bosë të krimit. Sepse për herë të parë, frika ka ndërruar kah: më shumë tremben të korruptuarit sesa qytetarët e ndershëm.
Por kjo betejë, për fat të keq, po zhvillohet në një heshtje të frikshme. Shoqëria civile, akademikët, gazetarët e ndershëm, qytetarët që përditë vuajnë padrejtësinë – heshtin. Dhe kjo heshtje është më e rrezikshme se çdo portal i paguar. Sepse legjitimon sabotimin. Sepse përforcon ndjesinë se drejtësia është vetëm çështje e disa “të guximshmëve”, jo e të gjithëve.
Heshtja nuk është neutralitet. Heshtja është zgjedhje. Dhe kur zgjedh të heshtësh, kur dikush po lufton për të gjithë, je bërë palë me krimin.
Të mos harrojmë: përballë SPAK-ut sot nuk qëndrojnë më vetëm disa politikanë të korruptuar. Është një bosht i tërë i së keqes. Politikanë që kanë ndërtuar vila dhe pasuri mbi djersën e qytetarëve; kriminelë që kanë financuar fushata, blerë vota dhe marrë pushtetin në ortakëri; media që nuk raportojnë, por maskojnë, që nuk informojnë, por shpifin – për para.
Fijet që i lidhin këta janë të padukshme, por të fuqishme: para droge, para publike, tendera të manipuluar, kontrata fiktive, propagandë e paguar. Dhe sot, objektivi kryesor i këtij sistemi është një: të shkatërrohet besimi i qytetarëve te drejtësia, të personalizohet lufta, të demonizohet Altin Dumani me një trupë 20 prokurorë – në mënyrë që të rrëzohet SPAK-u si institucion.
Rasti i fundit i arrestimit të Erion Veliajt është shembulli klasik i këtij sabotimi të koordinuar. Të gjithë komponentët e boshtit të së keqes – politikanë të korruptuar, segmente të krimit të organizuar dhe media të paguara – u bënë grusht kundër një strukture drejtësie që guxoi të veprojë. Protesta e qindra punonjësve të bashkisë përpara godinës së SPAK-ut, organizuar me paratë e taksapaguesve, është një dëshmi e turpshme se si krimi dhe politika janë bërë një për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo nuk ishte protestë qytetare – ishte një akt i mirëkoordinuar presioni mbi drejtësinë. Por nuk është më pak sulmi i përditshëm dhe boloritë e Sali Berishës dhe Ilir Metës me enturazhin e tyre të përdalë që e kanë bërë SPAK-un bukë e djathë përditë.
E kuptojmë apo jo, kjo është një strategji klasike sabotimi institucional. Dhe nëse ajo funksionon, Shqipëria nuk do të shkojë drejt Europës, por drejt një spiraleje autodestruktive, ku shpresa për shtet ligjor do të shuhet bashkë me SPAK-un. Nëse sot nuk ngrihemi për të mbrojtur drejtësinë, nesër do jetë tepër vonë për të kërkuar drejtësi. Sot, nuk mjafton më të thuash “jemi me drejtësinë”. Të jesh me drejtësinë sot, do të thotë të flasësh kur sulmohet. Të mbrosh kur shpifet. Të dënosh kur manipulimi bëhet normë.
Të jesh me SPAK-un sot do të thotë: të mos e lësh Altin Dumanin me kolegët e tij vetëm në përballjen me një sistem të tërë të kalbur; të denoncosh portale që shpifin dhe analistë që marrin pagesa për të mbrojtur të korruptuarit; të thuash të vërtetën, edhe kur ajo është e rrezikshme për status quo-në. Sepse nesër, kur drejtësia të mos ekzistojë më, nuk do të ketë as media të lira, as qytete të sigurta, as ekonomi të ndershme. Do të mbetet vetëm frika. Dhe më pas, emigrimi. Ikja. Dorëzimi.
Nëse SPAK-u bie, Shqipëria bie. Nëse Altin Dumani ( si personifikim i trupës së prokurorëve) rrëzohet nga sulmet, nuk rrëzohet vetëm një prokuror – rrëzohet një shpresë.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar,” tha Martin Luther King. Në Shqipëri, po rrezikojmë që drejtësia të mos jetë thjesht e vonuar, por e asgjësuar nga braktisja jonë kolektive.
Ndaj sot është koha e së vërtetës. Është koha të zgjohemi si shoqëri. Është koha të dalim nga heshtja. Sepse historia nuk e mban mend kurrë shumicën që heshti. Ajo i mban mend ata që guxuan. Të heshtësh sot, është të jesh në anën e gabuar të historisë. Drejtësia nuk ka nevojë vetëm për prova në sallën e gjyqit – ka nevojë për solidaritet në shoqëri.