Opinione

Shqipëria (nuk) bëhet!

Klasë të re politike me mendësi të vjetër nuk do të dhe nuk mund të ketë.

k.m.
Shqipëria (nuk) bëhet!
Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj

TIRANË- Pas arrestimit të Erion Veliajt, prishja e koalicionit "Shqipëria Bëhet" ishte ngjarja e dytë politike që 'entuziazmoi' shqiptarët. Dukej sikur, ndoshta me njëri-tjetrin, të gjithë e dinin fundin! Dhe s'ka ndjesi më të mirë sesa kur të provohet se ke të drejtë. Koalicioni i lidhur në shkurt të këtij viti bëri bashkë shumë emra të shoqërisë civile por nuk i pati as 3 muaj jetë...

"Ne jemi të rinj, na sprovoni, na jepni votën dhe na lejoni të provojmë veten,"-shumë e shumë fjalë të tjera si këto të përdorura rëndom për retorikë dhe propagandë gjatë fushatës u rrëzuan brenda një nate. Përfundimi ishte shumë i qartë; klasë të re politike me mendësi të vjetër nuk do të dhe nuk mund të ketë. Teksa prej më shumë se një jave zihen tezet dhe dajot e koalicionit, nga majat më të larta të politikës i shohin Sali Berisha dhe Edi Rama. Të dy, me më shumë se 30 vite karrierë kanë bërë gabime të ngjashme, por kanë ditur të tejkalojnë veten. Edhe ata dikur kanë qenë të rinj në politikë, Berisha themeloi partinë e parë pluraliste, ndërsa Rama "vrau" me shumë sukses babanë e tij politik, Fatos Nanon, duke zhbërë trashëgimninë e tij dhe duke vulosur emrin e tij në PS. 

Pavarësisht skandaleve, disfatave, tradhëtive dhe kulisave, ata ia dolën që të qëndrojnë fort mbi dy këmbët e tyre. Të njëjtën rrugë duket se po ndjek edhe Arlind Qorri me Agron Shehajn. Nuk kanë zbuluar asnjë sekret! Përkundrazi! Thjesht u qëndrojnë besnikë idealeve dhe pazarave të tyre, cilado qofshin ato. Ndërkohë dyshja Lapaj-Shabani as kaq nuk ditën ta bënin! Bënë premtime për se nuk do të merrnin mandat, e tani përplasen dhe kafshohen publikisht e mediatiksht sa herë të munden.

Dhe nuk mund të bëjnë askënd me faj nëse mendon: Po të kishin më shumë në dorë, ç'do bënin? 

Askush nuk e di dhe mesa duket më mirë është të mos e dimë, një sprovë mjaftoi për të kuptuar se klasa e re politike, të re ka vetëm moshën. As mendësinë, as integritetin. Në historinë e politikës shqiptare ka pasur shumë koalicione, por më jostabili ishte ai me LSI. Dikur, ishte forca që kalonte sa majtas, sa djathas, sipas interesave. Disi, në inkonsistencën e vetë, të gjithë e pranuan dhe e votuan Ilir Metën. Kjo gjë ka shumë pak gjasa që të ndodhë me "Nismën Shqipëria (Nuk) Bëhet"!

Ata të dy, si Lapaj edhe Shabani, zbuluan se ishin më vetëshkatërrues sa nuk bëhet. Shënuan për herë të parë një parti të re që të merrte mbi 60 mijë vota në nivel kombëtar. Në një sistem tjetër do të merrnin 6 mandate, në një univers tjetër paralal  mund të ishin "king-maker". Tani janë vetëm farefis që zihen. Nëse Berisha, Rama, Shehaj dhe Qorri bashkë, do të merrnin mundimin që të uleshin për ditë me radhë e të mendonin për një mënyrë sesi të eliminonin politikisht këtë forcë politikë, skenar më perfekt se ky nuk do të gjenin. Vështirë shumë! As vetë kundërshtarët e tyre nuk do t'ja dilnin ta bënin më mirë. 

Sot, del një prej tyre dhe me të drejtë kërkon falje dhe thotë "më vjen turp të shoh zgjedhësit në sy". Në fakt, me gjasa, nuk do t'i shohë më ata zgjedhës që të vetmen shpresë kishin të rinjtë për të ndryshuar diçka në vendin që kanë jetuar dhe po kalojnë çdo ditë të jetës së tyre. Aktivisti në fjalë, i njollosur pa të drejtë nga kolegët e tij, mund të kërkojë sërish votën, por tashmë ka një problem. Votuesi i tij nuk është i zhgënjyer, as i tradhëtuar se i ka dhënë votën. Sepse mund të kishte ndodhur që të mos merrnin edhe asnjë mandat. Në këtë rast nuk po flasim për zhgënjim, por për ngërdheshje. Të gjithë janë bërë qesharakë. Sa për krahasim, një etalon matës shumë i mirë është "Luli" se edhe Dash (Daja dhe kecat e tij) Shehi ka pasur më shumë integritet në politikë. 

A merret seriozisht Lul Basha? 

Kështu pra, u mbyll novela që na zgjati disa muaj me të rinjtë revolucionarë që u prishi punë daja dhe tezja. Në historinë e politikës shqiptare ka pasur politikanë që nuk kanë njohur baxhanakët e tyre, por që nuk kontrollojnë dot dajën e tyre, kjo ishte hera e parë që e përjetonim. Por bashkë me çdo të keqe ka edhe një të mirë. 

Lapajn dhe Shabanin duhet t'i falenderojmë! Duhet t'i falenderojmë që në listë nuk kanë futur hallat, se do i ishin marrë mandate edhe vetë Ramës. Mund të themi; ja hodhëm paq!

Ndërkohë, ne që po i shohim, po presim që të ngjiten në skenë aktorë të rinj me skenar ndryshe, sepse ky që po luajnë tani në çdo palë zgjedhje është i lodhur, i përsëritur dhe i neveritshëm. 

Nëse nuk e kuptuan që politika nuk është cirk, por përgjegjësi, atëherë le ta pranojnë, ata nuk janë më shumë se një imitacion i keq i një klase politike që është në krizë të thellë. Në fund, na mbetet vetëm të qeshim apo ndoshta të qajmë me këtë shfaqje që s’ka fund./ZËRI

Poll

MOS HUMB