ITALI- Ne kemi një problem me Amerikën. Në fakt ka më shumë se një problem. Por unë punoj në fushën e udhëtimeve, kështu që përqendrohem në fushën time. Problemi - të cilin e konsideroj serioz dhe, për fat të keq, pa asnjë zgjidhje në horizont - është ky: Turizmi amerikan po rrit çmimet në shumë qytete anembanë botës. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist i Kembrixhit për të kuptuar pse: pavarësisht inflacionit të pakontrolluar që ka dëmtuar fuqinë e tyre blerëse në vitet e fundit, pagat e amerikanëve - veçanërisht të atyre që jetojnë në brigjet perëndimore dhe lindore: po flasim për dhjetëra milionë njerëz - janë dukshëm më të larta se pagat që fitojnë ata që jetojnë në vendet që amerikanët vizitojnë çdo vit.
Ky ndryshim çon në një efekt të njohur si "gjentrifikimi i turizmit": kur turistët nga ekonomitë me të ardhura më të larta, si Shtetet e Bashkuara, dynden në destinacione të caktuara, ata janë të gatshëm të paguajnë çmime më të larta për akomodim, restorante dhe shërbime. Prandaj, operatorët lokalë rrisin çmimet për të maksimizuar fitimet, duke e bërë përvojën të paarritshme ose më pak të përballueshme për turistët nga vendet me të ardhura mesatare më të ulëta dhe, në shumë raste, madje edhe për popullsinë lokale. Gjatë 15 viteve të fundit, kam vizituar 60 shtete dhe kam vënë re se amerikanët janë kudo.
Megjithatë, ata preferojnë destinacione të caktuara: Meksika, Karaibet (Kosta Rika është enklava e tyre), Japonia, Tailanda dhe shumë vende evropiane, duke përfshirë Anglinë, Spanjën, Francën dhe Italinë. Vendi ynë është ndër tre vendet e preferuara të "Yankees": kostoja në rritje e jetesës në qytete si Milano, Roma dhe Venecia - kjo e fundit e monopolizuar së fundmi nga Jeff Bezos dhe gruaja e tij - janë dëshmi e kësaj. Sigurisht, jo të gjithë fajin e kanë turistët amerikanë dhe pagat e tyre. Si gjithmonë, politika është bashkëpunëtori kryesor i mbiturizmit.
Në qytetin ku jetoj unë, në Bolonjë, janë marrë një sërë vendimesh që i kanë mbyllur dyert qytetarëve të zakonshëm dhe i kanë hapur ato për investitorë të pasur, qëllimi i të cilëve është ta bëjnë qytetin më tërheqës, por vetëm për ata që e vizitojnë dhe shpenzojnë për mallra dhe shërbime.
Por le të kthehemi tek ne. Kam frikë se, brenda pak vitesh, një destinacion tjetër - gjeografikisht shumë afër Italisë - do të jetë i destinuar të përfundojë në vapën e shkrirjes së destinacioneve të mbiturizmit. Për ata që nuk e kanë kuptuar, po flas për Shqipërinë. Thashethemet e hershme rreth interesit të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner në ishullin e Sazanit në gjirin e Vlorës, më në fund janë konfirmuar. Sipas Guardian, vajza e Donald Trump dhe zhvilluesi i pasurive të patundshme, synojnë - sapo të përfundojë pastrimi i municioneve të pashpërthyera, që Sazanin ta transformojnë ishullin në një mekë të re për turizmin ultra-luksoz. Investimi, rreth një miliard dollarë, do t'i shtohet portofolit të pasurive të patundshme të çiftit, i cili mishëron turbokapitalizmin neo-sionist Trumpian.
Pra, ndërsa Leonardo DiCaprio bleu së fundmi ishullin Guafo, në Kili për ta mbrojtur atë nga minierat dhe shpyllëzimi, Sazani është gati të shndërrohet në një parajsë ekskluzive për disa, ndërsa Shqipëria në tërësi rrezikon të bëhet një tjetër laborator i gentrifikimit të maskuar si zhvillim turizmi.
Thashë më parë se politika mban gjithmonë një pjesë të madhe të fajit. Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, Shqipëria ka nevojë për turizëm luksoz ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë. Rama nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se fluksi i kapitalit sjell gjithmonë inflacion: në vitet në vijim, investimi i Trump dhe bashkëshortes së tij do të dëbojë ngadalë por vazhdimisht shumë banorë nga rrethi i Vlorës dhe do afrojë vetëm ata që mund të përballojnë të blejnë ose të ndërtojnë.
Sipas revistës Monitor, Shqipëria ka parë tashmë një rritje mesatare të çmimeve të hoteleve prej 25-30 përqind në vitin 2024. Rritjet më të larta u regjistruan në jug - nga Vlora, qyteti kryesor në rrethin e Vlorës, deri në Ksamil dhe Sarandë. Ndërsa në vitin 2023, mund të rezervonit një hotel në qendër të Vlorës për 40-50 euro nata, sot - mjafton të bëni një kërkim në Booking.com - është e vështirë të gjesh diçka nën 70-90 euro. Dhe nuk është e pazakontë që çmimet të kalojnë 200 euro nata për hotelet me pamje nga deti.
Si përfundim, dua të theksoj se amerikanët nuk janë të vetmit turistë që e nxisin këtë trend. Gjermanët, për shembull, kanë qenë indirekt përgjegjës për rritjet e ndjeshme të çmimeve në Kroaci gjatë 10-15 viteve të fundit: ndaj edhe shumë italianë - fuqia blerëse e të cilëve është dukshëm më e ulët se ajo e gjermanëve, amerikanëve, britanikëve - nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta përjashtonin këtë vend nga lista e tyre e destinacioneve të preferuara. Një nga destinacionet e fundit me kosto të ulët pranë nesh ishte Shqipëria.
Tani është koha që turizmi ndërkombëtar të marrë drejtim pasi pastaj, me pagat tona të pakta, nuk do të jemi në gjendje të përballojmë as pushimet me ata që i konsideronim fqinjët tanë të varfër./ZËRI
Marrë nga "Ilfattoquotidiano"