Opinione

Jemi si në vitet ‘80, kur shitësi ishte bosi i lagjes, duhet t’i serviloseshe…

Ndjeni ndonjë boshllëk ju?

Artan Fuga
Jemi si në vitet ‘80, kur shitësi ishte bosi i lagjes, duhet
Artan Fuga

Nga Artan Fuga

Ore mirë që ende nuk kemi marrë vesh se kush i fitoi zgjedhjet, ende vazhdon numërimi! Po sikur të vazhdojë numërimi katër vjet! E çfarë na gjeti, asgjë nuk ndodh. Ja ne vazhdojmë ende me qeverinë e vjetër, me Kuvendin e vjetër. Ndjeni ndonjë boshllëk ju? Unë jo!

Atëherë çfarë kuptimi ka të bëjmë zgjedhje çdo katër vjet? Bëjmë një herë në njëzet vjet, a njëqind vjet, dhe shpëtojmë edhe nga shpenzimet e tepërta.

Mirë gomari ka ngordhur, por nuk të lënë rehat edhe mizat.

Ja! Kam vënë re se Lufra, Erzeni etj. shesin kosin në bidona. Mirë fort. Por, mua më ngel afro një e dhjeta e kosit në fund të bidonit! Si ta marr. Çfarë dreq paketimi është ky? Pres me thikë bythën e shishes që të marr pjesën më të mirë të kosit, më me yndyrë që ka mbetur aty!

Blejnë fletore katër lekëshe studentët për provim. Por, janë pa etiketa për të shkruajtur emrin. Me kapakë të rrëshqitshëm llustrafin ku nuk shkruhet dot emri. Me ngjyra, nuk dallohet gjë. Ore shisni mallin pa,menduar si do të përdoret? Paskeni qenë derra mo!

Shkon te Megateku blen ta zëmë një bojler. Pyet a mund të ma instaloni? Hiç! Prit se njohim njërin, që i themi, që të vijë, e pa fund nga këto. Po vapë e madhe mo!

A mundet që këtë ventilatorin që e shisni pjesë – pjesë të ma jepni të montuar? Me lekë mo! Po jo se, sepse, meqenëse…

Blen frigoriferin ta zëmë te Global. Pyet: Ore ma transportoni në shtëpi tani? Jo po se po qese, jo sepse, po por, iki fare nuk e blej.

O shofer i taksisë, po mjaft o burrë se nuk le gjë të shtëpisë tënde pa më treguar. Ma bëre kokën daulle me teoritë e tua për uraniumin iranian, mjaft de mjaft!

Ule një çikë kondicionerin o kafexhi se na dhe pneumoni! Aman mo është bërë ta pish kafen me avokat që të mbrosh veten!

Shkon te Big Market, të propozojnë të marrësh kartën e klientit. Bukur fort. Pastaj kur pyet të thonë: A jooo, është vetëm për këtë njësinë këtu, jo për gjithë Big marketet! Ouuuu, po ç’a lesh kartë klienti është kjo kur ne e përdor në të gjithë pikat e shitjes së kompanisë!

Berberi i fut një të shkundme përparëses që i kishte lidh në gushë klientit para meje, dhe ma lidh mua! O shoku, po ç’a bën more. Ja thua me mirësjellje se ai ka edhe biçak në dorë. Ta tregon mirë qejfin, ta jep veshin në dorë!

Çfarë të them. Kultura e shërbimit ndaj klientit copë – copë. Na mo, jam klient, jam the king. Ik ore budalla, ne jemi republikë! 

Jemi si në vitet 80, kur shitësi ishte bosi i lagjes, duhet t’i serviloseshe!

Vapë e madhe!

Poll

MOS HUMB