IRAN- Me vrasjen e Ismail Haniya, termometri tregon temperatura të larta. Rajoni tashmë i nxehtë i Lindjes së Mesme është një hap më afër rrezikut të një "zjarri" të ri që do të pasojë vrasjen e liderit suprem politik të Hamasit në Teheran. Vdekja e tij ka një rëndësi të madhe simbolike nga njëra anë për prestigjin dhe fuqinë e Hamasit, nga ana tjetër është goditja e dytë e dhimbshme radhazi që marrin nga Izraelit. Më të rëndë e bën fakti që e gjitha ka ndodhur në kryeqytetin e Iranit. Pavarësisht retorikës së tij të ashpër, Haniya u pa nga analistët si relativisht i moderuar dhe pragmatik në krahasim me liderët më të ashpër të Hamasit me bazë në Gaza, psh. Mohammed Deif dhe Yahya Sinwar, të cilët besohet se kanë organizuar sulmin vdekjeprurës të vitit të kaluar në jug të Izraelit. Por vdekja e tij, këmbëngulin analistët, ka shumë pak ndikim mbi Hamasin.
Megjithatë, ai ishte fytyra publike e diplomacisë së Hamasit në kryeqytetet arabe. Ai udhëhoqi përpjekjet për të negociuar një armëpushim në Gaza. Madje shumë kanë frikë se vdekja e tij do të "ngrijë" edhe mundësinë më të vogël për një armëpushim.
Teherani, nëpërmjet Gardës Revolucionare, u mjaftua duke konfirmuar vdekjen e Haniya dhe një prej rojeve të tij, madje shtuan edhe se ngjarja po hetohet. Çdo pohim se ky sulm është izraelit konfirmon brishtësinë e sistemit të sigurisë iraniane, pasi vrasja e Haniya ndodhi në zemër të kryeqytetit.
Sipas burimeve nga agjencia e lajmeve Saudite Al-Hadath, vrasja e liderit politik të Hamasit është kryer me një raketë pasi Haniya ishte në Teheran përpara inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Massoud Pezheskian. Vrasja erdhi pasi një sulmi ajror në Bejrut, kryeqyteti i Libanit, gjatë të cilit u vra një komandant i lartë i Hezbollahut, i cili u konsiderua përgjegjës për sulmin me raketa të së shtunës së kaluar që kishte si pasojë vdekjen tragjike të 12 fëmijëve dhe adoleshentëve në lartësitë e Golanit.
Leximi i dytë, më i ftohtë, vjen nga burime perëndimore që flasin për një përshkallëzim të rrezikshëm, por që në kushte të caktuara mund të mos zhvillohet. Tregues është qëndrimi i parë i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili pak kohë më parë përsëriti se nuk beson se një konflikt më i gjerë në Lindjen e Mesme është i pashmangshëm.
“Unë nuk mendoj se lufta është e pashmangshme. Unë e mbështes atë. Mendoj se ka gjithmonë hapësirë dhe mundësi për diplomaci,”- tha Austin nga Filipinet, duke refuzuar të komentojë më tej.
Izraeli
Tel Avivi tani për tani ka shmangur çdo koment zyrtar për vdekjen e Haniya. Në një postim në X, Daniel Hagari, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), tha se “nuk ka ndryshime në politikën e mbrojtjes së vendit. IDF aktualisht është duke kryer një vlerësim të situatës. Nëse vendosen ndryshime, do ta informojmë publikun menjëherë”. Pranimi zyrtar nga Izraeli i përgjegjësisë për vrasjen e Haniya në Teheran, pra brenda territorit iranian, sigurisht që do të ngrejë termometrin e tensionit në lartësi të paimagjinueshme, si dhe një pranim nga autoritetet iraniane se ky është një sulm izraelit do të jetë një goditje e madhe ndaj pushtetit por edhe ndaj prestigjit të vendit.
"Vrasja e Haniya e sjell rajonin më pranë një lufte gjithëpërfshirëse më shumë se kurrë më parë,"- tha për BBC Nader Hashemi, një profesor i Lindjes së Mesme në Universitetin Georgetown.
Reagimet e tjera
Presidenti palestinez Mahmud Abbas e quajti vrasjen e Haniyeh "një akt frikacak dhe një zhvillim të rrezikshëm". Moska, përmes zëvendësministrit të jashtëm Mikhail Bogdanov, e përshkroi vdekjen e Haniya si një "vrasje politike të papranueshme" dhe shprehu frikën se kjo do të çonte në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Ndërsa ministria e jashtme e Turqisë, sipas Reuters, dënoi "vrasjen e turpshme në Teheran, ajo gjithashtu synon të zgjerojë luftën e Gazës në një dimension rajonal".
I ashpër, por realist
Vitet e fundit Haniya ka qenë e vendosur në Katar, vend që strehon krahun politik të grupit, por ka lëvizur vazhdimisht midis Turqisë, Libanit, Iranit dhe Egjiptit. Ishte figurë popullore, edhe ndër ata që kundërshtonin fort qëndrimet e tij. Ai lindi në kampet e refugjatëve të Gazës, al-Sati, ose në kampin e plazhit. Ai drejtoi krahun e tij politik kur Fatah mundi Fatahun në zgjedhjet kombëtare palestineze të vitit 2006 Komuniteti ndërkombëtar nuk do ta pranonte rezultatin dhe pasoi një luftë e shkurtër civile në Gaza midis Hamasit dhe Fatahut, me këtë të fundit të dëbuar nga rajoni. Mandati jetëshkurtër i Haniya si kryeministër i Palestinës përfundoi dhe që atëherë Hamasi dhe Fatah kanë mbetur rivalë të ashpër.
Ajo që është e sigurt është se tani do të ketë ndryshime në udhëheqjen e Hamasit./ZËRI