PARIS- Pothuajse 400 mijë spektatorë përgjatë Senës, 22 milionë në Francë dhe dy miliardë në mbarë botën ndoqën ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike të Parisit. Ishte unike, ashtu siç u premtua...sepse e para ishte organizuar në zemër të qytetit, por edhe sepse aq sa emocionoi, aq edhe skandalizoi.
Asnjëherë më parë një ngjarje e këtij lloji nuk ka ndarë kaq shumë opinionin publik botëror. Në Francë toni i përgjithshëm dje ishte emocion dhe kënaqësi, sepse pavarësisht nga fatkeqësitë- nga sabotimi i trenit te shiu - gjithçka shkoi mirë dhe sipas planit, pa sulme terroriste dhe pa aksidente. Mbi të gjitha vëmendjen e mori parada e "drag queens" dhe ajo që shumëve iu duk si një rikrijim i Darkës së Fundit të Leonardo Da Vincit, me Philippe Katerine gjysmë të zhveshur dhe të lyer me ngjyrë blu në versionin "Dionysus". Kjo pjesë zemëroi shumë persona.
Drejtuesit e France Insoumise të Jean-Luc Mélenchon, të cilët deri një ditë më parë protestonin kundër harxhimit të parave dhe energjisë për "Olimpiadën e të pasurve", u shprehën se episodi ishte krenari dhe se Franca diti t'i fliste botës. Ndërsa nga e djathta ekstreme, eurodeputetja Marion Maréchal iu drejtua të krishterëve në mbarë botën: Dijeni se nuk është Franca ajo që po flet, por një pakicë e majtë e gatshme për çdo provokim.
Konferenca e ipeshkvijve dënoi gjithashtu "skenat e talljes së krishterimit", por pranuan se ceremonia hapëse kishte dhënuar edhe momente të mrekullueshme. Edhe në botë pak a shumë u bë e njëjta ndarje: nëse kryeministri britanik Keir Starmer tha se e pëlqente ceremoninë,kryeministri hungarez Viktor Orbán foli për "kolapsin e Perëndimit", ndërsa zëdhënësja e diplomacisë ruse Maria Zakharova kritikoi "parodinë LGBT" që u miksua me Darkën e fundit.
Polemika bëri që skuadra e organizimit të Lojërave Olimpike të Parisit 2024 të kërkonte ndjesë nëse ndokush ishte ofenduar nga ceremonia e hapjes. Ideatori i skenës Thomas Jolly shpjegoi më pas se nuk ishte frymëzua nga "Darka e fundit".
"Ideja ishte një festival i madh pagan i lidhur me perënditë e Olimpit dhe për rrjedhojë me Olimpin. Mendoj se ishte shumë e qartë, Dionisi ishte në tryezë. Ishte atje sepse është Perëndia i festës, i verës"./ZËRI
Marrë nga Corriere della Sera