Nga Klesiana Omeri
“UKT njofton se, për shkak të një defekti në tubacionin kryesor do të ketë reduktim të furnizimit me ujë të pijshëm në këto zona…” , kjo është fraza më e përsëritur gjatë muajve të fundit në faqen zyrtare të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
Një frazë që, me pak ndryshime në datë dhe lagje, po i afrohet statusit të një slogani. Nga Selita në Laprakë, nga Kinostudio në Kombinat, Tirana është bërë qyteti ku njerëzit mësojnë orarin e ujit më mirë se orarin e autobuzëve.
Rubinetat “flasin” më pak se UKT
Dhe ky është, në fakt, një problem që “rrjedh” prej tre dekadash. Çdo fushatë elektorale në Shqipëri ka pasur një premtim që kurrë nuk del jashtë mode: ujë i pijshëm 24 orë në ditë.
Ky premtim është bërë për herë të parë nga qeveria “Rama” në fushatën e vitit 2013. Pastaj u përsërit në vitin 2017, 2021, madje edhe në garën për Bashkinë e Tiranës. Në çdo rast, ndryshonte slogani, por jo fjalia: “Brenda këtij mandati, qytetarët do të kenë ujë të pijshëm 24 orë në ditë”.
Në realitet, një dekadë më vonë, rubinetat e shumicës së banorëve të kryeqytetit vazhdojnë të shushurijnë bosh. Ujësjellësi i Tiranës pretendon se furnizimi ka arritur në mesatarisht 17 orë në ditë.
Sipas informacioneve zyrtare nga UKT, kjo është ndarja:
Njësia 1 dhe 2: 9–10 orë
Njësia 3: 8–9 orë
Njësia 4: 16–17 orë
Njësia 5: 6–8 orë
Rajonalet 1 dhe 2 (zonat periferike): deri në 5 orë ujë në ditë.

Humbjet në rrjet
Sipas raportit më të fundit të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën (UNECE, 2024), vetëm 23% e popullsisë në Shqipëri ka akses në ujë të pijshëm të sigurt. Humbjet në rrjet arrijnë deri në 65%, pra, më shumë se gjysma e ujit që prodhohet humbet rrugës, midis tubacioneve të vjetra, lidhjeve ilegale dhe mungesës së mirëmbajtjes.
Në Tiranë, kjo përqindje përkthehet në miliona litra ujë të humbur çdo ditë, ndërkohë që familjet mbushin bidonë, blejnë ujë të ambalazhuar dhe shpresojnë që “defekti teknik” të mos zgjasë gjatë.

Kur Tiranën e lan lajmi, jo uji
Vera e këtij viti e ktheu kryeqytetin në lajm ndërkombëtar: media të huaja raportuan për mungesën e ujit edhe në lagje ku banojnë diplomatë e ambasadorë. Ky realitet u kalua me një tjetër njoftim të UKT-së për “defekt teknik në tubacionin kryesor”.

Në Shqipëri, uji është kthyer në simbol të një premtimi të pambajtur, aq të përsëritur, sa tashmë nuk tingëllon më as si mashtrim, por si një rit politik që shënon fillimin e çdo fushate. Në Tiranë, qyteti ku rriten kullat, por jo presioni në rubinet, premtimi për ujë 24 orë në ditë mbetet një kujtesë ironike se, mes fjalëve që rrjedhin dhe ujit që mungon, shqiptarët kanë mësuar të mbijetojnë… duke mbushur bidonët.