Opinione

Reflektimi- Zjarri që vazhdon të "djegë" mijëra familje shqiptare

Është historia e qindra prindërve që jetojnë me fëmijë me aftësi ndryshe dhe që mbeten vetëm.

xhensil Shkëmbi
Reflektimi- Zjarri që vazhdon të "djegë" mijëra
PAMJE NGA VENDNGJARJA

Nga Xhensil Shkëmbi

Një tjetër zemër e vogël pushoi së rrahuri.

Pas ditësh të gjata në betejë për jetën, sot vajza 6-vjeçare që ndodhej e shtruar në QSUT, nuk ia doli dot. Zjarri që përfshiu banesën e familjes Hazisllari në Maliq mori gjithçka. Nënën, Merjeme Hazisllarin. Djalin 14-vjeçar, Lukën. Dhe tani, edhe engjëllin e vogël.

Një familje që jetonte mes varfërisë.

Një nënë e përkushtuar që kujdesej ditë e natë për dy fëmijët e saj me spektër të autizmit, me përkushtim, me durim, me lodhje, por mbi të gjitha me dashuri. Zjarri ra në kuzhinë, ndoshta nga një pakujdesi, ndoshta nga një moment i vogël që mjaftoi për të shuar tre jetë. Kur zjarrfikësit mbërritën, gjithçka ishte vonë. Nëna kishte ndërruar jetë në vend. Djali në gjendje kome e më pas vdiq. Vajza e vogël, në gjendje kritike. Pas disa ditësh, edhe ajo u dorëzua.

Por kjo nuk është vetëm një histori zjarri.

Është një pasqyrë e dhimbshme e një realiteti që digjet çdo ditë, në qindra shtëpi të varfra të këtij vendi. Është historia e qindra prindërve që jetojnë me fëmijë me aftësi ndryshe dhe që mbeten vetëm. Pa ndihmë, pa mbështetje, pa strukturë.
Merjemja ishte nënë, mjeke, mësuese dhe roje e shtëpisë së saj, e vetme. Në Shqipëri, prindërit e fëmijëve ndryshe e kanë të pamundur të jetojnë siç duhet. Jo sepse nuk duan, por sepse shteti nuk i ndihmon. Nuk ka institucione të mjaftueshme arsimore që pranojnë fëmijë të tillë. Nuk ka mësues të përgatitur për t’i kuptuar. Nuk ka qendra terapish që funksionojnë rregullisht në çdo qytet. As ndihmë financiare të qëndrueshme.

Këta prindër, të lodhur e të harruar, përballen çdo ditë me mungesë kuptimi, me izolim dhe me vështirësi që askush nuk i sheh. Shpesh janë nënat që mbajnë gjithçka mbi shpinë. Nënat që flenë pak, që qajnë në heshtje, që mbledhin forcat çdo mëngjes për t’u dhënë dashuri fëmijëve të tyre, ndërsa shoqëria i shikon me mëshirë ose i harron. Tragjedia e Maliqit nuk është vetëm dhimbja e një familjeje. Është pasqyra e një shteti që nuk ka politika serioze për fëmijët me nevoja të veçanta. Është një thirrje për ndërgjegjësim. Sepse për sa kohë që prindërit e këtyre fëmijëve do të ndihen të braktisur, tragjedi si kjo do të jenë gjithmonë të mundshme.

Në Maliq, sot heshtja është e rëndë. Një shtëpi e djegur që flet më shumë se çdo fjalë. Një qytet që qan për tre jetë të pafajshme. Dhe një vend që duhet të pyesë veten:

Sa Luka e sa vajza 6-vjeçare po rriten sot në heshtje, pa ndihmë, pa përkrahje, pa dritë?

Le të mos heshtim më. Të kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësi, që bashkitë, shkollat e spitalet të bashkëpunojnë për të krijuar një sistem real mbështetjeje. Le të jemi zëri i atyre që nuk dinë ta kërkojnë ndihmën vetë. Sepse çdo fëmijë meriton një jetë me dinjitet. Dhe çdo nënë, si Merjemja, meriton të ndjejë se nuk është vetëm në luftën e saj.

Poll

MOS HUMB