
Pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjet të një numri të madh videosh me përmbajtje intime, vëmendja publike është përqendruar pothuajse e gjitha te burri që shfaqet në to.
Por në ato pamje nuk është vetëm një burrë.
Janë gra. Shumë gra. Sipas materialeve që po qarkullojnë, bëhet fjalë për rreth 13 gra të ndryshme, identiteti, jeta private dhe dinjiteti i të cilave sot janë ekspozuar përpara mijëra njerëzve pa asnjë mundësi reale për t’u mbrojtur.
Askush nuk e di nëse ato kanë dhënë pëlqimin që këto pamje të ruheshin. Aq më pak që një ditë të publikoheshin.
Dhe pikërisht këtu duhet të ndalet kurioziteti.
Sepse çdo “ma ço edhe mua”, çdo forward në WhatsApp, çdo postim në Telegram, çdo screenshot apo dërgim nga një telefon në tjetrin nuk është më thjesht konsum i një skandali. Është një hallkë tjetër në ekspozimin e grave që mund të mos kenë zgjedhur kurrë të bëhen pjesë e tij.
Në një histori të tillë është shumë e lehtë që gratë të zhduken pas titullit të bujshëm. Të quhen “vajzat e videos”, të numërohen, të komentohen fizikisht, të identifikohen nga fytyra, zëri, një tatuazh apo një detaj në dhomë.
Por pas çdo videoje është një njeri.
Mund të jetë një nënë. Një vajzë. Një profesioniste. Një grua që nesër duhet të dalë nga shtëpia, të shkojë në punë dhe të përballet me njerëz që mund ta kenë parë në momentin më privat të jetës së saj.
Pëlqimi për një marrëdhënie intime nuk është pëlqim për publikim.
Edhe në rastin kur regjistrimi është bërë me dijeninë e personave të përfshirë, kjo nuk do të thotë se ekziston automatikisht pëlqimi që materiali të shpërndahet publikisht.
Prandaj pyetja nuk duhet të jetë: “Ku janë videot?”
Duhet të jetë: “Pse po i shpërndajmë?”
Shoqëria jonë ka një zakon të keq: në skandalet seksuale burrin e kthen në protagonist, ndërsa gruan në provë materiale. Emri i tij bëhet lajm; trupi i saj bëhet përmbajtje. Kjo duhet të ndalet.
Mund të raportosh për ekzistencën e një skandali pa publikuar pamjet. Mund të diskutosh përgjegjësitë, mënyrën se si materialet kanë dalë, shkeljet e mundshme të privatësisë dhe çdo interes publik të çështjes pa identifikuar gratë dhe pa shumëfishuar dëmin ndaj tyre.
Nëse një video të mbërrin në telefon, nuk je i detyruar të bëhesh hallka tjetër e zinxhirit.
Fshije.
Mos e kërko.
Mos e dërgo.
Mos e publiko.
Mos e qarkullo./ZËRI