Opinione

REPUBLIKA E TRUPROJAVE/ Nga tokat te klubet VIP: Rrjoll, Zvërnec, Sarandë e Ksamil nën hijen e “burrave të zinj”

Burra të veshur me të zeza, krah të pasurve të Shqipërisë, janë modeli që po shfaqet dhunshëm përgjatë 2 viteve të fundit. Kujt ia kemi besuar shërbimin e sigurisë private?

Fjola Graçi
REPUBLIKA E TRUPROJAVE/ Nga tokat te klubet VIP: Rrjoll, Zvërnec,
Kompanitë Security

TIRANE- Pamje të shëmtuara, të neveritshme, rrëqethëse për dikë dhe “anormale” për një tjetër. Ky ishte komenti kryesor i 31 majit 2026, ditës kur, para syve të të gjithë shqiptarëve, u shfaq modeli i gangsterit modern.

Një djalë i ri, rreth të 30-ave, me trup të stërvitur, i veshur me çantë marsupi, brenda së cilës, sipas pamjeve dhe dëshmive të bëra publike, mbante një dorezë dhe një armë zjarri. Një person i trajnuar për të reaguar në një mënyrë: me dhunë, sa herë i kërkohet.

Në sytë e Policisë së Shtetit, një qytetar u mor zvarrë dhe iu hoq liria. Ndërkohë, frenat e reagimit që duhet t’i përkisnin shtetit, duket se kishin kaluar te shoqëria.

Ato pamje ishin fillesa e “Revolucionit Flamingo”.

Nëse ky revolucion ende nuk e ka arritur qëllimin final, anulimin e ndërtimit në Zvërnec, arriti së paku të shuajë kompaninë e sigurisë private Mayor Security, të bashkuar me Myrto.

Por kjo nuk ishte hera e parë.

Përpara tyre, ne gazetarët dhe, ndoshta, edhe ndjekësit e rregullt të lajmeve, kishim parë se çfarë kishte ndodhur në Rrjoll, ku kompania Gener 2 e biznesmenit Bashkim Ulaj përdori “burrat e veshur me të zeza” të Breçani Security.

Dhjetëra banorë, pretendentë për tokat e tyre, u morën zvarrë.

Por nëse në Rrjoll vëmendja mediatike mungoi, për shkak të një nyjeje të fortë interesash, e njëjta gjë nuk ndodhi me Zvërnecin.

Algoritmi bëri të vetën. Dhe përgjigjja ndaj dhunës erdhi.

Por nëse përgjigjja u dha, mesazhi nuk u mor.

Vetëm tre ditë më parë, kompania e sigurisë Elite, përgjegjëse për mbarëvajtjen e aktivitetit të Orange Club në Sarandë, arriti një tjetër rekord në kronikën e dhunës ndaj qytetarëve dhe turistëve.

Tashmë, “burrat e veshur me të zeza” nuk mjaftohen më me përplasjet me qytetarët.

Ata ia dalin të dhunojnë edhe vetë Policinë.

Të fortët e Elite Security, të punësuar edhe si policë, dhunuan shefin e Krimeve në Sarandë, Mateo Bakalli, pasi ky i fundit nuk i lejoi të dhunonin një turist të huaj.

Dhe për ta finalizuar këtë histori, “burrat e veshur me të zeza”, të bindur se po vendosin rregull dhe po garantojnë siguri, lanë të masakruar me thika mbi shezlongët e plazhit të Principotes një djalë 21-vjeçar.

Një i ri që, sipas dinamikës së bërë publike, u përfshi në konflikt dhe përfundoi i vrarë nga Sokrat Vata, i cili punonte në Elite Security, bashkë me një tjetër efektiv policie. Të dy dyshohet se ishin përfshirë edhe në sherrin e Orange Club.

Çfarë po ndodh me këto kompani?
Në një Shqipëri ku Policia e Shtetit prej vitesh ndodhet në një proces të thellë reformimi, shumë efektivë të Policisë joshen për të punuar si punonjës sigurie pranë këtyre kompanive. Nga ana tjetër, bashkë me policë, në këto kompani punësohen edhe individë me të shkuar kriminale, të cilët, si në rastin më të fundit, arrijnë të punësohen pa asnjë filtër.

Dhe këtu vijmë te një tjetër problem.

Kush e garanton sigurinë private sot në Shqipëri?

Sepse kur një klient shkon në një resort luksoz, ai pret të ruhet nga dhuna. Nuk pret që personi që paguhet për ta mbrojtur të bëhet pjesë e konfliktit. Dhe mbi të gjitha, nuk pret që personi që duhet të garantojë sigurinë e tij, t’i marrë jetën.

Kush i punëson këta individë?

Kush u jep licencën këtyre kompanive?

Kush i kontrollon ato?

Dhe mbi të gjitha:

A kemi arritur në pikën ku ligji mbaron te dera e klubit apo e pronës private dhe, nga aty, nis ligji i truprojës?

Sepse nëse “burrat e veshur me të zeza” po kthehen në një autoritet paralel, atëherë nuk kemi më thjesht një problem të sigurisë private. Kemi një problem me vetë shtetin./ZËRI

Poll

MOS HUMB