Aktualitet

Nga shtigjet malore të Shqipërisë drejt Greqisë, zbulohet skema e trafikimit të emigrantëve

Hetimet kanë zbuluar se përmes kësaj skeme janë kaluar ilegalisht më shumë se 500 persona, ndërsa fitimet e përllogaritura të organizatës arrijnë në 750 mijë euro.

M.K.
Nga shtigjet malore të Shqipërisë drejt Greqisë, zbulohet
FOTO NGA Paisjet e sekuestruara

GREQI- Një rrjet i organizuar që shfrytëzonte kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë për të trafikuar emigrantë dhe për të gjeneruar qindra mijëra euro është goditur nga policia greke. Hetimet kanë zbuluar se përmes kësaj skeme janë kaluar ilegalisht më shumë se 500 persona, ndërsa fitimet e përllogaritura të organizatës arrijnë në 750 mijë euro.

Sipas mediave greke aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Greqisë dhe drejtohej nga një grup prej 10 personash, të cilët janë arrestuar gjatë një operacioni në Igumenicë dhe Selanik. Në mesin e të ndaluarve janë dy sirianë një shqiptare dhe shtatë shtetas grekë.

Grupi dyshohet se kishte ngritur një itinerar të mirëorganizuar për kalimin e emigrantëve nga Shqipëria. Fillimisht ata kalonin kufirin në këmbë përmes shtigjeve malore dhe mbërrinin në Igumenicë. Kjo zonë shërbente si pikë tranziti ku emigrantët sistemoheshin përkohësisht dhe pajiseshin me ushqime, ujë e karta SIM, përpara se të transportoheshin drejt qyteteve të tjera kryesisht Athinës dhe Patrasit.

Mes personave që përdornin këtë rrugë kishte shtetas nga Nepali, Jemeni dhe Kina. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e tyre përfundonin edhe në punë bujqësore në Peloponez, pa dokumentet e nevojshme. Madje në disa raste organizatorët u merrnin pasaportat për të siguruar pagesën e shumave të kërkuara për kalimin dhe transportin.

Sipas hetimeve rrjeti ishte aktiv prej qershorit 2025 dhe kishte realizuar të paktën 41 operacione të tilla. Goditja e tij u bë në bashkëpunim me Europolin ndërsa kontrollet çuan në sekuestrimin e katër pasaportave, automjeteve, telefonave celularë, pajisjeve elektronike dhe 1,150 eurove.

Gjatë të njëjtit operacion policia arrestoi edhe 21 emigrantë për qëndrim të paligjshëm në Greqi./ZËRI

MOS HUMB