SARANDË-Një 31-vjeçare është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në parkimin e një hoteli në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar. Blutë njoftojnë se e reja u kap pas 30 minutash duke drejtuar automjetin e vjedhur. Pasi kreu vjedhjen 31-vjeçarja kishte hequr targat e automjetit, të cilat i kishte hedhur në një kazan mbeturinash, në dalje të qytetit.
Njoftimi i policisë:
Vodhi 1 automjet nga vendparkimi i një hoteli, në lagjen nr. 1., kapet pas 30 minutash, nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin e vjedhur, dhe vihet në pranga 31-vjeçarja.
Sekuestrohen automjeti i vjedhur dhe targat e tij, të cilat 31-vjeçarja i kishte hequr dhe hedhur në kazan mbeturinash.
Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, për vjedhjen e automjetit të tij, të cilin e kishte parkuar në vendparkimin e një hoteli, në lagjen nr. 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i autores së dyshuar të vjedhjes së automjetit, shtetases E. S..
Kjo shtetase dyshohet se ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit A. M. dhe i ka hequr targat, të cilat i hedhur në një kazan mbeturinash, në dalje të qytetit. Ajo është lokalizuar dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në afërsi të tunelit të Skërficës, duke drejtuar automjetin e vjedhur, rreth 30 minuta pas vjedhjes së tij.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasja E. S., 31 vjeçe, banuese në Sarandë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.