TIRANË-Gjyqi në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa është shtyrë pasi mungoi avokati i Gentian Sulës. GJKKO ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 17 nëntor, ndërsa janë pezulluar afatet e paraburgimit për Veliajn.
Ndërkohë GJKKO lexoi letrën që kryebashkiaku i kishte drejtuar gjykatës, në të cilën kërkonte masë sigurie dhe verifikim lidhur me ngjarjet e fundit pas takimit me ministrin e drejtësisë, Toni Gogu në ambjentet e burgut të Fierit. Në letrën drejtuar gjykatës Veliaj pretendon se Gogu i ka pohuar se transferimi i tij në burgun e Fierit është bërë me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama.
Pas leximit të letrës, GJKKO pohoi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk e ka vënë në dijeni gjykatën për transferimin e krybashkiakut drejt Fierit, ndërsa sa i përket pretendimeve të Veliajt se transferimi është bërë me urdhër të Ramës, gjykata u shpreh se nuk është kompetencë e tyre të kryejë verifikimin.
Letra e Erion Veliajt drejtuar GJKKO:
Siç jeni vënë në dijeni nga media, Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të mërkurën e javës së kaluar jam rrëmbyer nga një “togë” shoqërimi pa m’u treguar urdhri, shkaku pse po lëvizja, ku po shkoja dhe si justifikohet largimi me 100 km të tjera shtesë nga gjykata ku po gjykohem, nga familja ime me 2 të mitur e nënën pensioniste, dhe një Bashkie të Tiranës që drejtoj. Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës kur Ministri i Drejtësisë z. Gogu më bëri të qartë në IEVP Fier se jam transferuar me urdhër personal të Kryeministrit Rama; “që të bëj burg tamam” dhe t’ia dijë për nder se prokurorët po bëheshin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve, përveçse është po aq e pavërtetë sa dhe Nesti Angoni e Nasta Pëllumbi, është dhe e paligjshme si ndërhyrja e Kryeministrit për transferimin ashtu dhe pretendimi se prokurorët negociojnë me të persekutimin tim të vazhdueshëm dhe shtimin e akuzave. Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të paanshëm. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë.

GJKKO:
Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona, sa i takon pretendimeve se transferimin, është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, të ndjek rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij.
Veliaj qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Kryebashkiaku u transferua nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit më datë 28 tetor. Transferimi i Veliajt ka hapur një debat politik dhe ka nxitur reagime. Shkak është bërë mungesa e një dokumentacioni lidhur me procesin dhe arsyen e transferimit të kryebashkiakut. Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se urdhri është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”./ZËRI
