TIRANË- Pesë ditë pasi Qeveria miratoi aktin normativ duke parashikuar gjoba të reja për shkeljet gjatë protestave, deri në 500 mijë lekë për rastet më të rënda të mosbindjes ndaj urdhrave të policisë, paketa "Anti-Dhunë" është aplikuar mbi protestuesit e tubimit të një dite më parë (2 nëntor).
Policia bën me dije se 16 protestues janë gjobitur me shumën prej 5000 lekësh (50 mijë lekë të vjetra), pasi gjatë protestës të zhvilluar dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ata kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.
Njoftimi i policisë:
Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 16 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ.
Procedohen penalisht 2 shtetas të mitur, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sipas paketës së miratuar pjesëmarrja në tubime të ndaluara dhe fshehja e identitetit dënohen me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, ndërsa mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit mund të kushtojë deri në 200 mijë lekë. Në rastet kur personi ka identitet të fshehur, gjoba arrin deri në 500 mijë lekë.
Për bllokimin e rrugëve gjatë protestave parashikohet një gjobë prej 5 mijë lekësh për çdo person dhe për çdo ditë bllokimi. Paketa përfshin gjithashtu kufizime të përkohshme për tubimet në zona të caktuara, urdhra largimi nga zonat e mbrojtura dhe regjistrimin audiovizual të paralajmërimeve të policisë./ZËRI
