VLORË- Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Lushnjë ka vendosur të lërë në fuqi pezullimin e punimeve për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë. Dhjetëra qytetarë nga Vlora kanë udhëtuar drejt Lushnjës për të ndjekur procesin gjyqësor dhe për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndërtimit të muzeut hebraik mbi godinën e muzeut “Labëria”.
Nismëtari i grupit, Gëzim Zilja, deklaroi se kërkesa kryesore është largimi i ndërhyrjeve dhe rikthimi i sheshit në gjendjen e mëparshme. Sipas tij, nga hapësira ekzistuese janë marrë rreth 500 metra katrorë.
“Është një qendër historike, ku kanë punuar themeluesit e shtetit të parë shqiptar. Kërkojmë që ndërhyrjet të largohen dhe vendi të kthehet në gjendjen e mëparshme, pasi nga sheshi ekzistues janë marrë rreth 500 metra katrorë. Nuk mund të ngresh historinë tënde mbi historinë time. Aty është historia e Shqipërisë dhe nuk mund të mbivendoset një muze hebraik. Jo aty. Kjo është kërkesa jonë e parë",- tha nismëtari, Gëzim Zilja.
Trupa gjykuese ka vendosur vijimin e pezullimit të punimeve, vendim që është pritur me entuziazëm nga qytetarët e pranishëm, të cilët e kanë konsideruar një fitore për kauzën e tyre.
Ndërtimi i muzeut është shoqëruar me protesta, ku qytetarët kërkojnë ndalimin e projektit, pasi pretendojnë se ndërtimi po bëhet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, të cilin e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit. Godina e Klubit “Labëria”, sot Muzeu Etnografik, është monument kulture që prej vitit 1963 dhe lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë patriotike që i parapriu Pavarësisë. Në vendin ku po zhvillohen aktualisht punimet, qytetarët propozojnë ngritjen e një muzeu që duhet t’i kushtohet historisë, kulturës dhe figurave të rëndësishme të kombit shqiptar.