TIRANË-Akti normativ për disa shtesa në ligjin për tubimet, i cili përfshin paketën anti-dhunë u miratua nga Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes. Paketa parashikon gjoba për tubuesit, si edhe parandalimi i thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Partia Demokratike kundërshtoi paketën anti dhunë të qeverisë, duke deklaruar se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.
"Kemi kërkuar prezencën e Ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për dhunën, ne e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese sepse besojmë se janë anti-kushtetues. Ajo që kanë parë shqiptarët nga tetori dhe dhuna joproporcionale e Policisë, për mua ka qenë një nga nivelet më të ulëta të menaxhimit të situatave të protestave gjatë këtyre viteve. Ne kemi parë të rinj që u është thyer këmba, u është krisur kafka. Kemi parë arrestime të paligjshme, që janë faktuar edhe nga Gjykata. Dhe ky akt për tubimet për mua rrit represionin dhe hapësirën që Policia të abuzojë. Rreth 1 mijë persona janë arrestuar. 250 kanë qenë minorenë që kanë firmosur pa praninë e prindërve,"-u shpreh deputetja Jorida Tabaku.
Në përgjigje zv. ministri i Brendshëm Xhemal Qefalia, premtoi ndjesë nëse Gjykata do ta vlerësojë antikushtetuese paketën e masave kundër dhunës në protesta.
"Synimi është garantimi i ushtrimit paqësor të tubimeve. Ndaj është ky akt normativ, për të ndaluar dhunën, dhunën jo vetem ndaj protestuesve, por edhe ndaj policëve. Nuk mund të lejojmë të cenohet individi, prona dhe insititucionet, në asnjë moment nuk thuhet aty që ndalohen protestat. Protestat janë të ligjshme dhe shumë mirë të bëhen të vazhdushme, por ato duhet të bëhen brenda kornizave të ligjit. Ndoshta Gjykata Kushtetuese do shprehet, nëse ajo shprehet se është anti-kushtetues do vijmë e do kërkojmë falje që është antikushtetues”, tha Qefalia.
Sipas socialistëve kjo paketë nuk kufizon të drejtën për të protestuar por dhunën mbi punonjësit e policisë dhe shkatërrimin e bizneseve private apo institucionet. Edhe drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, tha se gjatë zbatimit të këtij akti janë ulur aktet e dhunës dhe në tubime ka më pak persona të maskuar.