TIRANË-Personi në foto është shtetasi i cili shkoi në një pikë këmbimi valutor në Tiranë dhe mori 100 mijë euro, pasi autorët kishin bindur pronarin se paratë po i kërkonte biznesmeni Bashkim Ulaj. Rasti i mashtrimit u raportua pasditen e 24 gushtit, ku administrator i një pike këmbimi valutor në Tiranë, 70 vjeç ra pre e një skeme mashtrimi të realizuar përmes inteligjencës artificiale.
31-vjeçari Brian Serica dhe 23-vjeçari Skerdi Meta përmes mesazheve dhe një videocall-i, ku përdorën inteligjencën artificiale për të manipuluar pamjen e biznesmenit Bashkim Ulaj, bindën kambistin se ishte pikërisht Ulaj personi që po i kërkonte shumën e parave prej 100 mijë eurosh.
Komunikimi përmes videos ka zgjatur vetëm disa sekonda, por ka qenë i mjaftueshëm që 70-vjeçari të besonte se po komunikonte me biznesmenin. Më pas, ai ka dorëzuar shumën prej 100 mijë euro personit që i shkoi në Exchange në emër të biznesmenit me premtimin se shuma do t’i kthehej brenda pak orësh. 70-vjeçari ka telefonuar numrin nga i cili ishte kontaktuar, por autorët e kishin bllokuar. Ai ka kontaktuar më pas vetë Bashkim Ulajn, i cili i ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kërkesën dhe se nuk kishte komunikuar me të.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar Brian Serica dhe Skerdi Meta, ndërsa Rigels Hyseni është shpallur në kërkim./ZËRI
