TIRANË-Luiza Gega ka triumfuar në Maratonën e Tiranës, e cila në edicionin e dhjetë të saj, ka bërë bashkë rreth 5,800 garues. Gega përshkoi 42 kilometra duke fituar kështu çmimin e madh prej 5 mijë eurosh. Për të arritur në këtë pikë, kampiones iu deshën 2 orë e 35 minuta e 35 sekonda. Ndërkohë Fatjon Konomi është shpallur fitues i Maratonës së Tiranës në kategorinë e meshkujve, duke zënë vendin e parë në garën prej 42 kilometrash.
Risia e këtij edicioni ishte gara 5 kilometra, duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e qytetarëve. Në garë morën pjesë 5800 garues nga 40 shtete. Maratona nisi në orën 08:00 dhe deri në 16:00, një pjesë e rrugëve do të jenë të bllokuara. Për organizimin e eventit u angazhuan prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Mes akseve të prekura janë e gjithë Unaza e Vogël, bulevardi “Zogu i Parë”, Bulevardi i Ri, segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, “Myslym Shyri”, si dhe disa rrugë të zonës së ish-Bllokut dhe kryqëzimet që lidhen me Bulevardin dhe Rrugën e Elbasanit.
Për shkak të kufizimeve, edhe disa linja të transportit publik urban kanë devijuar itineraret e tyre.