Call Centerat mashtrues, dosja: Gjurmët fshiheshin me adresa fktive në QKB, por u zbuluan me 'IMSI Catcher'
TIRANË-Një skemë e mirëorganizuar mashtruese përmes call-centerave në Tiranë, përmes së cilës synohej përfitimi i shumave të mëdha nga qytetarë të huaj, është goditur nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Disa nga personat e përfshirë në këtë rrjet, përfshirë administratorë, janë identifikuar, ndërsa vijon puna për kapjen e drejtuesve kryesorë të tij.
Sipas dosjes hetimore, skema është ngritur nga Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj. Këta të fundit, të dy në kërkim, me masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës, dyshohet se janë administratorët e call centerve mashtrues që autoritetet goditën së fundi në Tiranë.
Nga hetimet është dokumentuar edhe roli i tyre në rrjetin e call centerave.
Xhoni Hitaj rezulton i arrestuar më parë për "vrasje me dashje", të mbetur në tentativë. Hitaj administronte 2 call center-a mashtrues të goditur të hënën nga prokuroria, policia dhe partnerët austriakë. Në njërin prej tyre, në atë të në hyrje të rrugës së Kavajës, “Upstream creative”, dyshohet se ndodhej edhe zyra e bosit të këtij rrjeti, Granit Pepnika, i cili nuk është kapur. Jo vetëm kaq. Hita është dhe administratori i call center që u zbulua pranë Kopshtit Zoologjik, “Magnolia Group”, ndërsa me QKB ne emër të tij ka edhe subjekte të tjera, por hetuesit dyshojnë se janë fiktive.
Marsel Lami rezulton të ketë qenë administrator i disa call centerave të regjistruar në QKB me emra të ndryshëm, në periudha të ndryshme nga viti 2023-2025. Sipas hetuesve, këto adresajanë fiktive, për të humbur gjurmët, pasi në të vërtetë, siç rezultuan nga kërkimet në teren, aktiviteti zhvillohej në vende të tjera nga ato të deklaruara.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Xhoel Mekolli, sipas dosjes, rezulton të ketë punuar në periudha të gjata në këto call center, gati 3 vjet.
Hetuesit zbuluan disa operatorë që dyshohej se punonin në call center, të cilët u vunë në përgjimë telefonik, por edhe me pajisjen gjurmuese të vendndodhjes IMSI Catcher, me qëllim lokalizimin e adresave të sakta ku dyshohet se ushtrohej veprimtaria e call centerave. Vështirësia hetuesve për t’i gjetur zyrat ishte pikërisht prej adresave të gabuara me të cilat subjektet regjistroheshin në QKB.
Nga rezultatet e këtij vëzhgimi punonjëset u panë të shkojnë në call centerin te Rruga e Kavajës, dhe atë pranë Kopshtit Zoologjik.
50 mln euro dëm në vendet e BE-së, Prokuroria 'zbërthen' skemën e Call Centerave: Reklama me VIP-a, 500 € 'hyrja'
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka zbuluar skemën e gjerë të mashtrimit të Call Centerave të goditur së fundmi në Tiranë, ku shtetas të vendeve të BE-së mashtroheshin duke u premtuar rikuperim të parave të humbura dhe investime në bursë fiktive. Sipas hetimeve 2-vjeçare, kjo veprimtari u ka shkaktuar viktimave humbje që dyshohet se tejkalojnë 50 milionë euro.
Si funksiononte skema? Sipas asaj që bën me dije Prokuroria, skema funksiononte përmes grupeve të organizuara sipas gjuhëve të huaja, ku çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë. Këta të fundit i bindnin të hapnin llogari në platforma të rreme, duke nisur me një pagesë fillestare prej 500 eurosh. Viktimat josheshin drejt platformave mashtruese përmes reklamave të rreme që përdornin persona të njohur (VIP).
Nga hetimet rezulton se bëhet fjalë për një aktivitet të strukturuar në nivel të lartë, me ndarje të qartë detyrash dhe përdorim të pseudonimeve. Hetimet kanë identifikuar edhe përfshirjen e lëvizjeve të konsiderueshme financiare në kriptovaluta dhe lidhje mes disa subjekteve të dyshuara si fiktive që vepronin si call-center-a.
Operacioni çoi në arrestime dhe masa sigurie ndaj disa personave të përfshirë në këtë rrjet mashtrimi ndërkombëtar. Konkretisht 7 persona me masë 'arrest me burg', 2 në 'detyrim paraqitje' dhe 'ndalim jashtë vendit', si dhe 5 të tjerë të arrestuar në flagrancë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Mashtronin shtetasit e BE-së nëpërmjet ‘Call Center’-ave, duke premtuar rikuperim të parave të humbura në investime dhe investim në bursa fiktive, hetimet 2-vjeçare të Prokurorisë Tiranë zbulojnë skemën
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në bashkëpunim me autoritetet austriake, mbështetjen e Eurojust, EUROPOL dhe drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, u bë e mundur goditja e disa call-center-ave në Tiranë, që çuan në dhënien e masave të sigurimit ‘Arrest me burg’ për 7 persona, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, dhe u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, 5 persona.
Në vijim të hetimeve 2-vjeçare mbi procedimin penal nr.3377 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b, parag. II, i Kodit Penal, ndaj shtetasve E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., rezultoi se pas informacioneve të marra nga autoritetet Austriake, këta shtetas mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Personat e mësipërm dyshohet se kanë nxitur qytetarët e dëmtuar, nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, për vete ose për llogari të personave të tretë, pasi të dëmtuarit, për shkak të mashtrimit, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat në total vlerësohet se tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit T.A. dhe M.H., gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave.
Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Netëork”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Netëork” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë gjatë kontrolleve në subjektet e mësipërme u sekuestruan:
891,735 euro;
443 kompjuterë;
238 telefona celularë;
6 laptop; dhe
HDD, DVR.
SKEMA e rrjetit të Call Centerave! Austriakët u mashtruan përmes 'personazhe të famshëm', 30 mln euro transferta
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarit e operacionit ku u goditën disa pika Call Centera që mashtronin qytetarët europiane. Ata dolën sot për t'u njohur me masat e sigurisë, ndërsa për 5 të arrestuarit në flagrancë, senaca për vlerësimin e masës do mbahet ditën e nesërme.
Arrest me burg për: Eduart Dall, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Xhoel Mekolli dhe Ledio Toçi.
Të arrestuarit në flagrancë: Kristjan Buda, Benard Bib, Kleidi Dyrma, Ema Taip dhe Eno Hana.
Në ambientet e zbuluara në kryeqytet, ishin punësuar dhjetëra të rinj, të cilët kryenin thirrje drejt qytetarëve europianë, kryesisht nga Gjermania dhe Austria, duke i bindur të investonin në platforma financiare që rezultonin mashtruese.
Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, tregohet sesi shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, janë mashtruar financiarisht duke u shkaktuar humbje të shumave të mëdha financiare.
Autoritetet austriake dhanë indiciet se call centerat në Shqipëri kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Në dosje thuhet se përmes sjelljeve mashtruese, ata kanë nxitur qytetarët e dëmtuar duke paraqitur rrethana të rreme se paratë e transferuara do të investoheshin vërtet. Nëpërmjet mashtrimit autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vetë ose për llogari të personave të tjerë, pasi të dëmtuarit për shkak të mashtrimeve dhe prezantimit të të dhënave të rreme kanë transferuar miliona shuma të konsiderueshme parash të cilat në total mendohet se mund të jetë më shumë se 30 milion euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të të një personazhi të famshëm. Investimet e supozuara nuk janë realizuar dhe kalimi i është drejtuar në rrjetin e ndërlikuar të pastrimit të parave.
Nga ana e telefonuesve “këshilltarë financiar”, nëpërmjet programit any desk kanë kryer komandim nga distanca në kompjuterat e të dëmtuarve. Pjesa më e madhe e adresave Ip të autorëve janë të maskuara duke përdorur VPN ose Proxy, por në informacionin e dërguar partnerët kishin arritur të identifikonin disa IP Shqiptare të cilat i kanë vënë në dispozicion.