Pallati te 'Arlis' u bë shkrumb e hi, Braçe ngre alarmin: Nuk është incident, aty ka ndodhur një krim! (VIDEO)
TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar për zjarrin e rënë në pallatin e kompleksit 'Arlis', në zonën e njohur si 'Farmacia 10' në Tiranë, një ditë më parë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Braçe bën me dije se ishte në vendngjarje dhe ka parë nga afër atë çfarë ka mbetur nga zjarri që ka shkrumbuar banesat e dhjetëra qytetarëve.
Braçe shpreh shqetësimin për dëmet e mëdha të shkaktuara dhe duke kërkuar hetim të plotë të ngjarjes. Sipas tij, zjarri nuk duhet të trajtohet si një incident i zakonshëm, por duhet të hetohet në mënyrë të thelluar nga institucionet përgjegjëse, pasi ngjarje të tilla nuk mund të konsiderohen “gjëra që ndodhin”.
Ai falënderoi zjarrfikësit për ndërhyrjen e tyre, duke vlerësuar sakrificën dhe punën e tyre në kushte të vështira, ndërsa ngriti shqetësimin për kushtet në të cilat punojnë.
Postimi i plotë i Braçes:
ISHA, QENDROVA, PASHE, DEGJOVA, MORA SPJEGIME TEK PALLATI I SHKRUMBUAR DJE!
Dy gjera kam per te thene:
E PARA, shkova per ti falenderuar e shprehur MIRENJOHJEN E PAFUNDME KOMANDANT JONUZ MURATAJT DHE BURRAVE TE NJESISE SE TIJ-TE GJITHE ZJARREFIKES!
Kuptova duke folur me ta se mirenjohja nuk mjafton;
I kemi lene pa shume shume gjera, natyrisht nuk jane materiale ato qe mungojne; JANE TE GJITHA TE DOMOSDOSHME PER TE LEHTESUAR DHE VLERESUAR PUNEN, MUNDIN, SAKRIFICEN, JETEN E VENE NE RREZIK PER TE SHPETUAR JETE NJEREZISH TE RREZIKUAR, SIC DJE;
A E DINI QE ZJARREFIKESIT QE SHERBEJNE 24 ORESH NUK MARRIN USHQIM, NUK KANE KUOTE USHQIMORE?!
Une, per turp e mesova sot!
Ndajme leke pafund per nje armate nepunesish shteti e nuk kujdesimi per kete kategori sherbyesish publike qe hidhen te shpetojne jete njerezish pa ushqim e pa uje?!
DUHET NJE STATUS KREJTESISHT TJETER PER ZJARREFIKESIT-LIGJOR, EKONOMIK, SOCIAL DHE DUHET BERE TANI!
E DYTA, pashe vete dhe degjova shume per kompleksin e banimit qe u dogje dje; po shume fare ama. Per respekt ndaj banoreve, te gjithe atyre qe sakrifikuan jeten per te shpetuar njerez e prona dje, nuk fola aty para pallatit te bere shkrumb!
Por cilido qe sheh e degjon sic une degjova, NUK DUHET TE HESHTE! Per nje arsye: KY ZJARR, KJO DJEGIE DERI NE SHKRUMBIM, NUK MUND TE NORMALIZOHET SI “GJERA QE NDODHIN”! JOOOOO! Aty ka ndodhur krim, madje i perseritur!
NDAJ KAM NJE THIRRJE:
HETIM I PLOTE DHE GJITHPERFSHIRES, PROFESIONAL NDAJ CDO ELEMENTI ME NDIKIM MBI PERHAPJEN E ZJARRIT NE KETE KOMPLEKS BANIMI-PROJEKTI, NDERTIMI, DEVIJIMI NGA PROJEKTI, MATERIALET E NDERTIMIT, ZBATIMI I RREGULLAVE INXHINIERIKE NE NDERTIM, LEGALIZIMI, SISTEMET E FUNKSIONALITETI I TYRE-perfshi sistemet e FASADES, ENERGJISE, ASPIRIMIT, SIGURISE NGA ZJARRI, SHITJET E AMBJENTEVE DHE DESTINACIONI I TYRE NE PERPUTHJE ME PROJEKTIN!
Cdo element ka ndikuar dje ne perhapjen e zjarrit, djegien dhe rrezikimin e jeteve te njerezve aty, gjithe te tjereve qe i ndihmuan dhe i shpetuan duke rrezikuar pafund!
E KAM THENE DHE DO E PERSERIS:
KY QYTET, PER SHKAK EDHE TE SHTRENJTESISE NE TE,
MERITON STANDARD KREJT TJETER!
Pallati u shkrumbua nga zjarri! 'Arlis': S'mbajmë përgjegjësi, por do të rindërtojmë plotësisht apartamentet
TIRANË-Kompania “Arlis Ndërtim” ka reaguar përmes një deklarate për shtyp pas zjarrit që përfshiu pallatin në Tiranë. Arlis sqaron se kompania nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen teksa thekson se për punimet e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të regjistruara ligjërisht.
Kompania thekson se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, pa asnjë shtesë të paautorizuar, ndërsa punimet janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente. Arlis njofton se do të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e plotë të fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.
Kompania Arlis Ndërtim:
Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk shpreh solidaritetin e saj të plotë dhe mbështetjen e sinqertë për të gjithë banorët e dëmtuar nga ngjarja e fundit që ka prekur objektin në zonën e "Farmacia 10".
Në këto momente të vështira, jemi pranë çdo familjeje të prekur dhe ndajmë shqetësimin për pasojat e shkaktuara.
Në funksion të transparencës me opinionin publik, dëshirojmë të sqarojmë se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katesh apo devijim nga projekti i aprovuar, pervec sistemimeve anësore siç janë verandat, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente. Të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, këto punime janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente, duke garantuar përmbushjen e të gjitha kërkesave teknike dhe ligjore.
Dëshirojmë të theksojmë gjithashtu, që për të gjitha punimet e fasadës për objektin në fjalë, shoqëria ka lidhur marrëveshjet respektive me shoqëri tregëtare, të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët janë zotuar dhe kanë marë përsipër të kryejnë me përgjegjesi të plotë ligjore shërbimet e ofruara dhe të kontraktuara.
Në çdo rast shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk ka kërkuar para nënshkrimit të kontratës dhe posedon të gjitha çertifikimet e materialeve sipas standarteve europiane dhe legjislacionit në fuqi, të cilat na janë vënë në dispozicion nga kontraktorët që kanë kryer këto punime.
Për objektin në fjalë është bërë kolaudimi, çertifikimi si dhe të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, duke e dorëzuar me përpikmëri dhe në mënyrë të rregullt tek banorë, në përputhje të plotë me procedurat dhe aktet ligjore në fuqi, çka konfirmon se shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale dhe ligjore.
Megjithatë, shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindertimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. Ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës dhe në minimizimin e pasojave të kësaj ngjarjeje.
Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe grupet e ekspertëve për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes dhe për të garantuar transparencë të plotë ndaj të prekurve, institucioneve ligjzbatuese si dhe publikut. Njëkohësisht, ritheksojmë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të ndërtuar me cilësi, siguri dhe përgjegjësi.
Në përfundim, duke shprehur edhe njëherë të gjithë solidaritetin tonë, sigurojmë banorët dhe opinionin publik se Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk do të vijojë të ndjekë me prioritet maksimal çdo hap të nevojshëm për përballimin e kësaj situate dhe për rikthimin sa më të shpejtë e të plotë të funksionalitetit të objektit.
Zjarri te kompleksi 'Arlis'! Në hetim ndërtuesi Armando Lilo, arrestohet menaxherja e marketit dhe 3 të tjerë
TIRANË-Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit në pallatin e kompleksit Arlis në Tiranë. Raportohet se lidhur me ngjarjen është shpallur në kërkim ndërtuesi i komplekstit "Arlis", Armando Lilo.
Ndërkohë është arrestuar menaxherja e marketit në afërsi të të cilit dyshohet se ndodhi zjarri, administratori i pallatit, Agron Cara, inxhinieri i kompanisë Arlis, Enver Admi dhe kontraktori që ka bërë fasadën e pallatit, Altin Furtuna.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:
-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Shkaku i nisjes së zjarrit është ende i paqartë, ndërsa vatra ka qenë në katin 0 ngjitur me një market, në hapësirën e jashtme. Rreth 30 apartamente u shkrumbuan nga zjarri që vijoi prej orësh një ditë më parë. 11 banorë pësuan djegie të lehta e asfiksi, ndërsa vetëm një grua ishte lënduar më rëndë. Hetimet vijojnë dhe një bilanc i plotë rreth dëmeve, pritet në orët në vijim.
Pallati te kompleksi 'Arlis' 'u përpi' nga zjarri, Rama: Do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me zjarrin e rënë një ditë më parë në një pallat në Tiranë, duke sqaruar masat që do të merren për familjet e dëmtuara. Rama shprehet se banorët nuk mund të lihen vetëm, pasi taksapaguesit nuk mund të paguajnë për një humbje që duhet të mbulohet nga sigurimi.
Edi Rama: Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithësesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falenderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara.
Mundi i një jete! Banorja shpërthen në lot, teksa sheh pallatin e shkrumbuar nga zjarri
TIRANË-Një pallat i shkrumbuar dhe trishtimin që la pas, kjo është ajo që ka mbetur nga zjarri i frikshëm që përfshiu pallatin e kompleksit 'Arlis' te Farmacia 10 në Tiranë. Një grua e cila mund të jetë një prej banoreve është filmuar teksa sheh drejt pallatit me lot në sy. Banorë e qytetarë të shumtë kanë shkuar në vendngjarje për të parë çfarë kanë lënë pas flakët.
Rreth 30 apartamente u shkrumbuan nga zjarri që vijoi prej orësh një ditë më parë. Disa apartamente janë djegur plotësisht, ndërsa një bilanc i plotë rreth dëmeve, pritet në orët në vijim. Shkaqet e rënies së zjarrit janë ende të panjohura, ndërkohë, autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në terren për vlerësimin e plotë të situatës dhe për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.
Kompleksi 'Arlis' ende në tym! 30 apartamente të shkrumbuara, shkaku nuk dihet
TIRANË-Tymi vijon të dalë edhe sot nga pallati i kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10 në Tiranë, ku rreth 30 apartamente u shkrumbuan nga zjarri që vijoi prej orësh një ditë më parë. Disa apartamente janë djegur plotësisht, ndërsa një bilanc i plotë rreth dëmeve, pritet në orët në vijim.
Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në terren për vlerësimin e plotë të situatës dhe për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Dyshohet se shkaku i mundshëm i zjarrit ka qenë ndezja e disa kartonave pranë një marketi, në katin e parë të pallatit, e më pas është përhapur në katet e mësipërme. Megjithatë hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Situata tragjike u pasqyrua një ditë më parë nga pamjet e siguruara nga ZËRI, ku banorët u gjetën të papërgatitur teksa flakët përfshinë fasadën e kompleksit. Dhjetëra banorë u evakuuan, ndërsa ndërhyrje u bënë nga toka dhe ajri. 7 persona u trajtuan në QSUT për shkak të asfiksisë, mes tyre edhe zjarrfikës.
Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për shpërndarje të zjarrit./ZËRI