"Fasada ndikoi në përhapjen e vatrës", drejtori i zjarrfikësve të Tiranës: Flakët nisën në një biznes në katin e parë
TIRANË- Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, ka deklaruar se zjarri në pallatin 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza” ka nisur në katin e parë të godinës, ku ndodhej një biznes. Sipas tij, fasada e objektit ka ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve në katet e sipërme, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
“Autoshkallat janë në vendngjarje, janë duke punuar. Janë tre autoshkalla. Dy në aktivitet, një në pjesën veriore. Kemi futur të gjitha mjetet e nevojshme për të mundësuar shuarjen e zjarrit. Nga volumi i zjarrit që shohim, zjarri ka nisur në katin e parë të objektit, ku ka qenë një biznes. Pas vendosjes nën kontroll të situatës, do të nisim ekspertizën zyrtare për nisjen e zjarrit. Ne u përqendruam në të dyja skajet e vatrave të zjarrit. Kemi përqendruar forca edhe në tarracë. Deri më tani nuk kemi informacion për pasoja fatale, gjë që është shumë e rëndësishme. Fasada ka ndikuar në përhapjen e vatrës së zjarrit”, tha Goxhaj.
Burime për ZËRI-n raportuan më herët, shkaku i mundshëm i zjarrit dyshohet se ka qenë ndezja e disa kartonave pranë marketit. Prej aty, zjarri më pas është përhapur me shpejtësi drejt kateve të sipërme, duke përfshirë fasadën dhe apartamentet./ZËRI
Prej 3 orësh në luftë me flakët: 7 persona në spital, mes tyre edhe zjarrfikës! Mbrojtja: Forca të shumta janë vendosur në terren
TIRANË- Prej rreth 3 orësh ka vijuar ndërhyrja për shuarjen e flakëve që përfshinë sot kompleksin “Arlis” në zonën e “Farmacisë 10” në Tiranë. Sipas autoriteteve, zjarri po mbahet nën kontroll, por ende nuk është shuar plotësisht.
Mësohet se si pasojë e flakëve, 7 persona kanë mbetur të lënduar, mes tyre 3 qytetarë dhe 3 zjarrfikës që kanë shfaqur shenja asfiksie gjatë ndërhyrjes në terren. Dy prej tyre po marrin trajtim në Spitalin e Djegie-Plastikës, ndërsa 4 të tjerë po trajtohen në urgjencë.
Ndërkohë, ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila ka ndarë detaje nga situata e krijuar nga zjarri që përfshiu një kompleks banimi këtë të martë në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, dhjetëra zjarrfikës dhe forca të shumta janë vendosur në terren.
“Në vijim të situatës së krijuar nga zjarri në një kompleks banimi në kryeqytet, janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe personel në terren. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar si pasojë e zjarrit.
Bashkia Tiranë ka operuar me kapacitete të plota, si në mjete ashtu edhe në personel. Në ndihmë janë bashkuar edhe Bashkia Kamëz me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, si dhe Bashkia Vorë me dy mjete dhe 10 efektivë.
Gjithashtu, Forcat e Armatosura janë angazhuar me katër mjete zjarrfikëse, 26 efektivë dhe një helikopter Cougar. UKT ka mbështetur operacionin me tre autobote uji.
Strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme deri në normalizimin e saj të plotë”, thuhet në reagim./ZËRI
"Do këqyrim kamerat"/ Zjarri te "Arlis", Hita: Ende s'kemi bilanc përfundimtar
TIRANË- Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se ende nuk është bërë bilanci përfundimtar i zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë. Në një prononcim për mediat nga vendngjarja, tha se forcat e FNSH dhe RENEA janë vënë menjëherë në dispozicion për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe hapjen e dyerve të apartamenteve ku qytetarët nuk kishin mundësi të dilnin.
“Tani ende nuk kemi bërë bilancin përfundimtar. Janë paraqitur punonjës të shërbimit zjarrfikës, kanë djegie të vogla, janë angazhuar të gjitha forcat dhe kemi bërë menaxhimin dhe koordinimin me forcat e tjera. Ende nuk janë kontrolluar të gjitha banesat,” u shpreh Hita nga vendngjarja.
Ai theksoi se është ende herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa shtoi se do të kryhen të gjitha veprimet hetimore, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë./ZËRI
"Arlis" sërish në flakë! Kompleksi në Tiranë digjet për herë të dytë, mori zjarr edhe në vitin 2021
TIRANË- Kompleksi i pallateve “Arlis” në Tiranë është përfshirë nga flakët mesditën e sotme, në zonën te "Farmacia nr.10", duke rikthyer shqetësimet për sigurinë e këtyre ndërtesave.
Por, ky nuk është rasti i parë. I njëjti kompleks, i ndërtuar nga kompania Arlis SHPK në pronësi të Armand Lilo, është përfshirë nga zjarri edhe në vitin 2021, kur ishte ende në fazë ndërtimi dhe iu dogj fasada. Pra, edhe këtë herë, flakët kanë përfshirë fasadën e pallatit dhe janë përhapur me shpejtësi, duke vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Situata paraqitet kritike, ndërsa disa banorë janë nxjerrë nga ballkonet. Të tjerë janë transportuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore, mes tyer edhe pjesëtarë të forcave zjarrfikëse.
Ngjarja ka shkaktuar panik te banorët e zonës, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të hetohen nga autoritetet./ZËRI
Flakët "përpijnë" kompleksin në mes të Tiranës, ndërhyhet nga ajri për të shuar zjarrin, mbërrin helikopteri
TIRANË- Situata paraqitet kritike në zonën e njohur si “Farmacia 10”, pranë QSUT-së në Tiranë, ku një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës. Për shuarjen e zjarrit është angazhuar edhe një helikopter, i cili i ka ardhur në ndihmë ekipeve zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët që përfshinë fasadën e godinës.
Megjithatë, situata vijon të mbetet shqetësuese, pasi zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke shkrumbuar një pjesë të konsiderueshme të pallatit./ZËRI
Pallati në flakë në Tiranë, në vendngjarje edhe ministri Lamallari, 'zbresin' dhe forcat RENEA
TIRANË- Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në zonën e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët e kompleksit.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa situata paraqitet kritike për shkak të përhapjes së zjarrit në fasadën e godinës.
Për të ndjekur nga afër situatën ka mbërritur edhe Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili po monitoron nga terreni operacionin e emergjencës. Po ashtu, edhe aksionit për evakuimin e banorëve i janë bashkar edhe forcat speciale RENEA./ZËRI
Gra, të moshuar e fëmijë! Momenti kur banorët dalin nga pallati mes flakëve, vetëm me rrobat e trupi
TIRANË- Flakët kanë përpirë të gjithë pallatin e kompleksit 'Aris', në Tiranë, duke e djegur brenda pak minutash, ndërsa banorët nxituan të evakuoheshin. Siç shihen edhe nga pamjet të siguruara nga ZËRI, banorët shihen vetmë me rrobat e trupit dhe të panikosur.
Nuk dihet ende nëse ka persona të tjerë të lënduar, megjithatë, pjesa më e madhe e banorëve janë evakuuar. Ndërkohë forcat zjarrfikëse ndodhen brenda këtij kompleksi për të ndihmuar në evakuuimin e banorëve. Raportohet se dy persona janë nxjerrë nga banesat e tyre, janë paraqitur në QSUT dhe kanë shenja asfiksie nga zjarri./ZËRI
FOTOLAJM/ Pallati në flakë, zjarrfikësit hyjnë në ndërtesë dhe evakuojnë një banore
TIRANË- Një zjarr masiv ka rënë pasditen e sotme në një kompleks banimi pranë zonës së QSUT-së në Tiranë, ndërsa flakët kanë marrë përmasa të frikshme. Raportohet se shumica e banorëve janë evakuuar, por ka ende të tjerë brenda të rrezikuar.
Aktualisht raportohet për të paktën një person të lënduar, që dyshohet për shkak të asfiksisë. E lënduara u nxorr nga zjarrfikëset përmes shkallëve ndihmëse, pasi ndodhej në katet e sipërme të godinës.
Në vendin e ngjarjes ndodhen disa forca zjarrëfikëse, por mbeten ende të paqarta rrethanat sesi ra zjarri që dogji gjithë fasadën e jashtme të banesës./ZËRI
Zjarri pranë QSUT/ Përkeqësohet situata, banorët konfrontohen me zjarrfikësit, çfarë po ndodh
TIRANË- Është përkeqsuar situata me zjarrin në kompleksin e banimit përballë spitalit “Nënë Tereza”. Raportohet se zjarri ka marrë përmasa të frikshme duke rrezikuar jetën e banorëve, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për të lënduar.
Raportohet se banorët janë konfliktuar me forcat e rendit të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë duke mos lejuar askënd t’i afrohet kompleksit. Aktualisht, e gjithë zona është në rrezik, teksa flakët rrezikojnë të përhapen edhe në pallatet e tjera./ZËRI
E frikshme në Tiranë! Zjarr në një pallat pranë QSUT, tymi "pushton’" zonën

TIRANË- Një pallat është përfshirë nga flakët në Tiranë, në një kompleks banimi në zonën e njohur si “Farmacia 10”, pranë QSUT-së. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka përfshirë fasadën e ndërtesës, e cila është dëmtuar rëndë nga flakët. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, por dëme të shumta materiale. /ZËRI