POROSIA nga Dubai për Ramazan Rrajën dhe Halilin: Mos spiunoni! (INFOT i merrnin nga TIMS)

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 9 anëtarët e grupit kriminal që organizuan atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, por nga kjo ngjarje kanë zbuluar edhe ngjarje të tjera kriminale. Sa i përket atentatit ndaj ish-prokurorit, porositësi zbulohet se ka qenë Plaurent Dervishaj, i cili prej disa vitesh fshihet në Dubai. "Porosinë" për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin që viktimën e vetme pati shoferin e Ndojt, Andi Malokun.
Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm, Redjan Rraja, ndërsa për Halilajn 35 vite burg. Por edhe pse në burg, të dy kanë marrë "sinjale" nga jashtë. Prokuroria e Posaçme thotë se ka rezultuar e provuar se Dervishaj, së bashku me persona të tjerë të grupit të tij, janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, por kundrejt garancisë që nuk do t'i përmendnin kurrë emrat e porositësve, pra të Dervishajt dhe të tjerëve.
"Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime,"-shkruan SPAK.
Por në fakt, nuk ka qenë nevoja, pasi përfshirja e tyre në këtë ngjarje është faktuar nga mesazhet e enkriptuara nga Franca.
Të pandehurit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, janë identifikuar si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në atentatin ndaj Ndojit dhe në disa ngjarje të tjera kriminale. Të gjithë u kanë siguruar Rrajës dhe Halilit armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat dhe më pas për t'i ekzekutuar. Madje, jo vetëm kaq! U kanë siguruar informacione për lëvizjet e viktimave edhe nga bazat e të dhënave shtetërore, pra nga sistemi TIMS. Një person, me siguri pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit i dërgonte Dervishajt të dhëna lidhur me fotot e personave në shënjestër dhe lëvizjet e tyre, por jo vetëm kaq. Të njëjtët persona i siguronin informacione edhe lidhur me makinat me të cilat lëviznin shënjestrat e tyre.
5 anëtarë të grupit janë të arrestuar në Shqipëri, bëhet fjalë për: Ramazan Rrajën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Julian Pjetrin dhe Bashkim Haxhiajn, ndërsa në Dubai janë lokalizuar: Plaurent Dervishaj dhe 2 miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi. Por arrestimi i tyre nuk shihet ende si mundësi, pasi Dubai nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë./ZËRI
Akil Nderjaku e donte të vrarë! I organizuan atentat për ta eliminuar, kush është juristi Mitri Prifti!

TIRANË- Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku) ka pasur në plan vrasjen e Mitri Priftit. SPAK ka hedhur dritë mbi ngjajren kriminale, ku juristit Mitri Prifti iu është organizuar një atentat me qëllim për ta eliminuar. Mësohet se pjesë e grupit kriminal me qëllim vrasjen e Mitri Priftit është Genti Nderjaku alias Kili alias Ekil Nderjaku, i cili gjithashtu është i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i ndodhur më 1 nëntor 2019. Kjo pasi Nderjaku, sipas SPAK, është pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Plaruent Dervishaj.
Por përveç atentatit ndaj ish-prokurorit, Nderjaku akuzohet se ka siguruar kushtet për të eliminuar juristin Mitri Prifti, në periudhën 4 tetor 2020 deri në 30 janar 2021.
“I pandehuri Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 i Kodit Penal.6. Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal,”- informon SPAK.
Por kush është Mitri Prifti?
Juristi Mitri Prifti u identifikua si autori i dyshuar i atentatit (që fatmirësisht dështoi) ndaj Edison Begajt, ngjarje e ndodhur në 29 maj 2021 në Kaninë. Ai u arrestua pa kohë më vonë. Mitri Prifti, me profesion jurist ishte i maskuar dhe i veshur si polic teksa qëlloi me armë në drejtim të 41-vjeçarit në sy të fëmijëve, vetëm sepse viktima gjatë një debati mes tyre e kishte qëlluar me shuplakë. Mitri Prifti, është edhe juristi që dëshmoi në polici kundër Emiljano Shullazit. Juristi ka mohuar që kushëriri i tij, Jani Zaka ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi, duke dëshmuar se ky i fundit, i kishte kërkuar të afërmit të tij që ta zgjidhte miqësisht konfliktin me familjen Sinanaj, për parkingun nëntokësor./ZËRI
U arrestua me bujë një vit më parë, SPAK nuk gjen prova: Të pushohen hetimet ndaj Marsel Deçkës

TIRANË- Prokuroria e Posaçme njoftoi sot mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku. Në fund të hetimeve, SPAK, ka kërkuar pushimin e çështjes për një prej të pandehurve, shtetasin Marsel Deçka, pasi nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për implikimin e tij në këtë atentat.
“Sa i përket të hetuarit tjetër Marsel Deçka, Prokuroria e Posaçme, ka konkluduar se nuk ka kryer elementët e veprave penale të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, sa i përket episodeve pas ngjarjes së datës 01.11.2019, për rrjedhojë, i jemi drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr.184/1 të vitit 2021, numërtimin si procedimi penal Nr.184/2 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.
ATENTATI NDAJ PROKURORIT NDOJA
Më 1 nëntor të vitit 2019, në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, u bë atentat ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Ditën e ngjarjes, Ndoj ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Makina 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoj, u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet.
Pas breshërisë së tetë plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private.
Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.
Ndërsa prokurori Arjan Ndoj dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, morën trajtim në spitalin e Durrësit dhe nuk morën lëndime që i rrezikonin jetën. Nën akuzë për atentatin ndaj ish-prokurorit, janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.
Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij./ZËRI
Kush e donte "Manecin" të heshtur përgjithmonë! SPAK zbulon PLANIN, 'grupi i Durrësit' fshihet pas vrasjes së Mërkurit

DURRËS- "Maneci" (fjalëpaku) heshti përgjithmonë mbrëmjen e 18 majit 2022, por sot 2 vite më vonë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar se kush po planifikonte ekzekutimin e Arben Mërkurit, që mesa duket ia doli. 48-vjeçari u qëllua për vdekje teksa ndodhej në dyqanin e tij, në qendër të Sukthit, 3 vite pas atentatit ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj. Sipas SPAK, personat që kanë porositur, planifikuar dhe ekzekutuar vrasjen e tij janë personazhe të njohur të botës së krimit në zonën e Durrësit, duke përmendur edhe Plaurent Dervishajn.
"Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme: "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive),"-bën me dije SPAK.
Por kush ishte Arben Mërkuri?
‘Maneci’ është skeduar si vrasës me pagesë dhe dyshohet të ketë qenë përfshirë në të paktën 12 ngjarje kriminale, mes tyre dhe në atentatin ku mbeti i vrarë ish-efektivi Ervin Dalipaj e Juxhin Dauti (ish-i fejuari i këngëtares Fjolla Morina) në vitin 2017. 48-vjeçari gjithashtu është skeduar për trafik droge, por nuk ka asnjë dënim të marrë nga drejtësia shqiptare. Ndërsa në Itali ka vujtur dënim me burg për trafik të lëndëve narkotike.
Arben Mërkuri ka qenë edhe një protagonistët e ngjarjes që bëri bujë në vitin 2016 në Shqipëri, dhunimi i biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri. Ky i fundit kishte nisur investimet në Shqipëri, më konkretisht po punonte në Gjirin e Lalëzit, zonë ku po ndërtonte një kompleks. Por, kur gjashtë vite më parë, pasditen e 10 shtatorit biznesmeni Mitri, po udhëtonte pasagjer në një makinë me të shoqen e vajzën e tij u përplas qëllimisht nga një tjetër makinë tip “Tuareg”. Pas përplasjes, personat që ndodheshin në mjetin tjetër që dyshohet të kenë qenë Mërkuri, Landi Muharremi (i tmerrshmi i Sukthit ose Rrumi i Shijakut) e Skënder Krahja kanë dalë dhe kanë nisur ta qëllojnë, derisa e kanë lënë të plagosur rëndë biznesmenin libanez që përfundoi në spital.
Fillimisht Policia e Shtetit e klasifikoi si një ngjarje aksidentale, por më pas versionet e tjera nuk munguan. Landi Muharremi, Arben Mërkuri, Skënder Krahja, të tre me banim në Sukth u thirrën dhe u morën në pyetje pasi ishin të dyshuarit e parë për ngjarjen, por gjithçka mbeti me aq. Pista kryesore e hetimit ishte ajo e konfliktit për shkak të investimit që po kryente Faadi Mitri në zonën e Gjirit të Lalzit. Vetë 55-vjeçari u mor në pyetje nga hetuesit ku dëshmoi se personat që e sulmuan, e kërcënuan duke i thënë: Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet!.
Maneci u përmend edhe në aksionin "Revansh", i finalizuar pak ditë më parë nga SPAK. Në dosjen hetimore të zbardhur nga ZËRI, tek e cila janë zbardhur mesazhet e aplikacionit "SkyECC" të shkëmbyera në vitin 2020, u zbulua se Elson Reçi kontraktoi Arben Mërkurin, i njohur me nofkën ‘Maneci’ me qëllim që të vriste Preng Gjinin. ‘Maneci’ për shumë kohë kishte vëzhguar çdo lëvizje të hasmit të familjes Reçi. Për këtë të fundit, Maneci kishte siguruar informacionin se Preng Gjini, kishte lidhur një aleancë me Aleksandër Laho, i cili i mbijetoi një atentati tek mbikalimi i Shkozetit, teksa udhëtonte me ish-prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Për të ndihmuar Reçin që të merrte hakun e të afërmit e tij të vrarë (Kastriot Reçi), Arben Mërkuri ka folur edhe me Fatmir Troplinin dhe Nuredin Dumanin./ZËRI
"Rrumin" s'e kapën dot, objektivin e ndryshuan tek i vëllai! Laho në arrati, zbulohet plani për vrasjen e Vullnet Muharremit

TIRANË- Atentati ndaj "Rrumit të Shijakut" dështoi më 1 nëntor. Por kjo nuk do të thotë që nuk tentuan më për të çuar deri në fund planin e tyre. Gjatë hetimeve për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar se "atentatorët" e tij, kishin në shënjestër edhe të vëllanë e tij, Vullnetin. Në njoftimin që SPAK ka zbuluar, nuk jep shumë detaje për planin dhe mënyrën sesi është vendosur në "jetë" por duket se tentativa është bërë.
Si porositës të kësaj ngjarjeje kriminale dhe jo vetëm, SPAK ka evidentuar: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Për ta, SPAK ka ngritur disa vepra penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Ndryshe nga Aleksandër Laho, Vullnet Muça (Muharremi) është përmendur vetëm në 2016, kur bashkë me të vëllanë ka përplasur makinën e biznesmenit Fuad Mitri. Ndërsa Laho, është ende në kërkim dhe ndaj tij ka dy urdhër-arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK. I njohur edhe me nofkën "Rrumi i Shijakut", Aleksandër Laho është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji./ZËRI
“S’më zë gjumi natën”/ Kërkonte drejtësi për të birin...vrasësit e Andi Malokut e kishin në shënjestër edhe të atin

TIRANË- Genci Maloku ishte shënjestër të vrasësve që i morën jetën edhe të birit të tij në atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim anëtarët e grupit të strukturuar kriminal që kishin planifikuar vrasjen e ish-prokurorit, ku i vetmi viktimë mbeti shoferi i ish-prokurorit, 23-vjeçari Andi Maloku.
Sipas SPAK, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë planifikuar vrasjen e Genci Malokut. Megjithatë ndaj tij duket se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta ekzekutuar pas vrasjes të së birit. Arsyeja gjithashtu është e paqartë, por mund të jetë fakti që ai kërkonte drejtësi për të birin.
Disa muaj pas ngjarjes ai i dërgoi letër autoriteteve shqiptare, institucioneve ndërkombëtare, Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian duke pretenduar se nga ana e policisë së Durrësit nuk u mor asnjë masë për të parandaluar ikjen e autorëve.
“Im bir 2 muaj pune si shofer i prokurorit Ndoj. Prokuroria ka videot e ngjarjes dhe nuk arreston atentatorin tjetër. Prokuroria të veprojë ndryshe do e marr vetë gjakun e tim biri. Edhe videon e nxora. Prokuroria të veprojë. I kërkova ndihmë deputetit dhe i thashë bëjë si fëmijën tim. Mu duk më i drejti nga ato e i kërkova ndihmë. Djali im nuk ka pasur konflikte, kishte 2 muaj punë. Kanë pasur gjithë respekt për djalin tim, ai ishte i vetëm dhe e donim të gjithë. Djalit kur ishte gjallë i kam thënë se ku po punon, por derisa ai punën po bënte. Më ka thënë të ishte gjë e keqe puna që kishte, do e kishin arrestuar. Arsyeja mund të jetë politike a ku di unë. Po të dojë shteti e kap direkt, kurse kjo ka 8 muaj që fëmija im nuk është më gjallë. Jam i shkatërruar totalisht,”- shprehej ai disa vite më parë.
Mesa duket teksa një baba, kërkonte drejtësi për të birin, të njëjtët persona që ia morën jetën, kishin planifikuar që ta eliminionin edhe atë. Por se përse nuk u finalizua kurrë ky plan...kjo ende nuk është zbuluar.
Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja që me manovrat e tij i shpëtoi jetën ‘shefit’ gjatë atentatit të datës 1 nëntor, ndërroi jetë një javë pas ngjarjes në spitalin e Traumës. Maloku mori dy plumba, një në shtyllë kurrizore dhe një në kraharor teksa mundohej të nxirrte makinën nga rruga, ditën e që Ndoja u sulmua nga dy kallashnikovë pranë mbikalimit të Shkozetit. I plagosur mbeti edhe Landi Muharremi (Rrumi i Shijakut), i cili ndodhej në të njëjtin automjet. Pavarësisht ndihmës mjekësore që mori në Spitalin e Traumës, ish-efektivi i policisë së Krujës nuk u shpëtoi dot plagëve të marra./ZËRI
Tritoli në hotelin e Luan Matës, SPAK zbardh ngjarjen, e kreu Ramazan Rraja, Plarent Dervishaj dhe Julian Mecaj

TIRANË- Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK për atentatin e vitit 2019 në drejtim të prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku, janë zbardhur edhe disa ngjarje të tjera kriminale, ku të pandehurit e marrë nën hetim prej tyre kanë qenë të përfshirë. Kështu SPAK ka zbardhur vendosjen e tritolit në hotelin në pronësi të biznesmenit Luan Mata, në zonën pranë spitaleve në Tiranë. Personi që ka vendosur tritolin është shtetasi Ramazan Rraja, në bashkëpunim me Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn.
“Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.
Nga shpërthimi i ndodhur në hotelin në pronësi të Luan Matës nuk pati pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale. Dyshohet se shkak për vendosjen e tritolit është një borxh për pazaretv e drogës që Ervin Mata i ka pasur Plaurent Dervishajt, i cili prej kohësh ndodhet në Dubai. /ZËRI
SPAK mbyll hetimet për atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja, akuzon 6 persona, nga Plarent Dervishaj te Ramazan Rraja

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 persona, për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku. SPAK ka ngritur akuzë dhe ka dërguar për gjykim shtetasit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani.
Në njoftimin e SPAK thuhet se janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Por kanë dalë në përfundimin se dy qitësit janë: Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj.
Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore. Disa prej të dhënave që kanë lidhur autorët me ngjarjen, janë siguruar edhe nga hapja e aplikacioneve me mesazhe të enkriptuara, por nuk bëhet me dije nëse janë të marra nga aplikacioni "SkyECC" apo "Encrochat".
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr.184/1, të vitit 2021, dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurve:
1. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për periudhën para ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive);
· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1/2, i Kodit Penal, si dhe
· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.
2. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
· “Vjedhja”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë dhe 28/4, të Kodit Penal (sipas episodeve respektive);
· “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë dhe 28/4, të Kodit Penal;
· “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenit 278, paragrafi i tretë i Kodit Penal;
· “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22 dhe 28/4, të Kodit Penal;
· “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e të ndjerit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh” dhe 28/4, të Kodit Penal;
· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1, i Kodit Penal, si dhe
· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.
3. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive);
· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1/2 të Kodit Penal, si dhe
· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
4. Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
· “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë) dhe
· “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 278/5 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë).
5. Ramazan Rraja, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal (armë zjarri e cila i është gjetur me vete gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 19.04.2023).
6. Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021;
· “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe
· “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.
Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Nga të shtënat me armët e zjarrit, shtetasit të cilët udhëtonin në mjetin me targë AA 333 ZD, kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho, kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.
Nga veprimet hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal janë identifikuar paraprakisht dy nga autorët që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, konkretisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, bazuar dhe në analizën e komunikimeve të kriptuara, janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore. Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime.
Më konkretisht është bërë e mundur identifikimi i autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në ngjarjen e datës 01.11.2019, shtetasit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan) si bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj (të cilët po gjykohen në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për ngjarjen e datës 01.11.2019), ku ka rezultuar se kanë marrë pjesë në episodin e datës 01.11.2019, për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi); “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 79/a-22; 79/dh-22; 278/1,2; 134/2; 28/4; 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Hetimet e mëtejshme kanë bërë të mundur identifikimin edhe të disa të pandehurve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë si para ashtu dhe pas ngjarjes së datës 01.11.2019, periudha gjatë të cilave të pandehurit kanë ndërmarë një sërë veprimesh për konsumimin e veprave penale.
Më konkretisht, gjatë hetimit janë grumbulluar prova që provojnë se të pandehurit Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), vepra të kryera para datës 01.11.2019.
Gjithashtu, provat e mbledhura gjatë hetimit kanë evidentuar faktin penal se shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334, të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019).
Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.
Po kështu i pandehuri Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 i Kodit Penal.
Sa i përket të hetuarit tjetër Marsel Deçka, Prokuroria e Posaçme, ka konkluduar se nuk ka kryer elementët e veprave penale të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, sa i përket episodeve pas ngjarjes së datës 01.11.2019, për rrjedhojë, i jemi drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr.184/1 të vitit 2021, numërtimin si procedimi penal Nr.184/2 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve.