53-vjeçari vdiq në vendin e punës/ Familja hap dyert e mortit, i vëllai: Duam drejtësi! Babai i pronarit më ofroi para

TIRANË- Leonard Fejzullahu, vëllai i Adrian Fejzullaut, i cili humbi tragjikisht jetën këtë të hënë pasi ra nga kati i shtatë i pallatit ku punonte ka hapur dyert e mortit ndërsa ka treguar dhe detaje nga ngjarja. Ai shprehet se e ka marrë vesh lajmin nga shoferi i ambulancës, i cili fillimisht i kishte thënë se është rëndë, ndërsa më pas i ka thënë se trupi është dërguar në morgun e Tiranës. Ai tregon se viktima ka punuar gjithë jetën në ndërtim ndërsa tek firma “Andi Konstruksion”, kishte pak ditë që kishte filluar punë.
Leonard Fejzullahu ka kërkuar drejtësi nga shteti në lidhje me ngjarjen ku i vëllai humbi jetën, ndërsa ka treguar dhe një bisedë që ka pasur me një person që është prezantuar si babai i pronarit të firmës së ndërtimit. Ai tregon se personi në fjalë i ka thënë se firma do të mbulojë shpenzimet mortore për 53-vjeçarin. Leonard Fejzullahu shprehet se nuk kanë nevojë për para, por për drejtësi. Sipas tij, në momentin që ka mbërritur në morg, nuk ka gjetur aty asnjë përfaqësues të firmës. Fejzullahu foli për Report Tv.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Si e mësuat ngjarjen?
Leonard Fejzullahu: Më mori në telefon shoferi i ambulancës nga telefoni i vëllait. Vëllai e kishte pasur telefonin në xhep, i kishin hapur telefonin dhe më kanë marrë mua. E kanë parë numrin tim pasi i kisha rënë më herët në celular. Gjithë jetën ka punuar në ndërtim por prej një jave punonte te ajo firma.
Pyetje: Ju thatë se ju thirrën dhe te morgu?
Leonard Fejzullahu: Më thirri shoferi i ambulancës e më tha është në gjendje të rëndë. I thashë a të vij te spitali? Jo më tha më prit në shtëpi. Erdhi më mori këtu, pastaj rrugën më tha se ka vdekur. Kur shkova unë e gjeta të vdekur, ishte bërë sallatë, hemorragji e brendshme.
Pyetje: A ishte i siguruar në punë vëllai juaj?
Leonard Fejzullahu: Këta thonë se gjoja ka qenë i siguruar, po ku ta dimë ne, ata ashtu thonë.
Pyetje: Çfarë kërkese keni?
Leonard Fejzullahu: Ne kërkojmë drejtësi nga shteti.
Pyetje: A tentuat të flisni me pronarin e firmës?
Leonard Fejzullahu: Pronarin e ka marrë policia. Ne shkuam dhe bëmë denoncimin te komisariati nr.4, pastaj pronarin e teknikun i ka arrestuar policia. I ati i pronarit na erdhi te shtëpia dhe na tha që i marrim ne përsipër shpenzimet. Jo, unë nuk kam nevojë për shpenzimet kam nevojë për drejtësi. Vëllai ka lënë gruan dhe nënën 80 vjeç. Nuk ia di emrin se nuk u prezantua, tha jam babai i pronarit të firmës. Tha do u mbuloj shpenzimet, i thashë nuk kam nevojë. Te morgu nuk kam gjetur asnjë person nga firma ndërtuese./ZËRI
FOTOT/ Punëtori ra nga kati i 7-të dhe vdiq, pallati pa asnjë kusht sigurie

TIRANË- Pamjet që shihni tregojnë pallatin në ndërtim e sipër të kompanisë 'Andi Konstruksion", ku mëngjesin e kësaj të hëne humbi tragjikisht jetën 53-vjeçari Adrian Fejzullahu, pasi ra nga kati i shtatë. Siç mund të shihet objekti nuk ka asnjë kusht sigurie, mungojnë skelat dhe rrjeta mbrojtëse.




Këtë parregullësi e ka pranuar dhe një nga përgjegjësit e Inspektoriatit të Punës, pas inspektimit të kryer në objekt pas ngjarjes. Viktima kishte vetëm pesë ditë që kishte filluar punë, ndërsa kishte pak kohë që ishte kthyer nga Greqia, ku jetonte prej vitesh./ZËRI
EMRI/ 53-vjeçari vdiq në vendin e punës, arrestohet përgjegjësi i kompanisë nënkontraktore

TIRANË- Gerald Krrashi, përgjegjës i kompanisë nënkontraktore që kryente punimet në pallatin ku humbi jetën këtë të hënë 53-vjeçari Adrian Fejzullahu është vënë në prangat e Policisë së Tiranës. Raportohet se ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave në punë, me pasojë vdekjen”. Fejzullai kishte 5 ditë që kishte filluar punë në kompaninë “Andi Konstruksion”, e cila është në pronësi të Latif Mihës, i cli mban dhe detyrën e nënkryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve./ZËRI
53-vjeçari që vdiq në vendin e punës, punonte në pallatin e nënkryetarit të SHN! I vëllai: Duam drejtësi! Objekti pa skela e rrjetë

TIRANË- Adrian Fejzullahu, 53-vjeçari, i cili humbi tragjikisht jetën këtë të hënë në vendin e punës, në një pallat në ndërtim kishte vetëm 5 ditë që kishte filluar punë. Ai ishte nisur si çdo ditë, pa e ditur se kjo e hënë do të ishte dhe dita e fundit e jetës. Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në një pallat në ndërtim e sipër nga kompania “Andi Konstruktion”. Në momentin që ka rënë nga kati i 7 i pallatit, Fejzullahu ka qenë duke ngritur kovat me llaç.

Ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se administrator i komanisë që po ndërton pallatin, është Latif Miha, i cili është dhe nënkryetar i shoqatës së ndërtuesve, por dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Miha është 100% aksioner i kompanisë.

Pavarësisht se mban dhe detyrën e kreut të shoqatës së ndërtuesve, i cili duhet të ishte dhe shembull i respektimit të rregullave në punë, në fakt e vërteta është ndryshe. Siç mund të shihet dhe nga fotot, kompleksi ku humbi jetën 53-vjeçari mëngjesin e sotëm nuk ka as rrjetë mbrojtëse dhe as skela.

Mdërkohë në një prononcim për Report Tv, vëllai i viktimës ka deklaruar se ata kërkojnë drejtësi. Sipas tij, i ati i pronarit të pallatit u kishte thënë se kompania është e gatshme që të mbulojë shpenzimet, ndërsa shton se pas denoncimit të bërë prej tyre janë arrestuar vetëm dy perosna.
Vëllai i viktimës: Më mori në telefon shoferi i ambulancës nga telefoni i vëllait, pasi i kisha rënë më herët në celularë. Gjithë jetën ka punuar në ndërtim por prej një jave punonte në Kinostudio. Pasi më thirri shoferi i ambulancës e më tha është në gjendje të rëndë. Pastaj më tha se është e te morgu se ka vdekur. Kur shkova unë e gjeta të vdekur, ishte bërë sallatë, hemorragji e brendshme. Këto thonë i siguruar, po ku ta dimë ne, ata ashtu thonë. Ne kërkojmë drejtësi nga shteti. Shkuam dhe bëmë denoncimin te komisariati nr.4, pronarin e teknikun i ka arrestuar policia. I ati i pronarit na erdhi te shtëpia na tha që i marrim ne përsipër shpenzimet, do paguajmë varrimin. Jo, unë nuk kam nevojë për shpenzimet. Duam drejtësi si ka lënë gruan dhe nënë 80 vjeç. Nuk ia di emrin se nuk u prezantua, tha jam babai i pronarit të firmës. Tha do u mbuloj shpenzimet, i thashë nuk kam nevojë. Te morgu nuk kam gjetur asnjë person nga firma ndërtuese.
Ndërkohë faktin se në kantier nuk kishte kushte pune e ka pranuar dhe Inspektoriati i Punës. Në një prononcim për Abc News, përgjegjësi i inspektimit, Armando Loga tha se në objekt kishte mungesë skelash.
Armando Loga: Sapo morën vesh lajmin kemi qenë në objekt ku ndodhi incidenti. Kemi marrë të gjitha të dhënat, është bllokuar objekti. Është marrë masë urgjente dhe janë pezulluar të gjitha punimet në atë objekt. Punojnë vetëm ata që po merren me masat e sigurisë, ngritjen e skelave për të parandaluar incidente që mund të ndodhin në të ardhmen. Nga pamja fizike kishte mungesë të skelave. Procesi i inspektimit tashmë bëhen në portalin e inspektimit, çdo dokument që vërtetohet nga inspektorët nuk kanë asnjë mundësi ta shmangin apo tjetërsojnë sepse ngarkohet menjëherë në portal dhe nuk tolerojnë dot subjektin.
Vetëm këtë muaj në vend kanë humbur jetën 5 punëtorë në vendin e punës. Në 21 Maj në minierën e Martaneshin humbi jetën minatori Armand Peshku, dhe po në 21 maj në një gurore në Vlorë, humbi jetën punëtori Jurgen Veshaj. Në 9 Maj në Shëngjin humbi jetën pasi ra nga lartësia punëtori i ndërtimit Emiljano Frroku, ndërsa dy ditë më pas në Shëngjin humbi jetën në punë punëtori i ndërtimit Dedë Gjoni. Ndërsa sot Adrian Fejzullai. Të gjitha rastet bashkohen në një pikë…në mosrespektimin e rregullave në punë. Deri më tani nuk ka asnjë reagim serioz nga institucionet që kanë përgjegjësi për kushtet e punëtorëve, por mbi të gjitha për jetën…/ZËRI
5 viktima në punë brenda muajit! Vdes 28-vjeçari në Tiranë, ra nga lartësia e pallatit

TIRANË- Një tjetër rast tragjik i aksidenteve në punë shënohet këtë të hënë në vendin tonë. Viktimë ka mbetur një 28-vjeçar, i cili ka rënë nga lartësia e pallatit ku ishte duke punuar në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Kushtet e sigurisë në punë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Prodhojnë çdo vit dhjetra viktima në vendin tonë. Jo më larg se dy javë më parë dy viktima u shënuan në Shëngjin, pa harruar vdekjet në miniera apo në sektorë të tjerë të punës fizike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 27.05.2024, rreth orës 08:20, në rrugën “Aleksandër Mojsiu”, në një pallat në ndërtim e sipër, duke punuar ka rënë nga lartësia shtetasi A. F., 28 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e ka quajtur alarmante vdekjen e 5 personave në vetëm një muaj në vendin tonë.
KSSH shprehet se shkak i aksidenteve në punë dyshohet mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë, teksa Inspektoriati i Punës vijon të jetë në gjumë dimëror.
“Alarm, 5 të vdekur nga aksidentet në punë në 1 muaj! Në një kantier ndërtimi në Tiranë sot u shënua tragjedia e radhës, kur një 28 vjeçar humbi jetën pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme.
Edhe këtë herë shkak i aksidentit në punë dyshohet mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë, teksa Inspektoriati i Punës vijon të jetë në gjumë dimëror.
KSSH i shpreh ngushëllime familjes dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky është aksidenti I 5 në punë më viktima për këtë muaj.
Në 21 Maj në minierën e Martaneshin humbi jetën minatori Armand Peshku, dhe po në 21 maj në një gurore në Vlorë, humbi jetën punëtori Jurgen Veshaj.
Në 9 Maj në Shëngjin humbi jetën pasi ra nga lartësia punëtori i ndërtimit Emiljano Frroku, ndërsa dy ditë më pas në Shëngjin humbi jetën në punë punëtori i ndërtimit Dedë Gjoni.
Këto shifra janë dramatike për një vend të vogël si Shqipëria, ndaj institucionet që mos qëndrojnë indiferente.”/ZËRI