Shqipëria e para në grupin E, Sylvinho: Barazim që qëndron

TIRANË- Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Shqipërisë, Sylvinho u shfaq i kënaqur për kualifikimin në Euro 2024, por barazimi pa gola me Ishujt Faroe duket se nuk i ka lënë aspak një shije të mirë.
"Ja thashë edhe trajnerit të tyre që kanë një skuadër të mirë.Ata janë një skuadër e mirë me kurajo, që lënë gjithçka në fushë. Edhe Çekia e Polonia e kanë pasur të vështirë, për fat luanim këtu të kualifikuar dhe barazimi qëndron. Kishim pak kohë në stërvitjet me ekipin, është e vështirë të ndryshosh skemë dhe të luash me dy sulmues. Lëvizjet në fushë ndryshojnë, mesfusha është me dy lojtarë, në 30 minutat e fundit qëndronte edhe të luanim me dy sulmues. Por, kështu janë ata e kanë treguar me Çekinë dhe Poloninë. Ishte një ndeshje e vështirë për t’u interpretuar. Stilolapsi për fat? Nuk është për bestytni, por kur ulem në stol mbaj shënim dhe më duhet. Më ndihmon të mbaj edhe tensionin lart", u shpreh Sylvinho.
Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 0-0 kundër Ishujve Faroe. Pas sfidës u organizua një festë në kuadër të kësaj arritjeje madhështore, ku përveç lojtarëve, të cilët u mblodhën para mijëra tifozëve, në “mitikun” “Air Albania” në fushën e blertë u fut edhe trajneri Sylivnho, i cili foli përshëndeti në shqip të pranishmit në stadium. Shqipëria e kishte siguruar kualifikimin tre ditë më parë pas barazimit 1-1 në Moldavi dhe trajneri Sylvinho ia lejoi vetes që në përballjen me Ishujt Faroe të bënte pesë ndryshime në formacionin titullar, krahasuar me ndeshjen e pak ditëve më parë./Zëri.ai
Shqipëria barazon me Ishujt Faroe, por e mbyll si e para në grup!

TIRANË- Shqipëria nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Ishujve Faroe në Air Albania në Tiranë, por është kualifikuar për në Europian si e para e grupit E.
Ekipi ynë kombëtar kishte disa raste për shënim, por edhe miqtë bënë një lojë të mirë në Tiranë. Pavarësisht rasteve për shënim, çdo gjë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Kështu, Shqipëria mbyll kualifikueset për në Europian si e para e Grupit E me 15 pikë. Po kaq pikë ka dhe Çekia, por jemi të parët nga golavarazhi më i mirë. Përveç Shqipërisë, në Europianin e Gjermanisë shkon edhe Çekia. Çekët shkatërruan 3:0 Moldavinë në Pragë, duke mos diskutuar për asnjë moment kualifikimin.

Tashmë do të duhet të presim datën 2 dhjetor, kur do të hidhet edhe shorti për grupet e Europianit të Gjermanisë. Shqipëria do të mësojë në short ekipet me të cilat do të përballet./Zëri.ai/
Asgjë e re nga Air Albania, 45 minutat e para mbyllen në barazim

TIRANË – Është mbyllur në barazim pa gola pjesë e parë mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe. Në 45 minutat e para nuk u regjistruan shumë raste për gol, teksa përfaqësuesja jonë ishte më këmbëngulëse dhe dominoi sfidën.
Momenti më i mirë ishte ai i Nedim Bajramit, që tentoi të befasojë kundërshtarët, në një aksion krejtësisht individual. Edhe pse aksioni ishte tejet i bukur dhe i përfunduar me sukses, portieri kundërshtar priti gjuajtjen e numrit 10 të Shqipërisë.
Ekipi ynë përfaqësues dominoi ndeshjen në mënyrë të qartë, teksa mbajti topin 64 përqind gjatë ndeshjes. Po ashtu, Shqipëria gjuajti 3 herë në portë, por nuk arriti të realizojë. 3 herë gjuajtën edhe miqtë drejt portës sonë, por pa ndonjë sukses.
Shqipëria vazhdon të jetë në krye të Grupit E. Në sfidën tjetër të grupit, Çekia kryeson 1:0 ndaj Moldavisë. Ëndrra europiane për moldavët po venitet, pasi iu duhet të përmbysin gjithçka në Pragë. Pritet të shihet se çfarë do ndodhë në 45 minutat e dyta të ndeshjeve të Grupit E./Zëri.ai/
Rama në stadium për të mbështetur Kombëtaren

TIRANË – Ndërsa tifozë nga gjitha trevat shqiptare janë të pranishëm në stadium për të parë sfidën mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, nuk kishte si të mungonte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Siç mund të shikohet nga fotot e ZËRI-t, Rama ndodhet pranë kreut të FSHF-së Armand Duka. Ai shoqërohet nga bashkëshortja Linda Rama.
Rama ka qenë i pranishëm në stadium, edhe në sfidat e tjera që ka zhvilluar Shqipëria, në ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
Më tepër bujë mediatike bëri prezenca e kryeministrit Rama në sfidën ndaj Çekisë. Ai dhe kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti ishin në stadium, ndërsa festuan në tribuna të ndryshme, larg njëri-tjetrit.
Shqipëria ka siguruar tashmë kualifikimin në Europianin e Gjermanisë dhe sonte synohet vendi i parë në Grupin E./Zëri.ai/
Shpaloset flamuri gjigand në Air Albania, nis sfida Shqipëri-Ishujt Faroe

TIRANË- Ka nisur në Air Albania ndeshja mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe. Atmosfera në stadium ka qenë elektrizuese, në këtë sfidë, e cilësuar edhe si festive. Ashtu siç pritej, në stadium u shpalos flamuri gjigand, ndërsa tifozët kanë kënduar në kor himnin kombëtar.
Shqiperia synon që të ruajë vendin e parë në Grupin E, ndërsa Ishujt Faroe të dalin me kokën lart nga kjo fushatë eliminatorësh.

Përpos sfidës Shqipëri-Ishujt Faroe, paralelisht luhet edhe ndeshja tjetër e grupit, mes Çekisë dhe Moldavisë. Fituesja e duelit në Pragë do të shkojë në Europianin e Gjermanisë. Një barazim bën që të kualifikohen çekët.

Shqipëria kryeson grupin me 14 pikë, ndjekur nga Çekia dhe Moldavia. Përfaqësuesja jonë është kualifikuar tashmë në Euro 2024./Zëri.ai/
FOTOLAJM-'Ka dek për atdhe'/ Si po festojnë tifozët kuqezi në Tiranë

TIRANË-Tekas orari i sfidës Shqipëri-Ishujt Faroe, tifozët kuq e zi kanë ndezur atmosferën. Të ardhur në kryeqytet nga të gjitha trevat, kanë festuar duke kënduar në kor. Në sheshin “Skënderbej” festa ka filluar, tifozët janë mbledhur jo vetëm për të festuar për kualifikimin e ditës së premte, por edhe për fitoren që Kombëtarja premton sot ndaj Ishujve Farove.
Shqipëria, e cila edhe pse tashme e kualifikuar në EURO 2024 synon të marrë edhe një fitore në shtëpi me Ishujt Faroe. Pas ndeshjes në stadium do ketë një koncert me këngë dhe valle. Shqipëria luan sonte në orën 20:45 minuta sfidën e fundit të kualifikueseve të Euro 2024. Ekipi ynë përfaqësues synon të mbajë vendin e parë në grup, pasi është kualifikuar tashmë në Europianin e Gjermanisë/Zëri.ai
Sylvinho përzien kartat, del formacioni i Shqipërisë ndaj Ishujve Faroe
TIRANË – Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, trajneri i Shqipërisë, Sylvinho ka kryer 5 ndryshime në formacionin e Kombëtares, në sfidën e sotme përballë Ishujve Faroe.
Duke qenë se Kombëtarja jonë e ka siguruar një vend në Europian, Sylvinho ka provuar të fusë një formacion, ndryshe nga sfidat e mëparshme.
Kështu, Sylvinho ka besuar në portë Thomas Strakoshën në vend të Etrit Berishës. Në mbrojtje do të jetë Ivan Balliu në vend të Elseid Hysajt. Në mesfushë aktivizohet Keidi Bare dhe do jetë pushim Ramadani, një nga lojtarët më të mirë në këto kualifikuese.
Edhe reparti i sulmit njeh ndryshime të rëndësishme. Janë rikthyer si titullarë Myrto Uzuni dhe Daku, ndërsa janë lënë pushim në këtë sfidë Seferi dhe Cikalleshi. Formacioni është 4:3:3. Shqipëria do të luajë këtë mbrëmje përballë Ishujve Faroe, në sfidën e vlefshme për Euro 2024. Përfaqësuesja jonë është kualifikuar tashmë në Europian.
Shqipëria (4-3-3): Strakosha, Ismajli, Gjimshiti, Balliu, Mitaj, Asllani, Bare, Uzuni, Bajrami, Asani, Daku Trajner: Sylvinho./Zëri.ai/
'Kallet' atmosfera, tifozët kuq e zi ‘skuqin’ bulevardin e Tiranës

TIRANË – Sa më tepër afron orari i sfidës Shqipëri-Ishujt Faroe, më e flaktë bëhet atmosfera në Tiranë. Tifozët kuq e zi, të ardhur në kryeqytet nga të gjitha trevat, kanë festuar duke kënduar në kor.
Ata kanë nisur të drejtohen tashmë drejt stadiumit, duke krijuar atmosferë festive. Bulevardi është ‘skuqur’ nga fishekzjarrët e tifozëve.
Tifozët dëgjohen duke thirrur “Shqipëri ole, ole”. Ata janë të pajisur me shallë, mbishkrime kombëtare dhe disa edhe me qeleshe.
Shqipëria luan sonte në orën 20:45 minuta në Air Albania ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Euro 2024 përballë Ishujve Faroe. Kombëtarja është kualifikuar në Europianin e Gjermanisë, ndërsa objektivi mbetet që të ruhet vendi i parë në grup./Zëri.ai/
Gjithçka gati! Tifozët kuqezi nisen për stadium, Tirana 'mbulohet' kuqezi

TIRANË- Ora është 19.00 dhe ka ende më shumë se një orë kohë deri në nisjen e ndeshjes së fundit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Në pamjet e siguruara nga ZËRI, tifozët duken që janë nisur për në ambientet e stadiumit "Air Albania". Të veshur me fanellat e Kombëtares dhe me flamuj në duar, do të festojnë sot bashkë me grupin e futbollistëve.
Shqipëria luan sonte në orën 20:45 minuta sfidën e fundit të kualifikueseve të Euro 2024. Ekipi ynë përfaqësues synon të mbajë vendin e parë në grup, pasi është kualifikuar tashmë në Europianin e Gjermanisë./Zëri.ai
‘T’fala Berlinit’, tifozët kuq e zi nisin festën në Tiranë

TIRANË – Pak përpara nisjes të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe në Air Albania, tifozët kuq e zi kanë nisur festën. Shumë tifozë janë parë në rrugët e kryeqytetit shqiptar, duke festuar e kënduar së bashku.
“Të fala Parisit, e të fala Berlinit, jemi ushtarë të Isa Boletinit. Të fala Parisit e të fala Beogradit, jemi ushtarë të Adem Jasharit”, dëgjohen duke kënduar tifozët. Më pas, tifozët kanë thirrur në kor “Shqipëri etnike”, të veshur me bluza me simbole kombëtare.
Grupe të ndryshme tifozësh janë mbledhur në Tiranë, duke festuar nëpër lokale dhe sheshe të kryeqytetit.
Shqipëria luan sonte në orën 20:45 minuta sfidën e fundit të kualifikueseve të Euro 2024. Ekipi ynë përfaqësues synon të mbajë vendin e parë në grup, pasi është kualifikuar tashmë në Europianin e Gjermanisë./Zëri.ai/
FSHF anulon biletat për Plisat. Tifo-grupi arrin në Tiranë: Gjithmonë me Shqipërinë

TIRANË – Grupi i tifozëve nga Prishtina, Plisat, nuk do të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe, që luhet sonte në orën 20:45 minuta në Air Albania. FSHF nuk ka akorduar biletat për grupin, ashtu siç ndodh gjithmonë para një sfide të Kombëtares.
‘Krisjen’ mes palëve mësohet se e ka shkaktuar një banderolë, e cila është shpalosur në sfidën ndaj Çekisë. Fraza e prezantuar nga Plisat në stadium, “Mallkue qoftë kush nuk na do bashkë” është bërë shkak për krisjen e raportit.
Plisat kanë ardhur në Tiranë, ndërsa kanë reaguar pas vendimit të FSHF-së. Ata shprehen se do të jenë pranë Shqipërisë, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.
“Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë perfunduar misionin e tyre, ME SUKSES. Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njejtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, "kriminelat", "tradhëtarët"... ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.
Nuk ka bileta - nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve.
Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa - edhe në ditë të vështira.
Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT' SHQIPNI. Shihemi në Gjermani!”, shkruan grupi i tifozëve.
Plisat janë grup tifozësh nga Prishtina, që nuk e kanë mbështetur asnjëherë Kombëtaren e Kosovës. Ata kanë qenë kundër idesë që një komb të ketë dy Kombëtare. Edhe pse të përjashtuar nga FSHF, ata janë në Tiranë dhe sa duket, do ta mbështesin Kombëtaren dhe në këtë ndeshje./Zëri.ai/
Flamuri gjigand futet në stadium, ç’pritet të ndodhë gjatë ndeshjes?

TIRANË – Shqipëria luan sonte në orën 20:45 minuta përballë Ishujve Faroe, teksa ka për synim objektivin për të qëndruar në vendin e parë në Grupin E.
Një sërë surprizash janë zbuluar për këtë sfidë. Një nga suprizat është se tifozët kanë në dorë një flamur gjigand dhe ky flamur është futur tashmë edhe në Air Albania.
Flamuri duket gjigand në përmasa dhe të kujton flamurin e shpalosur nga tifozët shumë vite më parë, teksa Shqipëria fitonte ndaj Greqisë, pas shpalljes së këtyre të fundit kampionë të Europës.
Siç shihet në videon e Zëri.ai, flamuri është në duart e tifozëve. Me shumë gjasa, ai do të shpaloset në shkallët e stadiumit gjatë mbrëmjes së sotme.
Kjo mbrëmje është parashikuar të jetë festive, teksa pritet të performojë këngëtarja Juliana Pasha, ansambli popullor, si dhe do ketë një festë me fishekzjarre./Zëri.ai/
Një mbrëmje për të mos u harruar! Ç'ka programi festiv për Kombëtaren

TIRANË – Shqipëria mbyll sot rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm drejt Europianit të Gjermanisë të vitit 2024, teksa luan në orën 20:45 minuta me Ishujt Faroe, ekipin që ndodhet në fund të klasifikimit të grupit E.
Kjo ndeshje është konceptuar si një festë për Kombëtaren dhe tifozët. Edhe pse tifozdashësit kanë thënë se ndeshja e sotme do të jetë festë, trajneri shqiptar Sylvinho ka deklaruar në konferencë për media se kundërshtari do të trajtohet me seriozitet dhe futbollistët hyjnë në fushë për të mbrojtur vendin e parë.
Ndërsa në fillim të kualifikuesve, shpresonim që të ishim së paku të dytët në grup, tashmë kemi objektiv luksi, atë për të qenë në krye të Grupit E. Duke pasur parasysh se përballë është një kundërshtar si Ishujt Faroe, të cilin e kemi mundur në fushë kundërshtare 3:1, ky objektiv mbetet relativisht i lehtë.
Këtë mbrëmje, është konceptuar që të ketë festë kuq e zi. Programi artistik festiv nis që me mbarimin e pjesës së parë të sfidës. Grupi i ansamblit do të performojë përballë tifozëve të pranishëm në stadium, gjatë pauzës 15-minutëshe. Pas ndeshjes, do kemi një program me muzikë dhe koreografi, nga ana e tifozëve kuqezi. Ndërsa, këngëtarja e njohur Juliana Pasha do të këndojë disa këngë patriotike për të ndezur atmosferën. Ndërsa, pas gjithë kësaj, të gjithë futbollistët, stafi teknik i Kombëtares dhe zyrtarët e FSHF, edhe vetë presidenti do jenë të pranishëm, teksa në qiell do të ndizen fishekzjarre.
Ndërsa, tifozët e kanë vendosur tashmë edhe moton e Shqipërisë në Europian. Ajo është marrë nga një prej këngëve më të bukura patriotike shqiptare, “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”. Shqipëria sfidon në orën 20:45 minuta Ishujt Faroe, teksa objektivi i Kombëtares është që të qëndrojnë në vendin e parë në grup./Zëri.ai/
Statistikat mbresëlënëse, Shqipëria nuk ka pësuar gol në shtëpi

TIRANË – Shqipëria është duke kaluar një formë të shkëlqyer, teksa ndodhet në vendin e parë në Grupin E dhe ka siguruar tashmë kualifikimin në Europianin e Gjermanisë.
Statistikat e ekipit tonë përfaqësues janë mbresëlënëse. Golavarazhi i përfaqësues sonë është tepër i mirë, me 8 gola plus, teksa ka shënuar 12 gola dhe ka pësuar 4 gola. Ky golavarazh mund të thellohet akoma më tepër gjatë mbrëmjes së sotme.
Shqipëria ka shënuar gol në çdo ndeshje, përveç asaj në Poloni, ku humbi 1:0. Por, Kombëtarja ka një rekord në fushën e saj, teksa nuk ka pësuar asnjë gol. Vetëm Franca nuk ka pësuar gol në fushën e saj në eliminatoret e Europianit. Katër golat, Shqipëria i ka pësuar në fushë kundërshtare.
Golat e shënuar nga përfaqësuesja nuk janë realizuar nga një futbollist apo dy, por nga lojtarë të ndryshëm. Në mesin e golashënuesve janë Bajrami, Asani, Seferi, Asllani, Muçi, Daku e Cikalleshi. Golashënuesit janë sulmues, por edhe mesfushorë. Si asnjëherë më parë, Shqipëria ka marrë 7 rezultate pozitive rresht, teksa ka fituar 5 herë e ka barazuar në 2 sfida. Një prej këtyre ndeshjeve është miqësore. Statistikat flasin për një ekip ndryshe, më i organizuar dhe ku çdokush ka një rol të veçantë.
Flamuri gjigand shpaloset para sfidës me Ishujt Faroe
Sonte në orën 20:45 minuta, Shqipëria do të luajë ndaj Ishujve Faroe në Air Albania. Ekipi kombëtar ka siguruar tashmë kualifikimin në Euro 2024, ndërsa mbrëmja pritet të jetë festive.

Një detaj i veçantë është vënë re këtë mbrëmje pranë stadiumit. Një flamur gjigand është shpalosur nga tifozët. Flamuri ngjason me atë gjigand, të shpalosur nga tifozët në ndeshjen ndaj Greqisë, më datë 4 shtator 2004, kur Shqipëria fitoi 2:1, në një sfidë, që mbahet mend nga të gjithë tifozët shqiptarë./Zëri.ai/
'Euro 2024'/ Shqipëria e para në grup, Tirana në festë
Ndeshja me Ishujt Faroe, policia: Kemi marrë masa dhe për festimet

TIRANË - Policia e Shtetit, me anë të një njoftimi, ka lajmëruar masat që do të marrë sonte për ndeshjen Shqipëri-Ishujt Faroe, që do të luhet në orën 20:45 minuta në Air Albania. Policia shprehet se ka marrë masa për të garantuar masat dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas mbarimit të sfidës, me qëllim që atmosfera sportive të mos vetnitet nga ndonjë incident.
Efektivët deklarojnë se apelojnë tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.
Po ashtu, policia ka marrë masa edhe për të mos pasur ngjarje të pakëndshme në lokale e sheshe, ku pritet të ketë festime.
Njoftimi i policisë:
Mbrëmja e sotme ku do të luhet ndeshja “Shqipëri – Ishujt Faroe”, në stadiumin “Air Albania”, është padyshim një mbrëmje festive për të gjithë shqiptarët.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit sportiv, me qëllim që atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje të mos venitet nga ndonjë incident.
Apelojmë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, Policia ka marrë të gjitha masat edhe për festimet që do të zhvillohen pas ndeshjes, në sheshe, lokale dhe në rrugët e vendit, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, që të festojnë në mënyrë të kulturuar, që ta vulosim këtë fitore të kombëtares sonë, me vulën e imazhit më pozitiv të vendit.
Shqipëria luan sonte në orën 20:45 minuta përballë Ishujve Faroe, në ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Euro 2024. Ekipi ynë kombëtar ka siguruar kualifikimin, ndërsa pretendon vendin e parë në grup./Zëri.ai/
SHPJEGIMI: Shqipëri-Ishujt Faroe, për çfarë luajnë sonte kuqezinjtë

TIRANË – Shqipëria luan sot ndeshjen e fundit kualifikuese përballë Ishujve Faroe në Arena Kombëtare në orën 20:45 minuta. Edhe pse tashmë jemi të kualifikuar në Europianin e Gjermanisë, Kombëtarja do të luajë gjithçka për të marrë kreun e grupit E.
Në të njëjtën kohë, kur luan Shqipëri-Ishujt Faroe, do të jetë edhe sfida tjetër e grupit, ajo mes Republikës Çeke dhe Moldavisë. Finalja e vërtetë këtë herë është ndeshja që luhet në Pragë. Fituesja e sfidës shkon në Euro 2024.
Shqipëria luan për vendin e parë në grup dhe për të arritur këtë objektiv, duhet të fitojë ose barazojë me Ishujt Faroe. Edhe nëse humbasim sot, nëse ruajmë vendin e parë apo jo në grup, varet nga rezultati i ndeshjes mes Çekisë dhe Moldavisë.

Ndërkaq, është paralajmëruar për 6 ndryshime në formacion gjatë ndeshjes së sotme. Në portë, në vend të Berishës, pritet të jetë Thomas Strakosha. Në mbrojtje,, pritet të aktivizohet Balliu në vend të Hysaj. Në mesfushë, pritet të aktivizohet Bare. Ndërsa, në sulm mund të shohim ndryshime domethënëse. Në repartin e sulmit priten të luajnë Uzuni, Muçi dhe Daku.
Ndërsa, sa i përket vazos në short, tashmë është e vulosur. Shqipëria do të jetë në vazon e dytë në shortin për grupet e Europianit. Është e sigurt se në Europian do të kemi në grup një Kombëtare të madhe. Pesë skuadra do të jenë kokë grupi në Euro 2024 dhe do jenë Kombëtaret, që në grupet respektive kanë grumbulluar më tepër pikë. Shqipëria nuk është mirë në këtë aspekt, pasi edhe me fitoren ndaj Ishujve Faroe, do të shkojë maksimumi 17 pikë.
Por, ka Kombëtare të tjera që në grupet e tyre janë në krye dhe kanë më shumë pikë. Spanja ka grumbulluar 21 pikë, Franca 21, Anglia deri tani 19, Turqia 16 pikë, por nuk ka luajtur ende një sfidë, Belgjika 20, Hungaria 18, Danimarka 22, Rumania 19, ndërsa Portugalia ka fituar të gjitha ndeshjet e ka 30 pikë.
Shqipëria luan sot vetëm për të rrëmbyer vendin e parë në grup, pasi çdo gjë tjetër është vendosur. Shorti për përcaktimin e grupeve të Euro 2024 hidhet më 2 dhjetor. Me patjetër do të përballemi me një ekip Big. UEFA organizon ceremoninë në atë datë në orën 18:00 në Hamburg, ku do të mësohet rrugëtimi i secilës skuadrës që është kualifikuar në këtë turne, por dhe atyre që nuk kanë siguruar ende pjesëmarrjen, pasi në mars luajnë në play-off. 3 vende do të lihen bosh, për ekipet që dalin nga play offet.
Tashmë është çdo gjë gati. Jemi në Europian dhe do të përballemi me një skuadër të fortë. Shqipëria ka arritur të përballojë mjaft mirë ekipe si Çekia dhe Polonia, që kanë kualitete të shumta në skuadër. Kështu, që me siguri do jetë e përgatitur edhe për një sfidë me një nga “gjigandët” e Europës!/Zëri.ai/