LIVE UPDATES

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i komisariatit në Laç, 3 në kërkim

➤ Finalizohet aksioni "Flakë në det"! ➤ Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka prerë disa urdhër-arreste, një prej tyre për shefin e Komisariatit të Kurbinit, Dritan Meta. ➤ Në një konferencë urgjente për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se SPAK ka lëshuar 4 urdhër arreste ndërsa mes të arrestuarve rezulton është shefi i komisariatit në Laç, Dritan Meta ndërsa 3 të tjerë janë në kërkim. ➤ Bëhet fjalë për Gëzim Çelën, Arben Dalipaj dhe Roland Guzon, secili banues në Kurbin, Vlorë dhe në Durrës. ➤ Sipas Rrumbullakut, shefi i Komisariatit Meta ishte në mbështetje të grupit kriminal që nga emërimi i tij në Kurbin në mars të këtij viti. ➤ Po ashtu, Rrumbullaku ka informuar se SPAK po vijon operacionin për të sekuestruar pasuritë e 3 personave. Bëhet fjalë për pasuritë e Gëzim Çelës, Blerim Çelës dhe Arlind Ismajlukajt. ➤ Aksioni është vazhdimi i operacionit "Flakë në det", i finalizuar në gusht të këtij viti. ➤ Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det” të ndërmarrë në gusht 2023 u arrestuan disa persona, mes tyre dhe nipi i Gëzim Çelës, Neritani: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë. ➤ Ndëkohë Gëzim Çela ende nuk ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit. ➤ "Baroni i Fushë Kuqes", Gëzim Çela akuzohet për veprat penale “Trafikimit i lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”, si dhe për shfrytëzim prostitucioni. ➤ Ai ka qenë më herët subjekt i “OFL”-së teksa ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë. ➤ Aktiviteti i Çelës ka nisur pak më herët se në vitin 2014 kur në bashkëpunim me persona nga Kosova kanë krijuar një rrjet të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Kosovës dhe Shqipërisë për ta shpërndarë më pas në të gjithë Europën dhe më tej.

5 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

'Uniformat blu' i bashkohen krimit? Rrumbullaku: Askush nuk i shpëton darës së drejtësisë

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i
Muhamet Rrumbullaku

TIRANË- Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se në kuadër të operacionit 'Flakë në Det', janë shpallur në kërkim 3 persona. Sipas Rrumbullakut, të tre ndodhen jashtë vendit. Por hodhi poshtë pyetjen e një prej gazetarëve që ngriti dyshime lidhur me një dekonspirim të operacionit. Po ashtu, theksoi se kërkon të ruajë imazhin e Policisë së Shtetit, duke pastruar individët e përfshirë me botën. 

PYETKE Kur kanë ikur nga Shqipëria personat që janë shpallur në kërkim?

Rrumbullaku: Roli i shefit të Komisariatit mund të themi që gjithçka që është vënë në dispozicion vërteton rolin e tij në mbështetje të grupit kriminal. Nga të gjitha informacionet, kemi që nga gushti që e ndjekim këtë proces. Unë iu deklaroj se personat në kërkim ndodhen jashtë Shqipërisë. Policia Gjyqësore po vazhdon dhe ndjek dokumentimin e veprimtarive të paligjshme. Askush nuk i shpëton darës së drejtësisë. Kërkoj të ruajmë imazhin e Policisë së Shtetit. Nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj dekonsirimi. Unë kam dijeni prej kohësh në lidhje me hetimin. 

Aksioni është vazhdimi i operacionit "Flakë në det", i finalizuar në gusht të këtij viti. Rrumbullaku, bëri me dije se masa ‘arrest me burg’ është lëshuar për shtetasit; Gëzim Çela, Arben Dalipaj, Roland Guzo si dhe Dritan Meta, shef i policisë Laç. Këta persona akuzohen për trafik droge. Ndërkohë, ekzekutimi i masës në fjalë, është bërë vetëm për shefin e Komisariatit Meta, ndërsa personat e tjerë janë jashtë vendit./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Aksioni i SPAK, kryepolici jep detajet: 1 i arrestuar, 3 në kërkim, ndodhen jashtë shtetit

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i
Muhamet Rrumbullaku

TIRANË- Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka dalë në një konferencë për mediat lidhur me aksionin në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas kryepolicit, mes të arrestuarve është vënë në pranga edhe ish-shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Meta. Ky i fundit u emërua në Kurbin në mars të këtij viti. Po ashtu, bëri me dije se janë shpallur në kërkim Gëzim Çela, Arben Dalipaj banues Vlorë, Roland Muza banues në Durrës. Sipas Rrumbullakut ndodhen jashtë vendi.

NJOFTIMI I PLOTË:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, konferencë për shtyp, mbi rezultatet e hetimeve të kryera në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det”, i zhvilluar në bashkëpunim me partnerët, më datë 15.08.2023. Përshëndetje, Jam sot këtu për të bërë prezente rezultatet e hetimeve të thelluara të kryera në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Flakë në det”, për goditjen e një rasti të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, rezultate të cilat dëshmojnë as më shumë e as më pak, por atë që kemi demonstruar vazhdimisht, vendosmërinë tonë në luftën kundër krimit dhe veçanërisht formave të organizuara të tij. Fillimisht, dua t’ju sjell në vëmëndje dinamikën e megaoperacionit “Flakë në det”, i cili u organizua në bazë të inteligjencës policore dhe u realizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, GDF-në, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe FRONTEX-in. Në vijim të punës për goditjen e grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, Policia e Shtetit që në fillim të këtij viti, ka shtuar masat për monitorimin në terren, duke përdorur të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore që ka në dispozicion. Në përmbushje të këtij prioriteti dhe në zbatim të motos “Kufij të pakalueshëm për krimin e organizuar”, u zhvillua dhe u finalizua dhe megaoperacioni policor “Flakë në det”. Megaoperacioni filloi menjëherë pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen e një mjeti lundrues të shpejtë, nga laguna e Patokut, në drejtimin jug-perëndim. Ky mjet lundrues ka kontaktuar në det në një distancë 12 milje një tjetër mjet lundrues tip Velierë, dhe dyshohet se shtetasit në këto 2 mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në megaoperacion u përfshinë avionët e FRONTEX-it, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjete të GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e velierës. Shtetasit që ndodheshin në velierë, sapo kanë konstatuar se ishin të rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe me një barkë të vogël shpëtimi, kanë tentuar të largohen, por janë kapur në flagrancë. Në të njëjtën kohë kur u nderhy nga deti, Forcat Speciale “RENEA” ndërhynë nga toka, në ambientet e një lokali në lagunën e Patokut, ku qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. Në vijim, u shoqëruan në Polici dhe u arrestuan 4 shtetas shqiptar dhe 2 shtetasit ukrainas të cilët u kapen në mjetin e vogël lundrues, në afërsi të velierës, të cilës i kishin vënë zjarrin. Në cilësinë e provës materiale, gjatë megaoperacionit “Flakë në det” u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera. Gjithashtu, u sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, e gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS. Në vijim të hetimeve intensive dhe të pandërprera në kuadër të operacionit “Flakë në det”, të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata krimianle dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit: Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe; Arben Dalipaj, banues në Vlorë; Roland Guza, banues në Durrës; Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç.

Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shefin e Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, ndërsa 3 shtetasit e tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, po punon intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre, pasi nga informacionet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se këta 3 shtetas janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdon operacioni në terren për sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve Gëzim Çelaj, Nderim Çelaj, Arlind Ismailukaj dhe personat e tjerë të lidhur me ta, duke përfshirë shoqërinë tregëtare, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera. Megaoperacioni ”Flakë në det”, hetimet e kryera dhe veprimet e sotme, konfirmojnë vendosmërinë e Policisë, për të luftuar në bashkëpunim me partnerët krimine organizuar, por edhe përforcojnë këmbënguljen tonë për t’u vetëpastruar nga çdo individ, i cili uniformën e Policisë e përdor në shkelje të betimit të tij, duke mos i shërbyer shërbyer ligjit, shoqërisë, mbrojtjes së jetës dhe të drejtave të qytetarëve. Duke përfituar nga rasti, i bëj thirrje çdo qytetari, që të mos hezitojë të informojë për çdo veprim të punonjësve të Policisë në shkelje të detyrës, pasi vetëpastrimi në radhët e Policisë së Shtetit, nuk është për ne një fushatë, por një prioritet dhe një proces i pandërprerë për të ndërtuar një Polici me integritet të lartë moral e profesional, për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Siguroj qytetarët se Policia e Shtetit, është maskimalisht e vendosur për të luftuar me forcën e ligjit çdo fenomen kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike, si dhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm si dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijojnë operacionet për goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Aksioni i SPAK/ Prangoset shefi i Komisariatit të Kurbinit (FOTOJA)

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i
Dritan Meta

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se është provuar që shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta në grupin e strukturuar kriminal.

"Kemi dokumentuar të gjithë rolin dhe përfshirjen e tij në mbështetje të grupit të strukturuar kriminal. Për hollësi të mëtejshme ia lëmë hetimit,"-tha në fjalën e tij Rrumbullaku.

Rrumbullaku, bëri me dije se masa ‘arrest me burg’ është lëshuar për shtetasit; Gëzim Çela, Arben Dalipaj, Roland Guzo si dhe Dritan Meta, shef i policisë Laç. Këta persona akuzohen për trafik droge. Ndërkohë, ekzekutimi i masës në fjalë, është bërë vetëm për efektivin Meta, ndërsa personat e tjerë janë jashtë vendit./Zëri.ai

 

1 VITE ME PARE

"Flakë në det", në gusht iu vu flaka velierës me drogë, SPAK 'ndjek' gjurmët

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i
Foto ilustruese

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka prerë "fletë-arresti" për një megaaksion me bazë në Fushë Kuqe. Sipas të dhënave paraprake, raportohet se aksioni është vijim i operacionit "Flakë në det", i këtij viti. Në pranga përfunduan: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i
Brenda Velierës

Operacioni anti-drogë u zhvillua nga policia shqiptare në bashkëpunim me Gurdia di Finanza. Operacioni nisi pasi strukturat monitoruese në terren, vunë rë lëvizjën me shpejtësi të një gomonie, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin. Gomonia është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas trafikantët që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries. Trafikantët e drogës që ndodheshin në veliera, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë. 

Mesa duket kjo metodë trafiku droge, edhe pse është kapur njëherë, sërish është përdorur nga "transportuesit"./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Aksion nga SPAK/ Rrethohet Gëzim Çela në Fushë Kuqe, në pranga edhe një shef komisariati

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i
Gëzim Çela

TIRANË- Aksion nga SPAK, rrethohet lokali i Gëzim Çelës në Fushë Kuqe, i cili është ende në kërkim. Operacioni është shtrirë në disa qytete, konkretisht më: Durrës, Tiranë, Krujë, Vlorë. Deri më tani burime për "Zëri.ai" kanë bërë me dije se janë lëshuar disa fletë-arreste. Paraprakisht është mësuar se ka përfunduar në pranga një shef komisariati dhe disa efektivë policie. Por duket se kemi të bëjmë me një aksion të rëndësishëm për të cilin edhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku do të dalë në një konferencë për mediat.

"Përshëndetje kolegë. Në orën 18.30 në DPPSh, Drejtori i Përgjithshëm i PSh do zhvillojë një konferencë për shtyp,"-bën me dije Policia e Shtetit. 

Po kush është Gëzim Çela?

SPAK aksion tek banesa e Gëzim Çelës/ Në pranga shefi i

Gëzim Çela është një emër i njohur për "blutë e vendit", madje në vitin ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit. Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, Policia i gjeti 18 kilogramë kokainë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo e Kosovës shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas, ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Sipas hetimeve u zbulua se kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Çelës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. 

Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB