Zjarri në 'Metropol', pronarët e dyqaneve të përlotur: 500 familje ushqeheshin këtu, humbëm miliona lekë

LUSHNJE- Pronarët e dyqaneve që ndodheshin në qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnjë kanë rrëfyer mes lotësh momentet e zjarrit. Ata u shprehën për mediat se zjarri u ka shkaktuar shumë dëme, ndërsa mallin s'e kanë të siguruar.
‘Ça të them si mund të përjetohet. Në momentin që ra zjarri po merrnin furnizimin. Zjarr zjarr.. pastaj filloi u mbush me tym tregu poshtë e dolëm më vrap. Fëmijët që kërkonin ndihmë... llahtar.’- tha një tregtare.
Një tjetër tha se sapo kishte dalë nga qendra, ndërsa shtoi se fatmirësisht nuk kishte humbje në njerëz.
‘Sa kishim dalë! Nuk dimë asgjë për momentin. Shumë keq! Shyqyr që nuk pati humbje në njerëz. Një punë kolosale është bërë nga të gjithë njerëzit.’- u shpreh një tjetër.
Ndërkohë një pronar i një dyqani tha se dëmi që i është shkaktuar është 50 milionë lekë. Ndërsa një tjetër tregtar tha se janë 500 familje që ushqehen në atë qendër.
‘Jam në katin e parë. Jo nuk u përfshi nga zjarri kati parë. Flaka agravoi doli jashtë kontrollit. Të gjitha ndikuan. Nuk e kemi siguruar mallin. Është dëm katastrofik. Zjarrfikësit kur erdhën me automjete që kishin nuk kishin lartësinë e përshtatshme. 500 familje ushqeheshin këtu.’-u shpreh një tregtar në qendër.
Një tjetër tregëtare tregon që ka 10 vite që merret me biznes dhe dëmi që flakët kanë shkaktuar është 50-60 milion lekë.
“Kam një biznes në kat të parë ,është dyqan çantash aksesorësh. Zjarri ra nga ora 2 e gjysmë e drekës kur ne po ndërronim turnet në punë. Në fillim pamë tym edhe ndjemë erë që po digjej diçka dhe pastaj u larguam. Unë nuk qëndrova aty kur ra zjarri po dëgjova nga tregtarët e tjerë që kanë bizneset e tyre që u mbush shumë shpejt me tym dhe u përfshi nga flakët. Biznesi im ka mbi 10 vite që është hapur dhe mendoj që dëmi mund të jetë shumë i madh. Mendoj që ka mbi 50-60 milion lekë dëm, po shyqyr që jemi mirë, kjo ka rëndësi”, shprehet ajo.
Kati i katërt ku ndodhej qendra tregtare është i shkatërruar totalisht nga zjarri që përfshiu këtë ndërtese ditën e djeshme, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës. Banorët dhe pronarët e dyqaneve nuk janë lejuar që të shkojnë në banesat dhe dyqanet e tyre për të parë se çfarë ka lënë pas zjarri./ZËRI
Shefi i zjarrfikëses së Lushnjës: Rrezikuan jetën 10 banorë, nuk kishim kapacitete

LUSHNJE- Shefi i Policisë Zjarrfikëse të Lushnjës, Xhezmi Metushi ka folur për mediat pas zjarrit që përfshiu një pallat 12-katësh në qytetet. Metushi tha se zjarrfikësja e Lushnjës nuk pati kapacitete për të ndërhyrë në kohë, teksa shtoi se disa zjarrfikës rrezikuan jetën.
Shefi i Policisë Zjarrfikëse të Lushnjës siguroi se nuk ka rrezik për një vatër zjarri, pasi është punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e flakëve.
'Ishte e vështirë të hidhje ujin në lartësi sepse është pallat shumëkatësh. Nuk kishim kapacitet si bashki, u ngrit shteti në këmbë, kanë ardhur zjarrfikëse pa mbarim. Gjej rastin t’i falenderoj, kanë ardhur nga Tirana, Durrësi, Rrogozhina, Elbasan, Berat Vlorë, etj. Kishim mbi 10 zjarrfikëse. 3 punonjës zjarrfikëse rrezikuan jetën. Akoma nuk ka dalë shkaku. Nuk bëjmë ne përllogaritje dëmesh. Mendojmë se mund të ketë ardhur nga kati i katërt, në ambientet e një dyqani këpucësh. Objekti ishte në flakë. Sot nuk ka asnjë vatër zjarri, e jap me garanci'- tha Metushi.
/ZËRI
10 orë në flakë, çfarë ka mbetur nga godina 12 katëshe

LUSHNJE- Dëme të mëdha materiale ka shkaktuar zjarri i një ditë më arë në qendrën tregtare të Lushnjës.
Në pamjet e siguruara nga ZËRI, shihet se kati i katërt ku ndodhej biznesi është shkatërruar totalisht, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës. Në video shihen xhamat e thyer të godinës. Ndërsa si pasojë e zjarrit dhe nxehtësisë, pjesës së pasme të pallatit i janë plasaritur muret.
Vendngjarja vazhdon të jetë e rrethuar me kordon sigurie dhe askush nuk lejohet të kalojë. Pas 10 orësh në luftë me flakët, zjarri në qendrën tregtare Metropol në Lushnje është shuar totalisht, duke lënë pas dëme të pallogaritshme materiale. 42 persona përfunduan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 3 punonjës të ekipit të zjarrfikësve.
Dyshohet se shkak për rënien e zjarrit mund të jetë bërë mbinxehja e kondicionerëve por nuk përjashtohet as mundësia e një shkëndije elektrike./ZËRI
20 familje në "qiell të hapur", Kryetarja e Bashkisë në Lushnje: Gati konviktet për strehim

LUSHNJE- Banorët e pallatit 12-katësh të përfshirë nga flakët në Lushnje, nuk janë lejuar që të shkojnë në banesat e tyre për të parë se çfarë ka lënë pas zjarri. Si rrjedhojë 20 familje që jetonin në pallatin e përfshirë nga flakët kanë mbetur të pastrehuar.
Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, tha se bashkia ka bërë gati konviktet e shkollës mekanike për të strehuar banorët e pallatit që u përfshi nga flakët pasditen e shkuar në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu ajo njoftoi se nëse është nevoja, ata do të vendosen në apartamente me qira që do të mbulohen nga bashkia deri në rikonstruktimin e objektit.
Eriselda Sefa: Kemi bërë gati konviktin e shkollës mekanike dhe në rast nevoje do të marrim objekte me qira. Aty janë 91 apartamente, por 20 familje janë rezidente. Të gjithë janë te të afërmit e tyre. Pasi të mbarojë ekspertiza, bashkia do të bëjë një vlerësim të japim një kompensim sipas ligjit. Personat e fundit janë larguar rreth orës 1. Ka qenë çifti i fundit që janë larguar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sefa ndër të tjera deklaroi se rreth orës 01:00 të natës së kaluar, janë larguar nga spitali i Lushnjës të gjithë personat që morën ndihmë mjekësore. Ata u larguan pasi ishin në gjendje të mirë shëndetësore. /ZËRI
Zjarri në Lushnje/ Banorët e pallatit: Erdhën zjarrfikësit dhe nuk kishin ujë

LUSHNJE- Banorët e pallatit 12-katësh të përfshirë nga flakët në Lushnje, nuk janë lejuar që të shkojnë në banesat e tyre për të parë se çfarë ka lënë pas zjarri. Ata shprehen të shqetësuar se akoma nuk e dinë çfarë do të bëhet me banesat e tyre.
Banorët: Zjarrfikësja e Lushnjës që i raftë plasja nuk kishin ujë dhe prisnin ato të Fierit. Ishim në banesë. Kemi dalë nëpër shkallë. Çuni ka nxjerrë pleqtë në kurriz. Nëpër shkallë morëm çupën dhe nusen. E kaluam natën te çuni i madh as nuk e dimë se çfarë do të bëhet. Asnjë gjë nuk kishte aty, as sistem alarmi asgjë. Shtëpia nuk jam kam idenë si është!
Pas 10 orësh në luftë me flakët, zjarri në qendrën tregtare Metropol në Lushnje është shuar totalisht, duke lënë pas dëme të pallogaritshme materiale. 42 persona përfunduan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 3 punonjës të ekipit të zjarrfikësve. /ZËRI
10 orë luftë me flakët, çfarë la pas zjarri në qendrën tregtare në Lushnje

LUSHNJE- Pas 10 orësh në luftë me flakët, zjarri në qendrën tregtare Metropol në Lushnje është shuar totalisht, duke lënë pas dëme të pallogaritshme materiale. 42 persona përfunduan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 3 punonjës të ekipit të zjarrfikësve.
Siç shihet dhe nga pamjet që janë siguruar mëngjesin e sotëm, 4 kate të godinës janë shkrumbuar totalisht, ndërkohë që dëme ka në të gjithë ndërtesën.
Zjarri në këtë godinë, një pjesë e të cilës shërben si qendër tregtare nisi që prej orës 14 e 30 të ditës së djeshme, ndërkohë që në godinë në momentin e zjarrin kishte qindra njerëz.
Pamjet nga godina në flakë gjatë ditës së djeshme në Lushnje tronditën mbarë opinionin publik, ndërkohë që njerëzit në panik tentuan të hidheshin dhe nga dritaret e godinës 12 katëshe.
Në vendngjarje gjatë ditës së djeshme ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Si nisi zjarri
Flakët nisën rreth orës 14:40 minuta dhe situata kaotike vijoi deri rreth mesnatës. Flakët u përhapën fillimisht në katin e dytë dhe të tretë të qendrës tregtare. Më pas u përhapën edhe në katin e katërt. Eshtë dashur ndërhyrja e forcave RENEA për të bërë të mundur evakuimin e banorëve në apartamente, jeta e të cilëve u rrezikohej nga tymi i madh.
Shkaku
Zjarri dyshohet se ka rënë në një dyqan këpucësh në katin e tretë të qendrës tregtare, dhe më pas është përhapur në gjithë qendrën, ndërsa tymi ka përfshirë të gjithë pallatin 12-katësh. Shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndijë në një kondicioner në dyqanin ku mendohet se nisi zjarri. Një lokal i cili ndodhej në katin e tretë të këtij pallati 12-katësh ka qenë i gjithi prej druri, çka dyshohet se ka përhapur edhe më shumë dhe më shpejt zjarrin në gjithë qendrën.
Gjatë ditës së sotme pritet të ketë dhe një deklaratë zyrtare nga grupi hetimor, në lidhje me shkaqet e zjarrit, që fatmirësisht përfundoi pa humbur jetë njerëzore.
/ZËRI