SPAK kërkon të ruhet me policë, Berisha: Një batalion të më vendosin, do i drejtohem Strasburgut

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson të paligjshme kërkesën e SPAK, që ai të mbahet nën mbikëqyrje policore, në rast se Gjykata e Posaçme do të pranojë masën e arrestit në shtëpi. Berisha tha se edhe sikur një batalion me policë t’i vendosen, kjo nuk e pengon betejën e tij në krye të opozitës. Në konferencën për mediat, Berisha la të hapur mundësinë, që në rast të ezaurimit të të gjitha shkallëve të drejtësisë në Shqipëri, ti drejtohet për vendimmarrje Gjykatës së Strasburgut.
Në seancën e sotme, avokatët e Berishës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tyre është shkarkuar në kohën kur klienti i tyre ka mbajtur postin e kreut të KED.
Berisha: Në çdo seancë, në të cilën dosja kallp e organizatës kriminale në Skap ndaj Sali Berishës është shqyrtuar, unë kam dërguar përfaqësuesit e mi.
Skap nuk ka guxuar tre vite, megjithëse ka pyetur dhjetëra e dhjetëra vetë, pronarë dhe zyrtarë që janë marrë me dosjen, nuk kanë guxuar një herë të vetme të pyesin Sali Berishën, ndonëse Kushtetuta e lejon plotësisht.
Nuk kanë guxuar të pyesin njëherë të vetme Jamarbër Malltezin dhe nuk kanë gjetur një shkelje të vetme ligjore në asnjërin nga punonjësit dhe dokumentet që kanë firmosur ata. Asnjë!
Janë nga viti 1995 deri në vitin 2009 janë me dhjetëra punonjës dhe shkresa, që të gjitha në përputhje me ligjin përveç asaj të Edi Ramës.
Pra, gjithçka është një farsë e bazuar në fshehjen e qindra dokumenteve, e bazuar në manipulimin e qindra dokumenteve.
Që në fillim kemi të bëjmë me një akt të paligjshëm, të bazuar në kallëzim të rremë.
Taulant Balla, në kallëzimin e tij të rremë, shkruan se trualli i tokës së klubit Partizani është shpronësuar nga autoritetet italiane. Në një kohë kur dokumentet e periudhës së autoriteteve italiane faktojnë në mënyrë absolute se kjo është një gënjeshtër, se trualli i tokës nuk është shpronësuar kurrë, por është rekuizuar. Rekuizita është një kategori tjetër me shpronësimin dhe për këtë ka dekrete me firmën e Jakomonit.
Unë mora këtë shembull, por mund t’u jap me dhjetëra shembuj ku ata kanë fshehur dokumente.
Pra, Skapi njëlloj si seksionet e Sigurimit të Shtetit, ka ngritur një piramidë mashtrimi, gjithçka antiligjore, gjithçka antikushtetuese.
Natyrisht nëse do ishim thirrur në Skap, sa herë do ishim thirrur, do shkonim.
Në gjykatë, vendimet u dhanë pa marrë lejen e parlamentit. Nuk ka njeri që nuk e di se duhej marrë leja e parlamentit për ato masa shtrënguese.
Unë dërgova avoketërit për të thënë se unë nuk pranoj të jetoj në një shoqëri parashtetërore. Por natyrisht nuk pranova vendimin që ishte antiligjor, antikushtetues, marrje e hapur e pushtetit të parlamentit.
Pra, unë mbrojta Kushtetutën. Beteja është mes Kushtetutës dhe antikushtetutshmërinë.
Pra, gjithçka është antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese, nuk po ndalem më se e kam bërë komentin për të.
Përsëri, në këtë proces, unë i qëndroj asaj, nuk them se gjykata nuk ekziston, nuk them se prokuroria nuk ekziston dhe avoketërit e mi sot, jo vetëm që kanë paraqitur si kërkesë, por sot kanë dorëzuar dokumentin, vendimin me të cilin ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si President i Republikës ka shkarkuar gjykatësen dhe i kërkuan asaj të japë dorëheqjen.
Nuk kam informacionin e saktë, por procesi i shty se do merrte vetë vendim gjykatësja, çka unë nuk besoj të tërhiqet nga vendimi i saj, apo duhet të marrë vendim një gjykatës tjetër, këtë do e bëjnë të qartë avoketërit.
Por fakti është se gjithçka zhvillohet sipas skenarit të Edi Ramës.
Tani, do venë policë? Unë e ftoj të vënë një batalion, ta rrethojnë atë rrugicën aty ku jam unë dhe unë nuk kam asnjë problemi.
Unë do të ndjek çdo shkallë sepse unë nuk pranoj që ne jemi në shoqëri parashtetërore.
Jemi në diktaturë, por unë do ndjek të gjitha etapat.
Tani imagjinoni ju kur të shkoj, ta supozoj, nëpër këto gjykatat shqiptare, se çfarë kënaqësie do kenë ata të hedhin poshtë kërkesën time për të treguar vasalitetin ndaj Edi Ramës. Por kjo nuk më impresionon mua.
Strasburgu është tjetër, patjetër që unë do i drejtohem. Është gjykata gardian i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut./ZËRI
Berisha nën mbikqyrje policore/ Gjokutaj: Vendim i pabazuar në ligj, nuk paraqet rrezikshmëri

TIRANË- Avokati Genc Gjokutaj e ka cilësuar si të pabazuar në ligj kërkesën e SPAK që Berisha të qëndrojë nën masën e arrestit të shtëpisë, nën mbikqyrje policore. Në fund të sencës së sotme në GJKKO, Gjokutaj përsëriti qëndrimin e mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga seanca, pasi sipas tyre qëndron në kushtet e konfliktit të interesit.
Sipas Gjokutajt, vendimi për ta lënë Berishën nën mbikqyrje policore është një hakmarrje e SPAK, me prapavijë politike.
PJESË NGA PËRGJIGJET PËR GAZETARËT
Gjokutaj: Seanca e sotme kishte të bënte me kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës, ne i kërkuam gjyqtares që të jepte dorëheqjen, për shkaqe që janë bërë të ditura. Gjyqtarja nuk u shpreh as pro dhe as kundër, dorëzuam të gjitha provat që zoti Berisha ka qenë kryetar i KED në momentin që është shkarkuar gjyqtarja e çështjes. Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për nesër. Është kërkuar arrest shtëpie me mbikqyrje policore, e cila është e pabazuar në ligj. Është jo thjesht e panevojshme, por edhe e pabazuar në ligj.
Gjyqtarja është rikthyer në sistem po në kohën që KED drejtohej nga zoti Berisha
Gjokutaj: Nuk është e vërtetë, gjyqtarja është rikthyer në vitin 1998, kur zoti Berisha nuk ka qenë më në krye të KED.
A do të jeni ditën e nesërme në Gjykatë?
Gjokutaj: Kur kemi munguar ndonjëherë ne në seancë? Ne i kemi drejtuar disa pyetje prokurorëve, se çfarë rrezikshmërie paraqet zoti Berisha, që të kërkohet tashmë arrestimi i tij, por nuk kemi marrë përgjigje.
Pse është një rast që ju duhet të denonconi mbikqyrjen policore
Gjokutaj: Arrest shtëpie është detyrimi i atij që i vendoset. Mund të bëhet mbikqyrja policore vetëm për persona që kanë rrezikshmëri shoqërore.
A kishte ndonjë argument SPAK për këtë
Gjokutaj: Nuk kanë argumente kur janë në shkelje të ligjit. Kërkesa e SPAK është që Berisha ta vuajë masën në banesë, ne nuk kemi paraqitur kërkesë tjetër, nëse do të kemi do ju njoftojmë.
Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv”. Në dosje thuhet se ish kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të privatizojë kompleksin duke shkelur ligjin. Malltezi aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.
/ZËRI
Zbardhet masa që kërkon SPAK për Berishën, të ruhet nga policia në banesë

TIRANË- Është zbardhur masa e sigurisë që SPAK ka kërkuar për ish-kryeministrin Sali Berisha, ajo e arrestit të shtëpisë, nën mbikqyrje policore.
Rrjedhimisht, nëse merret vendimi, Berishës do t’i duhet të mbyllet në shtëpi dhe te dera do të qendrojnë policë që të ndalojnë daljen e tij nga banesa. Po ashtu Berishës pritet që ti ndalohet çdo kontakt me persona që nuk janë familjarë të tij. Kjo padyshim do të sillte në vështirësi në drejtimin e opozitës, post nga i cili vetë Berisha ka thënë se nuk do të heqë dorë.
Seanca e sotme në ambientet e GJKKO u shty, për shkak se avokatët e Berishës kërkuan përjshtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare.
Kërkesa e SPAK u dorëzua në Gjykatën e Posaçme pasi Kuvendi i dha autorizimin Prokurorisë Anti-Korrupsion për heqjen e imunitetit të deputetit të Sali Berishës.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
/ZËRI
Berisha u drejtohet të rinjve para arrestit: Ngrihuni! Rama më vërsuli SPAK-un

TIRANË-Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur disa të rinj dhe iu ka mbajtur një fjalim të gjatë, në pritje të vendimit për arrestin e tij. Berisha deklaroi përsëri se procesi ndaj tij është pa asnjë fakt, dokument apo firmë.
Ai gjithashtu sulmoi Ramën se ka marrë pushtetin e çdo institucioni dhe drejtësinë, duke e krahasuar SPAK-un me Sigurimin e Shtetit.
Berisha: Për të kuptuar ngjashmërinë mes diktaturës së sotme dhe diktaturës së djeshme, se ju jeni fatlumë, asnjëri prej jush nuk e jetoi atë diktaturë dhe është fat i madh. Por problemi është se sot jemi prapë në diktaturë dhe kjo kërkon vetëdijen tuaj të plotë. Përpara ne kishim Sigurimin e Shtetit, i cili fajësonte njerëz pa faj, me një qëllim të vetëm, që të ushtronte terror në shoqëri. Sot kemi Skapin.
Çfarë ishte Sigurimi? Sigurimi përbëhej nga kriminelë, nga torturues, nga vrasës, nga përdhunues. Përbëhej nga një vulg njerëzor ndaj dhe ata ishin të aftë të zbatonin çdo urdhër.
Por çfarë është Skapi sot? Ngjason si dy pika uji me Sigurimin e djeshëm. Skapi sot është një organizatë e mirëfilltë kriminale që rëndom paraqitet si një risi. Po pse them se është organizatë kriminale? Sepse aty janë rekrutuar prokurorë, përfaqësues të bandave më të rrezikshme të Shqipërisë. Skapi është organizatë kriminale sepse vrasësi që vrau jashtë çdo lloj tradite njerëzore në gjumë të fejuarën e tij 15-vjecare, në vend që të dënohej me dënim përjetë, doli nga burgu sikur nuk ka kryer krim. Skapi tha: jo, këta nuk janë organizatë kriminale. E dërguan në Shkodër, ku shoku i tyre kishte marrë milionat dhe ata dolën të lirë.
Ish-kryeministri gjithashtu u bëri thirrje të rinjve të ngrihen kundër diktaturës dhe Edi Ramës.
Sot Shqipëria pret heronj! Ju garantoj se ajo i pret nga ju. Këta heronj, si gjithmonë kanë qenë të rinjtë. Ka qenë Azem Hajdari, heroi i kohës së tij, që guxoi, doli me 8 dhjetor në shesh. Diku kam shkruar sepse u ndodha përballë tyre dhe çfarë ndjenjash më ngjalli? Aty pashë heronj sa kurrë në jetën time, sa në asnjë film, sa në asnjë roman. Kjo ishte e vërteta. Se ata kishin dalë në sheshin e mejdanit, u përballën dhe fituan. Studentët nisën një betejë të shkëlqyer në vitin 2018. Tani unë i pyes ata, u pyes ju dhe i ftoj të pyesni secilin prej tyre.
Berisha: Çfarë fituat nga ajo lëvizje? Në qoftë se nga lëvizja e viteve ‘90, studentët çelën një epokë për kombin dhe vendin, çfarë u fitua nga lëvizja e vitit 2018? Secili student sot paguan një tarifë më të shtrenjtë se më përpara, secili prej jush sot paguan një qira më të shtrenjtë se ajo që paguanit, secili nga ju sot shpenzon shumë më tepër për një vit shkollor sesa bashkëmoshatarët tuaj në Vjenë, Paris, Romë, prindërit e të cilëve janë pakrahasimisht shumë më të pasur se prindërit tuaj. Pra, ajo lëvizje u tradhtua. Ato premtime u përdorën për mashtrim. Çfarë ndodhi me studentët e mjekësisë? Një urdhër i marrë hua nga Maduro i Venezuelës.
Të gjitha këto janë një kushtrim për ju. Të gjitha këto janë një shans i madh për ju. O sot o kurrë duhet të ngrihemi kundër kësaj diktaturë. Të gjitha këto kërkojnë nga ju të ndjeheni luftëtarë lirie, misionarë, në një mision hyjnor dhe njerëzor. sepse liritë dhe të drejtat e individit janë sa njerëzorë, aq edhe hyjnore. Sot, më shumë se kurrë kërkohet që të jeni ju protagonistët kryesorë në këtë betejë. Dhe dy gjëra do u them. Edi Rama kontrollon të gjitha pushtetet dhe në pamje të parë është i stërfuqishëm. Ju garantoj se ai është një kalbësirë, është një statujë e kalbur që nuk pret asgjë tjetër për t’u rrëzuar përveç vrullit, guximit, mosbindjes civile.
Ndaj ju ftoj ju, ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë në emër të dinjitetit tuaj, asnjëri të mos mendojë se ka dinjitet në rast se të drejtat kushtetuese shkelmohen. Dinjiteti i pëlqen çdo njeriu, por garanti i dinjitetit të tij është Kushtetuta, e cila përcakton respektin e dinjitetit si shtyllë themelore të saj. Asgjë nuk ka liria më thelbësore sesa dinjiteti. Ndaj dhe ne duhet të mendojmë për këtë. Në qoftë se të rinjtë tanë vendosin të realizojnë ëndrrën e tyre, të rikthejnë shpresën për shqiptarët, Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara. Dhe unë jam i bindur se ju do i jipni atij shumë shpejt përgjigjen e merituar.
Ndërkohë ditën e sotme nisi seanca për dhënien e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Berisha nuk u paraqit në seancë dhe në vend të tij u paraqitën avokatët, të cilë kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ajo është në konflikt interesi në rastin e tij. Seanca është shtyrë për paraditen e nesërme për shkak se avokatët e Berishës kërkuan më shumë kohë që të njiheshin me dosjen./ZËRI
Shtyhet seanca për Berishën, GJKKO vendos nesër

TIRANË- Është shtyrë seanca për dhënien e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Seanca është shtyrë për paraditen e nesërme për shkak se avokatët e Berishës kërkuan më shumë kohë që të njiheshin me dosjen. Avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ajo është në konflikt interesi në rastin e tij.
Burime bëjnë me dije për Zërin, se avokatët e Berishës kanë dorëzuar provat që sipas tyre faktojnë faktin e shkarkimit të gjyqtares Irena Gjoka në Shkurt të 1996-ës nga KLD, ku kryetar ishte Sali Berisha.
Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare.
Kërkesa e SPAK u dorëzua në Gjykatën e Posaçme pasi Kuvendi i dha autorizimin Prokurorisë Anti-Korrupsion për heqjen e imunitetit të deputetit të Sali Berishës.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
/ZËRI
Seanca për Berishën në GJKKO, avokatët e ish-kryeministrit kërkojnë përjashtimin e gjyqtares

TIRANË- Kanë mbërritur në Gjykatën e Posaçme avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa seanca ka nisur në drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Vetë Berisha ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në këtë seancë, pasi paralelisht ka njoftuar një aktivitet në selinë e Partisë Demokratike.
Burime bëjnë me dije për Zërin, se avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Gjoka nga seanca.
Ata pretendojnë se gjyqtarja është në konflikt interesi, për shkak se sipas tyre është shkarkuar nga Berisha, kur ai ka mbajtur postin e presidentit dhe njëherësh ka qenë në krye të KED.
Seanca e sotme pritet të jetë maratonë, edhe pse do të jetë me dyer të mbyllura.
Vetë Berisha ka njoftuar një aktivitet më të rinjtë në selinë e Partisë Demokratike, duke injoruar kështu çdo vendim të mundshëm që mund të japë ndaj tij Gjykata e Posaçme.
/ZËRI
Berisha sfidë deri në fund Gjykatës! Nuk shkon në seancë ku pritet t’i vendoset arresti

TIRANË- Do të mbahet sot në Gjykatën e Posaçme, seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin SPAK ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie.
Vetë Berisha nuk do të jetë i pranishëm në seancën e sotme, pasi në të njëjtën kohë kur duhet të jetë në Gjykatë, ka thirrur një takim me të rinjtë, në selinë e Partisë Demokratike.
Gjykata e Posaçme mori 3 ditë kohë për të thirrur palët në seancë, pas autorizimit që Kuvendi i dha SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën. Ky i fundit pritet që të përfaqësohet në seancë përmes avokatëve të tij mbrojtës.
Prej më shumë se dy muajsh, Berisha vijon betejën e tij me drejtësinë, ndërkohë që nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga drejtimi i Partisë Demokratike, edhe në rast se për të vendoset masa e arrestit të shtëpisë.
Qëndrimin e përsëriti dhe gjatë një komunikimi që zhvilloi mesditën e djeshme me qytetarët, përmes rrjeteve sociale.
“Në këtë situatë, PD-në do e drejtojë Sali Berisha. Historia e arrestit të liderëve të opozitës nuk është e re, diktaturat e kanë përsëritur dhe kjo po ndodh. Natyrisht kryesia e PD, kryesia e ngushtë e saj, janë organet që do të merren me drejtimin e punëve të saj.
Por kryetari kudo që të jetë, do të përmbushë detyrimet e tij. I gjithë problemi dhe diskursi, po të kesh vënë re mediat e kontrolluara nga qeveria, që nuk kishin preokupim jo vendosjen në arrest të kryetarit të partisë më të madhe politike, por dhe si të thuash, e merrnin një fakt të kryer, për të cilin nuk ka nevojë të komentojë, duke u bërë në njëfarë mënyre de facto mbështetës të këtij akti, por merrnin tani se ç’do ndodhë me PD-në.
Duhet t’u them këtyre zotërinjve se PD do ecë drejt fitores, drejt përmbysjes së diktaturës.
Nuk ka asnjë alternativë tjetër, përkundrazi ky akt vetëm sa bind çdo shqiptar se jemi në kushtet e një diktature, me të cilën nuk duhet të pajtohemi kurrë”, deklaroi dje Berisha nga selia blu.
Kërkesa e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën erdhi për shkak se ai nuk zbatoi vendimin e Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj përpara oficeres së policisë gjyqësore.
Kuvendi votoi me 75 vota pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, me votat e socialistëve, ndërkohë që një grup mbështetësit protestuan jashtë godinës së parlamentit.
Më 12 dhjetor në një shkresë drejtuar Kuvendit, SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e Berishës me argumentin se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.
Mbi Berishën rëndon akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa GjKKO vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit.
/ZËRI