U arrestua se merrte ryshfet në doganë/ Ardit Abrija, vëlla i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve

TIRANË- ZËRI ka zbuluar se përgjegjësi i doganës së Kakavijës, Ardit Abrija është vëllai i drejtorit të Përgjithshëm të Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë me dije se në pranga gjatë aksionit të sotëm përfundoi Ardit Abrija dhe Eliod Shurdhaj, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe 4 kolegë të tyre. Kjo pasi kishin marrë informacione se të gjithë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë ryshfet për të mos kontrolluar disa kamionë me mallra që kalonin në pikën kufitare.
Mjetet ishin të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës, por kalonin pa problem kufirin pasi kishin korruptuar Abrinë dhe kolegët e tij.
Edhe vëllai i tij, Admir Abrija është përballur me kritika pasi nuk ka marrë asnjë masë për të ruajtur sigurinë në burgun e Peqinit, atje ku Sokol Mjaçaj vrau Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.
Institucioni i vuajtjes së dënimit që duhej të ishte burg i sigurisë së lartë në fakt ishte kthyer në një hotel me pesë yje për të dënuarit më të rrezikshëm në vend. Edhe pse në zyrën e Abrisë 15 ditë para vrasjes drejtori i burgut të Peqinit Kamber Hoxha i kishte dërguar një letër drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për ta informuar mbi situatën brenda godinës, prej tij nuk u mor asnjë masë. Mosveprim që solli edhe vrasjen brenda burgut, një episod i pandodhur më parë në Shqipëri./ZËRI
Hynin pa kontroll/ Bllokohen kamionat në Kakavijë

GJIROKASTËR- 1 trajler, 4 kamiona të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra kaluan pa kryer kontrollet e nevojshme në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër. "Weblajm" ka siguruar pamjet ekskluzive të kamionëve të sekuestruar së bashku me mallrat që transportonin drejt vendit tonë.
Ka dyshime se përgjegjësi i doganës, doganierë dhe efektivë të Policisë Kufitare janë të përfshirë në një skemë korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash. Ndaj edhe lidhur me aksionin në pranga kanë përfunduar përgjegjësi i turnit Ardit Abrija dhe doganieri fizik, Eliod Shurdhaj. Po ashtu, janë vendosur në pranga edhe 6 shoferët e mjeteve që nuk kontrolloheshin, ndërsa janë shpallur në kërkim 4 doganierë të tjerë. Bëhet fjalë për Arben Marvataj (doganier i parkimit) si dhe 3 punonjësit e anti-kontrabandës Astrit Xhaxha, Arjan Mustafaj Fatjon Osmani.
Operacioni i urdhëruar nga Prokuroria e Gjirokastrës, nisi prej mëngjesit të së shtunës deri në orët e para të së dielës, u zhvillua edhe me ndihmën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. AMP kishte marrë informacione dhe denoncime se doganierë dhe efektivë policie ishin të përfshirë në skema korruptive. Lidhur me aksionin ka pasur një reagim edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Në rrjetet e tij sociale ai shkruan se goditja e realizuar së fundmi, është mesazh për të gjithë ata që u shkon në mendje që të marrin shuma të caktuara monetare në këmbim të shkeljes së detyrës./ZËRI
Të dyshuar për korrupsion, 2 të arrestuar në doganën e Kakavijës, 4 në kërkim

GJIROKASTËR- Me urdhër të Prokurorisë dhe pas hetimeve nga Krimi Ekonomik, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar këtë të dielë 2 zyrtarë policie në Pikën Kufitare të Kakavijës, nën akuzën e korrupsionit. Në pranga kanë rënë Ardit Abrija dhe Eliod Shurdhaj. Ndërkohë A.M, me detyrë doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, janë shpallur në kërkim.
Ka dyshime se përgjegjësi i doganës, doganierë dhe efektivë janë të përfshirë në një skemë korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash. Dyshohet se 1 trajler, 4 kamiona të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra kaluan pikën kufitare pa kryer kontrolle si dhe duke i shmangur pagesave të zhdoganimit.
NJOFTIMI I AMP:
Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mbi bazën e informacioneve të administruara në rrugë operative, përgjatë aksit rrugor Kakavijë - Fier kanë ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara, me qëllim verifikimin e dokumenteve, me të cilin ishin pajisur nga punonjësit e Degës Doganore Kakavijë.
Pas verifikimit të kryer, Policia Gjyqësore e AMP, në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore";
- A.A., Doganier, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Kakavijë;
- E.SH., Doganier fizik në Degën Doganore Kakavijë;
- U bë shpallja në kërkim e shtetasit A.M., me detyrë Doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shtetasit F.R., N.S. dhe G.SH.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Kontrabandë me mallra të tjera", i shtetasve (drejtues të automjeteve dhe posedues të mallrave të importuara);
- V.D., 40 vjeç;
- TH.M., 48 vjeç;
- R.I., 41 vjeç;
- A.XH., 45 vjeç;
- A.M., 50 vjeç;
- F.O., 39 vjeç;
- U procedua në gjendje të lirë shtetasi P.Q.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore procedurale, për inventarizimin e mallrave të sekuestruar, këqyrjen e aparateve telefonikë celular, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në këtë pikë doganore, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, duke u fokusuar tek punonjësit e Policisë Kufitare dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Të kontrabandës me mallra të tjera”.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo e fundit bën me dije se të gjithë personat e përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.
NJOFTIMI I DPD:
Komisioni disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vendosi pezullimin nga puna për punonjësit e Degës Doganore Kakavijë dhe grupit të Antikontrabandës, për moszbatim të procedurave doganore. Bazuar në Kodin Doganor theksojmë se është përgjegjësi personale e çdo punonjësi që të zbatojë procedurat sipas Kodit Doganor dhe Kodit të Etikës, të njihet me pasojat e moszbatimit të tij, si dhe të ruajë imazhin dhe statusin e Administratës Doganore. Strukturat ligjzbatuese të ADSH-së kanë nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi për këtë rast. Administrata Doganore bashkëpunon me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën./ZËRI