
GJIROKASTËR- Me urdhër të Prokurorisë dhe pas hetimeve nga Krimi Ekonomik, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar këtë të dielë 2 zyrtarë policie në Pikën Kufitare të Kakavijës, nën akuzën e korrupsionit. Në pranga kanë rënë Ardit Abrija dhe Eliod Shurdhaj. Ndërkohë A.M, me detyrë doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, janë shpallur në kërkim.
Ka dyshime se përgjegjësi i doganës, doganierë dhe efektivë janë të përfshirë në një skemë korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash. Dyshohet se 1 trajler, 4 kamiona të tonazhit të rëndë si dhe mjete të tjera të mbushura me mallra kaluan pikën kufitare pa kryer kontrolle si dhe duke i shmangur pagesave të zhdoganimit.
NJOFTIMI I AMP:
Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mbi bazën e informacioneve të administruara në rrugë operative, përgjatë aksit rrugor Kakavijë - Fier kanë ndaluar 4 kamiona të tonazhit të rëndë, një trajler me rimorkio dhe një furgon të ngarkuar me mallra të ndryshëm, të papajisur me dokumentacionin përkatës për mallrat e importuara, me qëllim verifikimin e dokumenteve, me të cilin ishin pajisur nga punonjësit e Degës Doganore Kakavijë.
Pas verifikimit të kryer, Policia Gjyqësore e AMP, në bashkëpunim me Sektorin kundër Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kanë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore";
- A.A., Doganier, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Kakavijë;
- E.SH., Doganier fizik në Degën Doganore Kakavijë;
- U bë shpallja në kërkim e shtetasit A.M., me detyrë Doganier i parkimit, si dhe e 3 punonjësve të Antikontrabandës, me shërbim në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, shtetasit F.R., N.S. dhe G.SH.
Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Kontrabandë me mallra të tjera", i shtetasve (drejtues të automjeteve dhe posedues të mallrave të importuara);
- V.D., 40 vjeç;
- TH.M., 48 vjeç;
- R.I., 41 vjeç;
- A.XH., 45 vjeç;
- A.M., 50 vjeç;
- F.O., 39 vjeç;
- U procedua në gjendje të lirë shtetasi P.Q.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa dhjetra ton mallra të padeklaruara, aparate telefonikë celular, vlera monetare, etj.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore procedurale, për inventarizimin e mallrave të sekuestruar, këqyrjen e aparateve telefonikë celular, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e instaluara në këtë pikë doganore, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, duke u fokusuar tek punonjësit e Policisë Kufitare dhe përcaktimin e rolit të secilit prej tyre.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Të kontrabandës me mallra të tjera”.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo e fundit bën me dije se të gjithë personat e përfshirë janë pezulluar nga puna dhe se ka nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi.
NJOFTIMI I DPD:
Komisioni disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vendosi pezullimin nga puna për punonjësit e Degës Doganore Kakavijë dhe grupit të Antikontrabandës, për moszbatim të procedurave doganore. Bazuar në Kodin Doganor theksojmë se është përgjegjësi personale e çdo punonjësi që të zbatojë procedurat sipas Kodit Doganor dhe Kodit të Etikës, të njihet me pasojat e moszbatimit të tij, si dhe të ruajë imazhin dhe statusin e Administratës Doganore. Strukturat ligjzbatuese të ADSH-së kanë nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi për këtë rast. Administrata Doganore bashkëpunon me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën./ZËRI