LIVE UPDATES

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i Krimeve u përfshi në vrasjen me pagesë, arrestohet edhe i forti i Sukthit

➤ Prokuroria e Posaçme, SPAK ka zbërthyer disa kode të reja nga aplikacioni SKY ECC. ➤ ZËRI ka mësuar se shefi i arrestuar i krimeve të komisariatit nr.6 në Tiranë, Dedan Gjoni është përfshirë në organizimin e një vrasjeje me pagesë. ➤ Burimet thonë se shënjestra ishte Xhevdet Plaku, një personazh i skeduar për vrasje, trafik droge dhe prostitucion në Holandë. Mësohet se vrasja ishte porositur në Holandë dhe se Gjoni ka informuar për lëvizjet e viktimës dhe kohën kur do të lirohej nga burgu. ➤ Shkak për vrasjen dyshohet se ka qenë trafiku i drogës. ➤ Në pranga është edhe Kep Arapi, i njohur ndryshe edhe si i forti i Sukthit. ➤ Arrestohen edhe disa ish-punonjës të Policisë në Durrës.

7 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

HISTORIA e Xhevdet Plakut, vrau shokun se i prostituoi të dashurën

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Xhevdet Plaku

DURRËS- Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën "Akili", ka qenë shënjestra e Rexhep Arapit për ta ekzekutuar. Për vrasjen e shqiptarit që kishte plot 25 identitete kishte ndërhyrë edhe ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, Dedan Gjoni. Por ende nuk dihet se përse donte "Kap Arapi" që të eliminonte Plakun, i cili cilësohet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilin e drejtonte nga Amsterdami.

Bazuar në hetimet e agjensive të huaja, në "punën" pakove të drogës u vinte emri luksi sipas markave të njohura të modës, në bazë të cilësisë së mallit. Kokaina më e pastër e quante ‘Hermes’, pastaj vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’. Një nga përgjimet e kryera nga hetuesit që çuan në zbulimin e kartelit shqiptar që importonte nga Holanda e Belgjika në Brescia tonelata droge.

Në 153 faqet e dosjes ku doli edhe emri i Plakut, janë dokumentuar biseda që provojnë fuqinë kriminale të grupit, si për shembull një frazë e regjistruar në mars 2016: Ky lloj pazari bëhet nga 10 kilogram e lart. Është e fortë? Nuk thërrmohet? Nuk është Hermes, por është e mirë.

Por kjo nuk ishte ngjarja e parë për të cilën hetohej...

Plaku ishte ekstraduar nga Italia në Shqipëri për shkak se dyshohej se ishte autori i vrasjes së Saimir Sinës më 11 qershor të vitit 2004, ngjarje për të cilën, fillimisht u dënua me 21 vjet e 6 muaj burg. Vrasja ndodhi në lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, e gjitha pasi Sina duke e ditur se Plaku kishte të dashur shtetasen Nertila K., e duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i kishte propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për ta bashkuar me të dashurin.

Vajza e kishte pranuar këtë propozim dhe, në muajin korrik të vitit 2001, Sina, së bashku me një person tjetër, e kanë çuar Nertilën në Itali, duke ndryshuar destinacionin për të cilin ranë dakord. Vajzën e dërguan në Romë, ku edhe e kishindetyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre. Megjithatë e reja ia ka dalë që të rikthehet në Shqipëri, në dhjetor të vitit 2001 dhe ka paraqitur kallëzim penal për ngjarjen e mësipërme. Për trafikimin e të resë, Gjykata e Durrësit dënoi me 1 vit e 6 muaj Saimir Sinën, ndërsa Plaku ku ka marrë vesh se çfarë ndodhi me të dashurën e tij vendosi që të merrte hak. Viktimën e kishte mbajtur në vëzhgim dhe vetëm 3 ditë pasi kishte dalë burgu e qëlloi për vdekje fare pranë banesës së tij në Spitallë të Durrësit. 22-vjeçari Saimir Sina, u qëllua me tre plumba nga të cilët gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa dëshmitarë të vrasjes kanë qenë të gjithë familjarët e viktimës, madje dhe vajza e tij e mitur.

Gati 10 vjet pas ngjarjes, pas proceseve të shumta gjyqësore, më 22 shkurt 2013 Plaku u lirua për mungesë provash. Më pas, u largua nga vendi drejt Holandës, atje ku ngriti "perandorinë" e tij të trafikut të drogës./ZËRI

1 VITE ME PARE

PRITA PERFEKTE/ Shefi i Policisë e thirri shënjestrën në Komisariat dhe njoftoi grupin kriminal për orën e lirimit

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Dedan Gjoni dhe Xhevdet Plaku

DURRËS- Dedan Gjoni është pak të thuhet që është një ish-polic i lidhur me krimin. Ndaj tij është ngritur një akuzë e dytë për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen, në kohën kur ka drejtuar komisariatin e Policisë në Shijak. Burime bëjnë me dije për Zërin se Dedan Gjoni ka nxjerrë në pritë shtetasin Xhevdet Plaku, për llogari të Rexhep Arapit, të njohur ndryshe dhe me emrin Kep Arapi apo nofkën “i forti i Sukthit”.

Si ka funksionuar skema

Në kohën kur ka qënë në drejtimin e komisariatit të policisë në Shijak, Dedan Gjoni ka shoqëruar shtetasin Xhevdet Plaku, i cili njihej me pseudonimin “Akili”, dhe i ka dërguar autorëve që planifikonin vrasjen foton e tij. Po ashtu ai ka njoftuar se kur do të dilte Plaku nga komisariati i policisë.

Në këtë mënyrë Gjoni, me detyrë shef policie, ka nxjerrë në pritë shënjestrën, i cili fatmirësisht ka arritur të mbijetonte. Rezulton po ashtu se urdhri për të kryer këtë krim të rëndë është dhënë nga Holanda dhe dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës, mes grupeve kriminale që veprojnë në qytetin e Durrësit.

Porosia e vrasjes dyshohet se është bërë për shkak se Plaku ka vrarë një person të afërt të Arapit, ngjarje e ndodhur kjo në shtetin italian.  

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Frikë për dekonspirim? SPAK zbarkon në Durrës, mënjanon policinë lokale

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Foto ilustruese

DURRËS- Një operacion është duke u zhvilluar prej orëve të parë të mëngjesit të sotëm nhë qytetin e Durrësit, me urdhër të SPAK, ku në pranga kanë rënë disa persona, përfshirë Rexhep Arapin, i njohur me nofkat Kep Arapi apo i forti i Sukthit.

Burime bëjnë me dije për Zërin se operacioni i SPAK është bërë me efektivë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, nga frika e ndonjë dekonspirimi të mundshëm nga ana e policisë lokale.

Deri tani SPAK nuk ka dhënë një njoftim për operacionin, ndërsa burime bëjnë me dije se ai është në vijim të përgjimeve që janë përfituar nga aplikacioni SKY ECC.

Dedan Gjoni, ish-shefi i komisariarit të policisë në Shijak, dyshohet se ka nxjerrë në pritë Xhevdet Plakun. Ai e kishte shoqëruar këtë të fundit në rajon, dhe më pas iu kishte treguar autorëve që kishin planifikuar vrasjen, foton dhe orën se kur do të nxirrej objektivi nga komisariati.

I përfshirë në tentativën e vrasjes dyshohet se është dhe shtetasi Rexhep alias Kep Arapi, i cili është vënë në pranga mëngjesin e sotëm.

/Zëri 

 

1 VITE ME PARE

Zbulohet "shënjestra", 'Kep Arapi' donte eliminimin e Xhevdet Plakut. E ndihmoi "shefi"

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Xhevdet Plaku

DURRËS- Xhevdet Plaku ishte shënjestra për t'u eleminuar nga grupi i Rexhep Arapit. Personazhi i njohur i botës së krimit, i njohur gjithashtu me nofkën "Kep Arapi" ka kërkuar ndihmën e Dedan Gjonit, punonjës asokohe në Komisariatin e Shijakut. Ky i fundit sipas përgjimeve të Sky Ecc të zbërthyer nga SPAK, i ka dërguar Kep Arapit aka Rexhep Arapi foton dhe orën në të cilën Plaku do largohej nga komisariati i Shijakut për ta nxjerrë në pritë.

Vrasja e planifikuar, u anulua më pas nga grupi i Rexhepit, ngjarje e cila është dokumentuar dhe nga SPAK i cili ka prangosur ‘të fortin e Sukthit’ si dhe ka kërkuar masë sigurie të dytë për Dedan Gjonin, oficerin e policisë tashmë të prangosur për një tjetër çështje të ngjashme të zbardhur nga Struktura e Posaçme e Hetimit. Xhevdet Plaku është po ashtu një person me precedentë penalë pasi është i dënuar më parë për vrasje dhe për trafik të lëndëve narkotike./ZËRI

1 VITE ME PARE

Kush është Kep Arapi/ 'I forti i Sukthit' u kap në mars, mister sesi u lirua

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Foto ilustruese

DURRËS- Rexhep Arapi, i njohur si ‘Kep Arapi’ është arrestuar sot nga forcat speciale të Tiranës me urdhër të SPAK. Forcat speciale kanë shkuar në banesën e tij në Sukth. Por kjo nuk është hera e parë që "i forti i Sukthit" përfundon në prangat e Policisë së Shtetit. Jo më larg se në mars të këtij viti ai u kap në Rinas, pasi ishte i dënuar në Itali me 7 vite heqje lirie. Në vendin fqinjë, 60-vjeçari është i dënuar për organizimin e emigracionit të paligjshëm. Policia bënte me dije se Gjykata e Apelit Genova e kishte dënuar dhe Arapit i kishin mbetur edhe 4 vite për të vuajtur dënimin. Megjithatë nga marsi, deri më tani në dhjetor nuk kanë kaluar 4 vite.

E megjithatë Rexhep Arapi ishte ende i lirë. Mbetet e paqartë sesi ka arritur që të lirohet sërish pasi u vu në pranga për t'u ekstraduar me Italinë, por duket se fillat me Policinë e Shtetit i ka pasur të lidhur mirë. Këtë e tregon edhe bashkëbisedimi që ka pasur me ish-shefin e Komisariatit të Sukthit, Dedan Gjonin, me të cilin diskutonte për të kryer një vrasje. Se cili ishte "shënjestra" që kërkonte të eliminonte Arapi ende nuk është zbuluar, por gjithë çfarë dihet është fakti se nuk ia ka dalë që të eliminojë personin që nuk e donte më të gjallë. 

Mirëpo kjo nuk ka qenë hera e parë që Arapi ishte pas hekurave të burgut. Ai ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2021 në Durrës pasi i gjetën armë në lokalin e tij. Arapi lëvizte me mjet të blinduar "Benz’’ i cili i është sekuestruar bashkë me një pistoletë që iu gjet në një çantë në banakun e lokalit.

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Arma

Edhe pse në liri, ai ka qenë i skeduar në Policinë e Shtetit si një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal kundër jetës së personit dhe në fushën e narkotikëve. Ndaj edhe kishte "fituar" titullin "i forti i Sukthit", edhe pse duke mbajtur një profil të ulët për mediat, sërish emri i tij njihej në zonë dhe nga Policia./ZËRI

1 VITE ME PARE

Zbërthehen përgjime të tjera në SKY ECC, në pranga ish-punonjës policie dhe ‘i forti i Sukthit’, Kep Arapi

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
pergjimet ne sky

DURRËS- Një operacion i ndërmarrë me urdhër të SPAK në Durrës ka çuar në pranga disa persona, përfshirë ish-punonjës policie, por edhe personazhe të njohur të botës së krimit. Në pranga ka rënë dhe Kep Arapi, i njohur dhe si i forti i Sukthit. Mësohet se Kep Arapi është personi që ka dalë në përgjimet e SKY ECC duke biseduar me Dedan Gjonin, ku porositej një vrasje në qytetin e Shijakut. 

Burime bëjnë me dije për Zërin se operacioni në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e tij është ende në vijim. SPAK ka shmangur bashkëpunimin me policinë lokale në Durrës, dhe për arrestimet është marrë mbështetje nga efektivë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë.

Veç Kep Arapit, në pranga ka rënë dhe nipi i tij.

Në përgjimet e reja të SPAK, del edhe ish-shefi i krimeve në komisariatin numër 6 në Tiranë, Dedan Gjoni, i cili iu ka treguar autorëve foton e objektivit për të cilin ishte porositur vrasja. Dedan Gjoni u vu në pranga gjatë operacionit të SPAK, ku u arrestua dhe Erzen Breçani, ndërkohë që u shpallën në kërkim Ervin Mata dhe i biri i Breçanit.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Iu tregoi foton dhe orën kur do e lironte, Dedan Gjoni i përfshirë në një tjetër krim. Urdhri nga Hollanda

SPAK ‘çmonton’ SKY ECC/ Dalin biseda të reja, shefi i
Dedan Gjoni

TIRANË- Dedan Gjoni, ish-shefi i krimeve në komisariatin numër 6 në Tiranë, i vënë në pranga pas përgjimeve në SKY ECC, dyshohet se është përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë kriminale.

Gjoni dyshohet se ka bashkëpunuar në një tentativë vrasje, teksa punonte në komisariatin e policisë në Shijak, ndërkohë që porosia për krimin ishte dhënë nga Hollanda.

Mësohet se Dedan Gjoni, iu kishte treguar foton dhe orën se kur do të lirohej një i dyshuar, i cili ishte  planifikuar që të vritej, me porosi të disa shtetasve në Hollandë.  

Emri i Gjonit ka dalë në përgjimet e reja që SPAK ka siguruar nga aplikacioni SKY ECC. Mësohet se Gjoni ka bashkëpunuar me disa personazhe të njohur në qytetin e Durrësit për të vrarë një person.

Ish-efektivi i lartë i uniformave blu akuzohet për sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasjeje. Për të njëjtën akuzë është kërkuar masë e dytë ndaj tij pasi Prokuroria e Posaçme ka prova të forta se Gjoni ka marrë pjesë në një tjetër vrasje të mbetur në tentativë.

Mësohet se Kep Arapi është personi që ka dalë në përgjimet e SKY ECC duke biseduar me Dedan Gjonin, ku porositej një vrasje në qytetin e Shijakut. 

Burime bëjnë me dije për Zërin se operacioni në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e tij është ende në vijim. SPAK ka shmangur bashkëpunimin me policinë lokale në Durrës, dhe për arrestimet është marrë mbështetje nga efektivë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB