Letrat anonime në burg, u ofruan 200 mijë euro dhe për kokën e Xheladin Krujës

PEQIN- Arben Lleshi nuk ishte i dënuari i vetëm që ishte planifikuar të vritet në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. I burgosuri Indrit Shaqja ka rrëfyer para prokurorëve se përmes letrave anonime që qarkullonin në korridoret e burgjeve janë ofruar 200 mijë euro për “kokën” e Lleshit dhe të Xheladin Krujës.
“Një anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma se e paralajmërojnë se për kokën tënde po paguojnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro”, dëshmon Indrit Shaqja thuhet në dosjen e prokurorisë së Elbasanit.
Kruja është dënuar për vrasjen e dy vëllezërve, Eliton dhe Enton Grezda, 20 dhe 18 vjeç në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 3 maj të vitit 2001.
Vrasja ndodhi pas një sherri mes të rinjve, kur Kruja ishte asokohe 22 vjeç. Në vitin 2013, ai u dënua me 16 vite e 8 muaj burg dhe u dërgua në burgun e sigurisë së lartë.
Teksa vuante dënimin në burgun e Shën Kollit, më 3 qershor 2021, Xheladin Kruja ka tentuar të vrasë ish-kreun e komunës Rrethina, Kleves Muja. Ai e ka goditur Mujën në qafë me një tub të modifikuar si thikë në çastin që ish-kreu i komunës po kthehej në qeli pas takimit me familjarët.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.
"Do të të mbysim", si u ndoq Sokol Mjacaj nga miqtë e Arben Lleshit

PEQIN- Sokol Mjacaj është ndjekur nga miqtë e Arben Lleshit pasi vrau këtë të fundit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Kelmend Haka, me detyrë polic shërbimi në sektorin brenda burgut, ka treguar përpara prokurorëve se pasi Mjacaj shkrehu armën ndaj të dënuarit me 32 vite burg, është ndjekur nga dy të dënuarit Indrit Shaqja dhe Tomorr Çaushi. Sipas Hakës, Shaqja dhe Çaushi dukeshin sikur e ndiqnin egërsisht per Sokol Mjacajn, të cilit dhe i thonin: Do të mbysim sepse na vrave shokun tonë!
Gjithashtu, Haka shton se e ndiqnin nga pas dhe grupi i gardianëve të ajrimit, Indrit Dubali dhe Ilir Balla, me qëllimin për t’i neutralizuar të burgosurit. Mjacaj është arritur të izolohet në një qeli në godinën B të takimeve, ndërsa të dënuarit që e ndiqnin, janë lënë jashtë. Në ndihmë më pas, ka shkuar dhe grupi i gatshëm i burgut, të cilët kanë neutralizuar Shaqjan dhe Çaushin.
Dëshmia e plotë e Kelmend Hakës
Rreth orës 13:50, dëgjojmë nga larg shumë zhurmë, në formën e të bërtiturave të njerëzve, por nuk e dinim se ç’po ndodhte fare. Pas disa minutash, rreth orës 14:00, vërejmë nga larg, duke ardhur nga rruga që të shpie tek “kalçeto e burgut” drejt “Godinës B të Takimeve”, të burgosurin Sokol Mjaca me një armë pistoletë që mbante në dorën e tij, i cili po vinte me vrap. Pas tij e ndiqnin dy të burgosur të tjerë, konkretisht të dënuarit Indrit Shaqja dhe Tomorr Çaushi të cilët dukeshin sikur e ndiqnin egërsisht për t’ u përleshur me të dënuarin Sokol Mjacaj, madje duke i thënë: Do të të mbysim sepse na vrave shokun tonë.
Gjithashtu e ndiqnin nga pas dhe grupi i “Gardianeve te Ajrimit”, konkretisht Indrit Dubali dhe Ilir Balla, me qëllimin për t’i neutralizuar të burgosurit. Gjatë këtij momenti kur i dënuari Sokol Mjacaj afrohet në “Godinën B të Takimeve” arrin dhe futet brenda korridorit të kësaj godine dhe unë më pas me kolegët e mi u bëmë pritë dhe pengesë tek dera kryesore e kësaj godine dy të dënuarve të tjerë që e ndiqnin duke e mbyllur këtë derë të godinës me lloz (me shulin të jashtëm). Gjatë rezistencës toneë për të mos lejuar të futeshin të dënuarit e tjerë në korridorin e godinës ku ne izoluam të dënuarin Sokol Mjacaj, na vjen në ndihmë dhe “Grupi i Gatshëm i Burgut” (Gardianët), të cilët arritën të largonin dhe të neutralizonin të dënuarit që e ndiqnin.
I dyshuar për vrasjen e Arben Lleshit, arrestohet Indrit Shaqja, i gjendet celular në qeli

PEQIN- Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar urdhërarrest për Indrit Shaqjen, pasi ka dyshime që mund të jetë i përfshirë në vrasjen e Arben Lleshit, e ndodhur brenda ambienteve të burgut të Peqinit në datën 15 Dhjetor. Në qelinë e tij është gjetur një aparat celular, si dhe një predhë që i përket armës së Sokol Mjacajt, që qëlloi për vdekje Lleshin.
Vrasja e këtij të fundit ka ndodhur pikërisht në qelinë e Shaqjes. Në dëshminë e tij dhënë para prokurorisë, Shaqja kishte deklaruar se Lleshin po e kërkonte Mjacaj në dritare dhe ai thjesht e kishte thirrur. Mbetet që të verifikohet roli dhe dëshmia e tij. Momentalisht ai akuzohet vetëm për futjen e sendeve të ndaluara në ambientet e qelisë.
“Në vijim të ngjarjes së datës 15.12.2023, nga Shërbimin i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, më datë 19.12.2023, ora 21:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit, të dënuarit Indrit Shaqja, akomoduar në IEVP Peqin, për veprën penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale” parashikuar nga neni 324/a/2 të Kodit Penal.
Kjo pasi, nga kontrolli i ushtruar në dhomën e akomodimit në IEVP Peqin ju gjet 1 (një) aparat celularë i kamufluar në arkën e sendeve ushqimore i cili u sekuestrua.
Gjithashtu u gjet dhe 1 (një) predhë e cila ishte nga ngjarja e vrasjes së viktimës A.LL.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe po vijojnë hetimet me intensitet për të gjithë personat e përfshirë, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së datës 15.12.2023”, njofton drejtoria e burgjeve.
Kush është Indrit Shaqja
Indrit Shaqja u arrestua në Barcelonë të Spanjës për vrasjen e dy të moshuarave në qytetin bregdetar të Durrësit, më 2 shtator 2014.
Shaqja u fut në banesën e dy kunatave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kishte hasur në kundërshtinë e tyre, ndaj edhe nisi torturën deri në vdekje. Viktimat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014.
Çfarë ndodhi në Peqin
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015./ZËRI
Letra e shefit të Peqinit: Të burgosurit me shërbëtorë, frigoriferë e furra, me kondicionerë e muzikë

PEQIN- Të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë në Peqin jetonin në kushte që do t’i kishin zili edhe ata që shijojnë lirinë jashtë mureve të këtyre institucioneve. Në një letër të drejtorit të burgut, Kamber Hoxha, e cila është bërë publike, tregohet se disa prej të dënuarve, kryesisht ata me burg përjetë, u është lejuar investimi në dhomat e tyre duke i bërë këto të fundit thuajse të privatizuara.
Me këtë nënkuptohet dhe futja e një sërë pajisjeve nga jashtë, të cilat e bëjnë më të vështirë kontrollin e sendeve të paligjshme, siç ishte dhe arma në rastin e Sokol Mjacajt, me të cilën vrau Arben Lleshin.
Po ashtu në letrën e Kamber Hoxhës thuhej se të burgosurit kanë shndërruar ambientet e përbashkëta si klasa këshillimi në “palestra personale” që nuk mund të aksesohen nga të gjithë. Ndërsa shumë të burgosur të tjerë përdoren për të pastruar qelitë apo për detyra të tjera të rëndomta, duke u shndërruar në shërbëtorë të të fortëve.
Më tej, shkruhet se dhomat e takimeve të veçanta janë ri konstruktuar duke shtuar krevate e kondicionerë, ndërsa në dhomat e të burgosurve ka pajisje si furra, frigoriferë të mëdhenj, por edhe bokse muzike.
“Të burgosurve u është lejuar investimi në dhoma, rikonstruktim, thuajse tashmë të privatizuara. Ndërhyrja në dhoma ka kufizuar shumë mundësinë e kontrolleve për elemente sigurie dhe sende të ndaluara. T’u kërkosh të marrin të burgosur në dhoma ka qenë thuajse e pamundur. Dushet, klasa, e dhoma të tjera të përbashkëta kanë humbur destinimin e tyre ku janë shndërruar në palestra të personalizuara dhe nuk aksesohen nga të gjithë. Në dhomat e takimeve të veçanta janë bërë ndërhyrje dhe këto dhoma janë të personalizuara. Ka kondicionerë, krevate, etj. U janë lejuar frigoriferë, furra pjekjeje, aksesorë muzike, bokse muzike me përmasa të mëdha, duke rënë ndesh me ligjin”, thuhej në letrën e bërë publike gjatë ditës së djeshme.
/ZËRI
SKANDALI në Peqin, shkresa: Skaneri nuk punonte nga 21 Tetori, palestra, dhoma e takimeve… pa kamera!

TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar një raport të datës 30 Nëntor, ku drejtori i komanduar Kamber Hoxha, ka denoncuar një sërë parregullsish në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku ndodhi edhe vrasja e Arben Lleshit.
Kamber Hoxha, i cili tashmë është i arrestuar për vrasjen brenda burgut të Peqinit më 15 Dhjetor 2023, evidentonte faktin që skaneri në këtë burg të sigurisë së lartë nuk funksiononte që prej 21 Tetorit.
Ndërkohë që drejtori ankohej për mungesën e stafit të mjaftueshëm për kontrollin e të burgosurve, kryesisht me dënime të përjetshme.
“Skaneri për kontrollin e bagazheve nuk funksionon që nga data 21 Tetor 2023. Që nga Tetori, ti thua si ka hyrë arma, s’ka pra skaner aty. Kjo është në raport. Nga data 21 Tetor nuk punon skaneri. Aty në momentin që nuk punon skaneri, duhet në mënyrë urgjente të rikthehet skaneri se bëhet hataja, është burg i sigurisë së lartë”, lexoi raportin Artan Hoxha.
Po kështu, edhe me kamerat e sigurisë kishte probleme dhe nuk mbulohej e gjithë hapësira e brendshme e burgut. Sipas raportit të hartuar, thuhej se dhjetëra ambiente në regjimin e brendshëm të burgut kanë qenë të pamonitoruara nga kamerat e sigurisë.
“Sistemi i monitorimit të kamerave të sigurisë ka probleme me teknologjinë. Në regjim të brendshëm ka ambiente të përbashkëta që përdoren për aktivitete të ndryshme me të burgosurit si klasa, palestra, dhoma takimesh me familjarë, virtuale online, takime me avokatët, rrugëdaljet për në ajrosje që janë të pamonitoruara nga kamerat e sigurisë në të dyja godinat. Këto korridoret mbulohen vetëm me një kamera, por duke patur parasysh faktin se sektorët kanë një gjatësi të konsiderueshme, e bën të pamundur mbulimin me 1 kamera”.
Një tjetër problematikë e evidentuar në raportin e drejtorit të komanduar, është fakti që dyert e qelive hapen me një çelës të vetëm, ndërsa shulat janë të cilësisë së dobët.
“Të gjitha dyert e banimit të burgosurve në sektor hapen me një çelës të vetëm, ndërsa drynat e shuleve të cilët mbyllen në turnin e tretë janë cilësi shumë e dobët, gjë e cila cënon rëndë sigurinë e institucionit dhe vetë të burgosurve”.
Por pavarësisht të gjitha këtyre shqetësimeve të ngritura nga ana e drejtorit të komanduar të burgut, dy javë para vrasjes, nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve, por edhe nga Ministria e Drejtësisë nuk është marrë asnjë masë.
Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Femi Sufaj, përveç personave të vënë në pranga në burgun e Peqinit, kanë nisur dhe hetime për persona të tjerë, që nuk mund të kenë kryer si duhet detyrën dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Sufaj tha se një pjesë e mirë e ‘shkeljeve’ që raportoheshin nga Kamber Hoxha, në fakt kanë qenë rekomandime të organizatave ndërkombëtare, siç është rasti i hapjes të të gjitha dyerve me një çelës. Sipas tij kjo bëhet për të pasur më të lehtë nxjerrjen e të burgosurve nga qelitë në rast zgjarresh.
/ZËRI
Mbeti i plagosur, prokuroria lëshon urdhërarrest për Shaqjen, dyshohet i përfshirë në vrasjen e Lleshit

ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar urdhër-arresti ndaj Indrit Shaqjas, i dënuar me burg përjetë dhe që u plagos në ngjarjen e 15 Dhjetorit brenda burgut të Peqinit.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Artan Hoxha mbrëmjen e djeshme në studion e opinion, duke iu referuar burimeve nga prokuroria e Elbasanit.
Hoxha sqaroi se Shaqja dyshohet që të ketë pasur rol në vrasjen e Arben Lleshit nga Sokol Mjaçaj.
“Për Indrit Shaqjen, Prokuroria e Elbasanit sapo ka lëshuar urdhër-arresti në lidhje me përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Pra, nuk është se aty ka pasur një rol episodik dhe thjesht e ka njoftuar padashje. Këto detaje që të përmenda, që ai ka lënë hapur dritaren, ka lënë hapur perden, e ka thirrur atë nga kollona ku ka qenë dhe ja ka sjellë para autorit, ka bërë që Prokuroria të ngrejë dyshime se ai është i përfshirë në organizimin e kësaj ngjarje. Prandaj edhe ai është marrë nën hetim tani për përfshirjen në këtë ngjarje”, u shpreh gazetari Hoxha.
Gjatë ditës së djeshme u bënë publike dëshmitë e 13 personave të arrestuar pas vrasjes në burgun e Peqinit, përfshirë dhe vetë Indrit Shaqjen. Ky i fundit deklaronte se kishte njoftuar Lleshin që të dilte në dritare pasi e kërkonte Mjacaj. Shaqja gjithashtu deklaroi se kishte gjetur letra me shkrim dore, ku ofroheshin deri në 200 mijë euro për të vrarë Lleshin, të cilave në rast se pranonte ai duhet që t’iu përgjigjej me shkrim. Vetë i dënuari përjetë tha se kishte vënë në dijeni Lleshin në të dyja rastet.
Të premten e 15 Dhjetorit 2023, brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin ndodhi një vrasje me armë dhe një plagosje.
I dënuari me burg përjetë Sokol Mjaçaj vrau me pistoletë të dënuarin me burg përjetë Agim Lleshi, si dhe mbeti i plagosur i dënuari tjetër me burg përjetë Indrit Shaqja. Tashmë edhe këtij të fundit i është komunikuar se është i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje./ZËRI